Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet në Kosovë, ka nisur të enjten ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar certifikimin e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Përmes një postimi në Facebook, kjo parti ka thënë se Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) në mënyrë të pashembullt dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet, ia ka mundësuar këtij subjekti politik pjesëmarrjen në zgjedhje.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë më 31 dhjetor se vendimet e PZAP-së janë të obligueshme për institucionin që drejton, dhe çështjen e certifikimit të Listës Serbe e ka konsideruar të mbyllur.
Pse po ankohet LVV-ja?
Në mbledhjen fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), më 23 dhjetor, Lista Serbe nuk është certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, pas kundërshtimeve të LVV-së, me arsyetimin se Lista Serbe nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.
Lista Serbe është ankuar më pas në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e ka urdhëruar KQZ-në ta certifikojë këtë parti.
Më 31 dhjetor, KQZ-ja ka thënë se vendimi i PZAP-së për certifikim të Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, është i plotfuqishëm dhe duhet zbatuar.
Lëvizja Vetëvendosje është ankuar edhe në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së, por ajo është hedhur poshtë ditë më parë.
“Nxjerrja e vendimit në emër të KQZ-së, por pa miratim të KQZ-së, është sulmi i radhës ndaj rendit tonë ligjor për shkak të Listës Serbe. Secili vendim i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet votimit nga anëtarët e KQZ-së. Ky vendim nuk është i KQZ-së, sepse nuk është votuar. Është i paligjshëm, sepse bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ndërsa Lista Serbe nuk është certifikuar në përputhje me Ligjin, por është kontrabanduar kundërligjshëm”, është thënë në reagimin e partisë.