I hoqi vetes një zgjedhë nga qafa. Kështu mund të thuhet për Rej Manajn, pasi sulmuesi shqiptar rinovoi kontratën tek Sivaspori për 1 vit e gjysmë.
Pas një periudhe me bisedime të dendura dhe pasiguri, ai pranoi të mos largohej, por me kusht që ta kishte më të lehtë për t’u transferuar në të ardhmen.
Nga kontrata e Manajt u hoq klauzola sipas së cilës nëse ai luante të paktën 20 ndeshje në sezon, rinovimi do të ndodhte automatikisht.
Përse Rej nuk shkoi tek Trabzonspori?
U tha se trajneri I shquar turk Shenol Gynesh e pëlqente, por sipas mediave turke, sulmuesi I kombëtares nuk ishte I bindur se gjigandi turk e vlerësonte sa duhet dhe pati dyshime se mund të mbetej në stol.
Nuk dihet nëse ka pasur rritje rroge për të, ndërsa besohet se me kontratën e parë fitonte 1.2 milionë euro në sezon, duke qenë një nga tre-katër më të paguarit tek Sivaspori.
Klubi turk e vlerësoi lart kontributin e tij dhe në komunikatën për rinovimin, shprehu shpresën që në 18 muajt e shtuara në kontratë, Manaj do të vazhdojë të shënojë gola dhe të ndihmojë ekipin për t’u ngjitur në renditjen e Superligës.
Këtë sezon të kampionatit, shqiptari ka vetëm 4 gola e një asist në 12 ndeshje, ndryshe nga edicioni I kaluar kur realizoi 18 gola e pati 3 asistë në ligë, dhe gjithsej 22 rrjeta në të gjitha konkurrimet.