Procesi i licensimit të klubeve për sezonin 2025-2026 ka nisur që prej muajit dhjetor. Departamenti Ligjor dhe i Licencimit të klubeve në Federatën e Futbollit ka zhvilluar takimet e para me përfaqësuesit e klubeve aplikante, teksa në ditët e ardhshme do të nisin takimet dypalëshe. Përfaqësues të FSHF-së do të zhvillojnë takime me klubet e kryeqytetit: KF Tirana, FK Partizani dhe Dinamo City. Këto takime konsiderohen si mjaft të rëndësishme për të ndërgjegjësuar klubet për këtë proces shumë të rëndësishëm dhe për t’i asistuar në plotësimin e dokumentacionit për të përfituar licencën për sezonin 2025-2026.

Sipas afateve të përcaktuara nga FSHF dhe UEFA, procesi përfundon më 31 mars 2025. Gjatë kësaj periudhe, klubet aplikante duhet të dorëzojnë në Departamentin e Licencimit të FSHF-së dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur gjashtë kriteret: sportiv, përgjegjësia sociale dhe mbrojtja e mjedisit, infrastruktura, administrata dhe personeli, ligjor dhe financiar.