Këshilli i Ministrave ka miratuar disa shtesa dhe ndryshime në ligjin ‘Për Rininë’ duke i hapur kështu rrugë krijimit të dy programeve të reja dedikuar të rinjve në vend. Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi pas mbledhjes shpjegoi se dy programet që do hapen ai i ‘Talenteve Rimore’ dhe i ‘Nismave Komunitare’.

“I hapet rrugë krijimit të dy programeve të reja që do të mbështesin të rinjtë drejtpërdrejtë, programi i talenteve rinore që do të mbështesë të rinjtë në fusha të ndryshme të artit, kulturës, edukimit, shkencës, teknologjisë, por edhe sportit duke mbështetur pjesëmarrjen e të rinjve në kompeticione ndërkombëtare dhe dhënien e shpërblimeve për ta. Një tjetër program i rëndësishëm është programi i nismave komunitare, që do tu japë mundësinë grupeve të të rinjve të krijojnë projektet e tyre me fokus ndryshimin e qyteteve dhe fshatrave ku ata jetojnë. 3 ndryshime për programin e praktikave të punës që do u ofrojnë më shumë mundësi të rinjve, trajnim për t’u bërë pjesë e administratës publike, që nga aftësitë e komunikimit dhe ndërveprimit në një institucion shtetëror, pjesa e të mësuarit se si draftohet një shkresë, programet e nevojshme buxhetimi, etika, që do bëhen nga shkolla e Administratës Publike. Për të gjithë të rinjtë që do bëhen pjesë e këtij programi që nga ky vit, do u kompensohet ushqimi, transporti dhe çdo material didaktik që do t’u shërbejë për praktikat. Ata që do vlerësohen me pikë maksimale, do kenë mundësi të bëhen pjesë e administratës publike me anë të një kontrate 1-vjeçare si pjesë e këtij programi”, tha ministrja.