Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar pasi Apeli i GJKKO-së, i caktoi masën “detyrim paraqitje” dhe rrëzoi ankimimin e SPAK për rikthimin e arrestit në shtëpi.
Berisha e ka cilësuar masën si vendim pa asnjë bazë ligjore dhe si përpjekje e SPAK “për të justifikuar veprat e tyre”.
“Vendim pa asnjë bazë ligjore, pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama, përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet SKAPI i partisë për të justifikuar veprën e tyre”, tha Berisha.
I pyetur nëse do ta respektojë masën e vendosur ndaj tij, Berisha tha se po dhe u shpreh se tashmë çështjen e ka dërguar edhe në gjykatën e Strasburgut.
“Unë çështjen e kam në Strasburg, vendimin do e respektoj sepse çështja siç dihet është në gjykatën e Strasburgut dhe kjo i shtohet dosjes”, tha ai.
Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi sot kërkesën e SPAK për caktimin e masës “arrest shtëpie” ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha duke vendosur masën “detyrim paraqitje” dy herë në muaj. Seanca, që u drejtua nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, nisi pak pas orës 10:00 teksa në sallë ndodhej dhe avokati i kryedemokratit, Genc Gjokutaj.
Thuajse tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e kreut të PD-së Sali Berisha nga “arresti shtëpiak” dhe kërkoi rikthimin e masës. Berisha është liruar nga masa “arrest shtëpie” më 27 nëntor 2024. Ky vendim u mor nga gjyqtarja Flojera Davidhi. Avokati i kreut të PD-së, Genc Gjokutaj deklaroi atë ditë se ndaj Berishës nuk është caktuar asnjë masë tjetër sigurie. Ai shtoi po atë ditë se Prokuroria kërkoi që Berisha të qëndronte në “arrest shtëpie”.