Kylian Mbappé ishte i zgjedhuri nga Real Madridi për të folur në konferencën për shtyp para përballjes së Champions League ndaj RB Salzburg. Gjatë konferencës, francezi u tregua shumë i qetë dhe iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve për nivelin e tij, i përmirësuar me kalimin e kohës.
Qetësia dhe fokusimi: “Jam shumë i qetë. Kur je lojtar si unë, me pritshmëritë që kanë të gjithë, kjo është normale. Ky është futbolli. Duhet të jesh i qetë dhe i fokusuar te loja jote. E dija që situata mund të ndryshonte dhe jam shumë i lumtur që ka ndodhur kështu”.
Momentet e vështira: “Kam kaluar momente të vështira, sepse jam një lojtar që gjithmonë dëshiron të japë maksimumin për veten dhe ekipin. Të luash këtu është një mundësi e madhe, por e dija që këto momente mund të ndodhnin. Në Bilbao tregova që jam një lojtar me cilësi të mëdha”.
Përmirësimi personal: “Procesi ka qenë më shumë mendor. Fizikisht isha mirë, por e dija që duhej të bëja më shumë. Nuk kam ardhur te Real Madridi për të luajtur keq. Kjo ka ndryshuar dhe tani duhet të vazhdoj, sepse te Real Madridi duhet të luajmë mirë gjithmonë”.
Ëndrra për të luajtur te Real Madridi: “Çdo ditë që kam mundësinë të luaj në ‘Bernabéu’ është një ëndërr. Jam i lumtur që nga dita e parë, edhe kur nuk luaja mirë. Kam fituar dy tituj dhe kemi shumë gjëra për të arritur në pjesën e dytë të sezonit. Përpiqem të mësoj nga kultura spanjolle, që është e ndryshme nga ajo franceze, por po e shijoj shumë. Më pëlqen jeta ime këtu”.
Presioni dhe pritshmëritë: “Jam një lloj lojtari që ka nevojë për atë presion dhe ndjenjën se gjithmonë duhet të bëjë më shumë. Kur luan për një klub si Real Madridi dhe nuk fiton titull, është normale që njerëzit të të kritikojnë. Në ndeshjen ndaj Celta patëm presion, por kemi personalitetin për ta ndryshuar situatën”.
Mesazhi për tifozët: “Unë iu kërkoj tifozëve që të jemi të bashkuar. Mund t’i kuptoj njerëzit që kritikojnë, por na presin shumë tituj për të fituar dhe shumë faqe për të shkruar në historinë e madhe të Real Madridit”.
Apatia në fushë: “Kam menduar shumë gjatë momenteve të mia të vështira. Mendova për mënyrën si të lëvizja, si të shfrytëzoja hapësirat, por kur mendon shumë, nuk luan mirë. Me kombëtaren nuk ka ndodhur asgjë. Nuk mund ta ndryshoj kritikën. Kam dëshirë të kthehem në mars dhe ta ndihmoj kombëtaren, sepse dashuria ime për të nuk ka ndryshuar”.
Forma më e mirë: “Objektivi im është gjithmonë të luaj sa më mirë. Luajta mirë kundër Las Palmas, por ndjej se mund të bëj më mirë, sepse e kam potencialin”.
Mbërritja te Real Madridi: “Nuk do të jem kurrë një lojtar i turpshëm, por kur shkon në një ekip që ka fituar gjithçka sezonin e kaluar, duhet të tregosh përulësi. Nuk mund të thuash: Hej ti, më jep topin. Futbolli nuk funksionon kështu”.
Reagimi pas Superkupës: “Ishim të trishtuar pasi humbëm ndaj Barcelonës, por me ndjesinë se kemi shumë për të bërë. Kishim një ndeshje në Kupë që nuk ishte e lehtë, por në futboll duhet ta ndryshosh shpejt mentalitetin”.