Në kuadër të hetimit të organizatës kriminale të Suel Celës, u arrestua gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu si dhe u ushtrua kontroll në banesat e disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët dyshoheshin për lidhje me këtë organizatë.

SPAK urdhëroi dhe sekuestrimin e disa celularëve, mes të tjerash dhe celularin e ish-gjyqtares, Enkelejda Kapedani.

Kjo e fundit përmendej në bisedat mes anëtarëve të organizatës, të cilët i kërkonin favore, por në një moment ajo sipas tyre iu ka thënë se ka respekt për ta, por do të bëjë karrierë, shkruan VNA.

Vendimin e SPAK për sekuestrimin e telefonit celular, Kapedani e ka kundërshtuar në Gjykatën e Posaçme.

Të hënën u zhvillua një seancë gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e ish-gjyqtares.

Me kërkesën e palëve seanca u shty. Enkelejda Kapedani u shkarkua nga detyra në 2022 në kuadër të procesit të vettingut.

Ajo e ka ankimuar vendimin në KPA por ende çështja nuk është shqyrtuar.

Ndërkohë më herët më 17 janar 2021 ajo ishte pezulluar nga detyra nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pas publikimit në TikTok të disa videove të filmuara në zyrë dhe duke drejtuar automjetin.