Më 30 gusht 2022, në Shqipëri u arrestua Faruk Fatih Özer, i cili më 20 prill 2023 u ekstradua në Turqi, ku përballet me disa akuza.
Themeluesi i bursës së kriptomonedhave Thodex, Fatih Özer, i përfshirë në një skandal mashtrimi në vitin 2021, u lirua të enjten nga akuzat për “krijimin e një organizate kriminale”. Megjithatë, ai mbetet në paraburgim për akuzën e “mashtrimit të kualifikuar”.
Avokati i Özerit deklaroi: “Ndërsa u vendos që ai të mbetet në paraburgim për akuzën e mashtrimit, u mor vendimi për lirimin e tij në lidhje me akuzën për krijimin e një organizate kriminale.”
Özer po gjykohet për akuzat e “pastrimit të vlerave të pronës që rrjedhin nga krimi”, “mashtrim të kualifikuar” dhe “krijim e drejtim të një organizate kriminale”. Me vendimin e fundit, ai është liruar nga akuza për krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, por vazhdon të mbahet në paraburgim për mashtrim.
Kompania, e cila u themelua nga Özer në vitin 2017 me emrin Koineks, ishte bursa e katërt e kriptomonedhave në Turqi në atë kohë. Ajo instaloi bankomatin e parë të Bitcoin në vend dhe në vitin 2020 u bë bursa e parë turke që hyri në tregun global.
Në vitin 2021, vetëm dy ditë para arratisjes së Özerit, bursa ndaloi papritur aktivitetin, duke pretenduar se ishte në proces mirëmbajtjeje. Pas kësaj, investitorët dhe përdoruesit e platformës filluan të paraqisnin kallëzime penale.
Pas 572 ankesave nga viktimat, Özer u shpall në kërkim më 21 prill 2021 dhe u arrestua më 30 gusht 2022.
Në aktakuzën e dytë të përgatitur nga Prokuroria e Përgjithshme e Anadollit ndaj Özerit dhe 21 të pandehurve të tjerë, thuhej se dëmi i shkaktuar ndaj viktimave arrinte në 94 milionë lira turke.
Linku orugjinal: https://tr.euronews.com/2025/01/30/thodexin-kurucusu-faruk-fatih-ozer-orgut-kurma-sucundan-yargilandigi-davada-tahliye-edildi