“Ç’të keqe do të kishte fshatari nga vajtja ime, fjala vjen, pranë tij? Ç’do ta pengonte një shtëpi e vogël që do të ngrija unë? Ç’do ta mërziste një arë dhe një kopsht që do të punoja, apo një dhi që do të rrisja, apo një pjergull që do të mbillja, meqë mua më ka dalë nami edhe për rakinë, apo jo?”
Kanë qenë të pakët deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që kundërshtuan ligjin e qeverisë për kompensimin e tokës, në vitet e para të pluralizmit. Ishte një ndër debatet më të rëndësishme sepse bëhej fjalë për një prej ligjeve më të rëndësishme që prek shumicën e popullsisë në Shqipëri. Ligji 7501, i miratuar me konsensusin e mazhorancës dhe opozitës, ose dy krahëve të politikës PS dhe PD, pati pasoja të rënda në vitet në vazhdim, që vazhdojnë të kenë efektin edhe sot. Dritëro Agolli ishte një ndër kundërshtarët e këtij ligji. Ai propozoi që toka t’i kthehet fshatarit duke e paisur me hipotekë dhe jo “vetëm disa copëra letrash”. Bashkëkohës të tij e mbajnë mend fjalimin në një prej seancave të vitit 1993, kur këmbëngulte për kthimin e tokës pronarit duke iu referuar lidhjes së tij me tokën e të parëve. “Mua më duhet pjergulla e shtëpisë në Menkulas” (fshati i origjinës së Agollit), argumentonte Agolli duke kundërshtuar disa nenë të ligjit për kompensimin e tokës. Janë disa fjalime të Dritëro Agollit për ligjin për kompensimin e tokës, por Tema ka zgjedhur njërin prej tyre, në një seancë parlamentare të vitit 1993, kur diskutohej edhe kompensimi i tokës me letra me vlerë.
Dritëro Agolli – Zoti Kryetar,
Zotërinj deputetë,
Këtu përfaqësuesit e tri partive, Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe Partisë Socialdemokrate, kanë folur gati njëlloj dhe me një gjuhë. Pak deputetë, përveç zotit Heba e ndonjë tjetri, që flasin me gjuhën e tokës, të gjithë flasin me gjuhën e partive.
Unë tokën e dua mbase më shumë se të gjithë shenjtorët që janë këtu në këtë tempull, me ndonjë përjashtim, dhe duke e dashur, nuk mund të rri pa folur, pasi edhe fjala vjen nga toka. Që ta duash tokën, duhet ta kesh. Po nuk e pate tokën, nuk flet dot. Pa një grusht tokë nuk do as të shenjtin atdhe. Prandaj unë do të flas jashtë çdo partie parlamentare, do të flas si njeri që, si ta them, në këtë karrige kam marrë me vete disa thërrime toke. Dhe do t’ju lutem të mos më ndërpresë asnjëri për qëllime propagandistike apo për ndonjë qëllim tjetër, për të më kujtuar mua të ardhmen e largët.
Një nga gabimet e rendit shoqëror të kaluar është se shkoi kundër natyrës, kundër tokës. Ai rend donte t’i bënte të gjithë të barabartë. Por në natyrë dhe në tokë nuk ka barazi. Ara e fushës dhe ara e malit nuk janë të barabarta. Lisi nuk është i barabartë me fijen e barit. Pisha nuk është e barabartë me dëllinjën. Kungulli nuk është i barabartë me lajthinë. Barazia është kuptim abiologjik. Prandaj ligjet për tokën, krahas drejtësisë shoqërore, duhet të kenë parasysh edhe këtë gjë.
Tani do të vij te tema dhe do të them atë që mendoj unë dhe që më ka munduar për një kohë të gjatë. E pohoj që në fillim se çështja e tokës, si çështje shekullore, kërkon zgjidhje me drejtësi sociale dhe jo me demagogji. Çështja e tokës duhet të qëndrojë mbi letrat elektorale të çdo partie, të djathtë, të majtë apo të qendrës. Toka nuk është as tapet dhome dhe as karrige zyre, që vjetërsohen apo ndryshojnë. Ajo është jetike për të gjithë shqiptarët dhe për të gjithë Shqipërinë, është jetesë, moral dhe patriotizëm. Me kompensim vetëm me letra me vlerë dhe pa kompensim edhe me tokë, kjo çështje jetike nuk mund të zgjidhet kurrë. Portat e kështjellës së kësaj çështjeje do të mbeten përherë të hapura. Ajo mund të gjejë zgjidhje kur pronarëve t’u jepen edhe letra, edhe tokë, letra me vlerë dhe tokë me vlerë.
Në këtë fund shekulli nuk ka banorë në qytetet e botës që të mos ketë një copë tokë edhe në fshat. Qytetari i Parisit, i Romës, i Berlinit apo i Athinës ka një copë tokë diku në një fushë apo në një mal. Qytetari sot synon drejt natyrës, drejt fshatit. Me këtë ai lidhet me origjinën e tij, që është natyra, lidhet me kujtimet e gjyshërve dhe të stërgjyshërve, me traditën dhe historinë e vet. Me këtë lidhje forcon ndjenjën e patriotizmit, të dashurisë për vendin dhe njerëzit.
Ç’të keqe do të kishte fshatari nga vajtja ime, fjala vjen, pranë tij? Ç’do ta pengonte një shtëpi e vogël që do të ngrija unë? Ç’do ta mërziste një arë dhe një kopsht që do të punoja, apo një dhi që do të rrisja, apo një pjergull që do të mbillja, meqë mua më ka dalë nami edhe për rakinë, apo jo? (Të qeshura), tani ju këtu më njihni mua…. vetëm disa copëra letrash. S’kanë vlerë këto, toka ka vlerë. Venin gjyshërit tanë në kurbet, në Amerikë, mblidhnin pak para dhe blinin arë në fshat, pa ndërtonin edhe një shtëpi atje. Këta mund të mos vinin kurrë në atë fshat, por e blinin atë dhe e kishin përgjithnjë. Tani ti qytetar i Tiranës, duke pasur tokën tënde në një fshat, nuk ke të drejtë të marrësh një copë truall, me të cilin të lidhin mijëra kujtime, këngë, përralla, historira etj.
Unë nuk them të kthehemi para gjysmë shekulli dhe të shndërrohemi si dikur në pronarë të lashtë. Kjo do të ishte një romantizëm i prapambetur. Unë them që ish-pronarit të djeshëm të tokës i cili jeton në qytet dhe kudo që të jetojë, qoftë edhe në Kinë, t’i jepet trualli që i takon, pra të marrë tokën, jo atë copën e letrës. Mundësisht, në qoftë se kanë qenë, të gjithë shqiptarët të bëhen pronarë. Kjo është ajo që synojmë ne. Dhe kjo është e natyrshme. Jetojmë në rendin shoqëror ku baza e tij është prona. Unë e shoh gjendjen realisht, e shoh gjendjen reale dhe historinë reale.
Ky ligj “Për kompensimin e tokës” nuk është koherent me të gjitha ligjet e pronës. Qytetarit ia jep pronën e tij, shtëpinë dhe truallin, kurse qytetarit të ardhur nga fshati, apo qytetarit tjetër, apo pronarit të dikurshëm të tokës ti s’i jep asgjë. Atëherë çfarë është kjo? (Ndërhyn një deputet nga vendi) Jo, ore, hiç fare s’të jep. Mua ti s’më jep tokën. Ç’më duhet mua ajo? Ajo është letër, ato janë si obligacionet në kohën tonë që ia falëm pastaj… (të qeshura), ato s’kanë vlerë fare. Unë dua tokën që e kam. Ç’më duhen letrat? Letra hajde të të jap sa të duash unë. (Të qeshura) Prandaj, shkurt, duhet që pronari të marrë atë që i takon, jo letra të këtilla.