(Fatmir Fezga)

Shqiptarët dhe grekët, edhe pse kanë qënë popuj fqinj prej mijëra vitesh, ata kanë një mospëlqim (ose urrejtje) midis tyre i cili e ka origjinën në konfliktet e këtyre dy popujve gjatë shekujve të historisë.

Por për të qënë realistë në këtë pohim, duhet të themi se faji për këtë gjëndje në marrëdhëniet mes këtyre dy kombeve, sidomos gjatë 120 viteve të fundit, ka qënë dhe është i qarqeve ekstremiste greke dhe autoriteteve greke. Këto qarqe ekstremiste greke janë përpjekur me të gjitha mënyrat, qysh nga shpallja e shtetit të pavarur grek, që të zgjerojnë teritoret e Greqisë në dëm të fqinjëve të tyre veriorë, shqiptarëve. Le të shikojmë shkurtimisht disa fakte historike për të mbështetur pohimin e mësipërm.

  1. Fiset shqiptare dhe fiset greke janë nga banorët më të vjetër të Ballkanit.

Mbështetur në burimet historike sot pranohet se shqiptarët dhe grekët janë nga popujt më të vjetër që kane jetuar në Ballkan. Po kështu, sipas një studimi të publikuar nga P. Heggarty et al., Science (2023), mbështetet teza se si Gjuha SHqipe dhe ajo Greke janë dy nga gjuhët më të vjetra të familjes indo-europiane që e kanë zanafillën e tyre të paktën 7000 vjet përpara.

Harta e mësipërme shpjegon një hipotezë hibride për origjinën dhe përhapjen e gjuhëve indo-evropiane. Familja e gjuhëve filloi të divergjonte rreth 8100 vjet më parë, nga një atdhe në jug të Kaukazit. Një migrim i hershëm arriti në Stepën Pontiko-Kaspike dhe në Stepën Pyjore rreth 7000 vjet më parë. Nga ky vëndqëndrim i hershëm migrime të mëvonshme u përhapën në pjesë të Europës rreth 5000 vjet më parë. © P. Heggarty et al., Science (2023).

Natyrisht meqënëse shqiptarët dhe grekët kanë qënë fqinjë me njeri tjetrin për mijra vjet, ata kanë patur shkëmbime ekonomike e kulturore midis tyre por padyshim dhe konflikte të armatosura për të ruajtur apo zgjeruar zotërimet përkatëse.  Valë të shumta migrimi ka pasur më herët, siç ka patur edhe këto kohët e fundit, midis këtyre dy vëndeve dhe popujve të tyre. Tregtarët grekë u vendosën përgjatë bregdetit të Ilirisë, i cili korrespondon me Shqipërinë e sotme bregdetare. SHqiptarët gjithashtu gjatë shekujve, veçanërisht në mesjetë dhe ne vitet 1990, migruan nëpër Greqi.

Rajoni i Epirit, për të cilin historianët e lashtë shkruajnë se banohej nga popullata shqiptare dhe greke, ka qënë vëndi ku janë zhvilluar më shumë kontaktet midis këtyre dy popullatave. Kështu, gjeografi romak Straboni (SHek. I i erës së re) në veprën e tij Gjeografia, Libri 7.7 shkruante se disa nga fiset epirote flisnin dy gjuhë (vii. f.327.); fakt që dëshmon egzistencën e racave (etnive) të ndryshme në këtë rajon dhe gjithashtu lidhjen mes tyre sepse banonin në të njëjtin rajon. Megjithatë, disa burime historike mbështesin tezën se popullsia ilire (shqiptare) përbënte shumicën e popullsisë së Epirit, veçanërisht pas pushtimit romak, kur romakët morën skllevër mijëra banorë epiriotë.

Kështu, William Smith (Fjalori i Gjeografisë Greke dhe Romake, 1854) shkruante: “Epiri tani është pjesë e Shqipërisë. SHqiptarët janë ndoshta pasardhës të ilirëve të lashtë, të cilët morën në zotërim vëndin e shpopulluar nën Perandorinë Romake ose atë Bizantine të hershme”.

Harta e mësipërme tregon rajonin e Ballkanit Jugor në kohën e antikitetit (Wikipedia).

  1. Shqiptarët dhe grekët kanë qënë qeverisur për 21 shekuj nga të njëjtat perandori.

Me shtrirjen e Perandorisë Romake në Ballkan, shqiptarët dhe grekët u bënë pjesë e Perandorisë Romake. Kështu, pas luftës së tretë ilire në vitin 168 p.e.s. romakët pushtuan Ilirinë dhe pastaj Epirin në vitin 1967 p.e.s., pas Luftës së Tretë Maqedonase (171–168 p.e.s.).  Gjithashtu epoka romake filloi për grekët me humbjen e Korintit, në Betejën e Korintit në vitin 146 p.e.s.

Harta e mësipërme tregon shtrirjen e Perandorisë Romake (ngjyra manushaqe) në vitin 47 p.e.s. (Wikipedia).

Dihet se gjatë epokës romake, ndarja administrative e territoreve ballkanike ishte e tillë që nuk korrespondonte me ndarjen e popullsive etnike. Kështu, popullsia ilire (shqiptare) dhe popullsia greke përfshiheshin gjithashtu në provincat Iliria, Maqedonia apo Epiri. Kjo ndarje administrative, e cila shpesh ndryshonte, e bëri edhe më pak të dallueshëm kufirin midis grupeve etnike ose popullsive kufitare.

Kur u nda perandoria romake, përsëri popullsia shqiptare dhe ajo greke ishin nën sundimin e Perandorisë Romake Lindore (Bizanti). Natyrisht, gjatë 1700 viteve ka patur lëvizje dhe përzierje të popullsive brënda territoreve të Perandorisë Romake. Të dhënat historike tregojnë se grupe shqiptarësh kanë lëvizur herë pas here dhe janë vendosur në territoret bizantine ku është sot Greqia qëndrore dhe jugore. Këta kolonë shqiptarë (apo arbëreshë) u quajtën arvanitas në Greqi. Aristidh Kola (greqisht: Aristeidis Kollias) në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve(botuar më 1983), thotë se shqiptarët, si qytetarë të Perandorisë Bizantine, filluan të vendosen spontanisht në tokat e pabanuara greke qysh në shekullin VI ose në shekullin e VII të erës së re. Gjatë SHekullit XIV me thirrjen dhe lejën e despotëve ata u vendosën aty, si në Peloponez, Atikë etj…, në mënyrë të organizuar dhe masive ku përfshiheshin me mijëra banorë”. Ata u ftuan të vendoseshin në zonat që ishin shpopulluar kryesisht për shkak të luftërave, epidemive dhe arsyeve të tjera, dhe u punësuan gjithashtu atje si ushtarë.

Harta e mësipërme tregon vendbanimet e identifikuara të shqiptarëve në Peloponez sipas kadastrës tatimore osmane të viteve 1460–1463. (Ahmet, Q., 2022: C. Liakopoulos, Georgios, 2021). Nga 580 fshatra të banuara, 407 janë emëruar si shqiptarë, 169 si grekë dhe katër si të përzier. Me rënien e Perandorisë së Bizantit,në mesin e shek. të 15, si territoret greke dhe ato të banuara nga shqiptaret u pushtuan nga Perandoria Otomane për më shumë se 400 vjet. Nuk ka dyshim se gjatë viteve të pushtimit osman, kur shqiptarët dhe grekët ishin qytetarë të së njëjtës perandori, gjithashtu kishte shqiptarë që u punësuan dhe banonin në kalatë dhe qëndrat ekonomike të Perandorisë Osmane, të cilat ishin në territorin e populluar nga grekët.Si rezultat, në fund të shekullit të 18-të në teritorin e Greqisë së sotme kishte zona si Janina, Peloponezi, Hidra, Salamia etj., ku shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë në ato krahina. Albanologu Joan.G.Hahn, në librin e tij “Albanesiche Studien” (Studime Shqiptare), botuar në vitin1853, përmëndte se “Në ishujt e Hidrës, Spezza, Poros dhe Salamia, shqiptarët zotëronin të gjithë territorin..”. Në të njëjtin libër, Hahn thotë se “Të dy racat, grekët dhe shqiptarët, edhe kur banonin në të njëjtat rajone, kanë jetuar për disa shekuj në një gjëndje izolimi të rreptë; ata nuk bënin martesa midis tyre. Por akulli u thye pas kryengritjes Greke..”. J.G. Hahn e vlerësonte numrin e shqiptarëve që jetonin në Greqi, në mesin e shek.19-të, midis 173.000 e 200.000.

Po kështu, në zonat perëndimore të Janinës, shqiptarët ishin të përqëndruar në rajonin e njohur si Çarkovista (midis Dodonit dhe Ziros modern). Zona shqipfolëse përfshinte Zermin, Kraninë, Papadates, Rusacan, Derviçianën e Musiotican. Në mesin e viteve 1800 shqip flitej në 33 nga 46 fshatrat e Çarkovistës [Kokolakis, Mihalis (2003). The Late Pashalik of Ioannina: Space, Administration and Population in Ottoman-ruled Epirus (1820–1913)] (in Greek). Athens, Greece: EIE-ΚΝΕ. ISBN 978-960-7916-11-2].

Megjithëse grupe shqiptarësh dhe grekësh jetonin në të njëjtat territore, në Epir, në pjesën kontinentale dhe në ishujt grekë, nuk dihen përplasjeje të mëdha të armatosura mes këtyre popullsive. Vetëm në mesin e SHekullit XIV, kur Perandoria Bizantine ishte në rënie, u zhvillua lufta për zotërimin e Despotatit të Epirit. Në betejën e Achelous, në vitin 1359, ushtria e sundimtarit të Epirit, Nikephoros, u shkatërrua nga shqiptarët, duke rezultuar në një fitore shqiptare. Si përfundim, në këtë kohë, Epiri ra nën sundimin e shqiptarëve [Fine, John V. A. Jr. (1994). The Late Medieval Balkans: A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest. University of Michigan. ISBN 0-472-08260-4].

  1. Greqia, pas formimit të shtetit të pavarur grek, përpunoi idenë irredentiste të Greqisë së Madhe.

Në mars të vitit 1821 grekët filluan luftën e pavarësisë kundër perandorisë osmane dhe formuan shtetin e pavarur grek në vitin 1829. Grekët në këtë luftë u ndihmuan nga fuqitë e mëdha evropiane të asaj kohe, Mbretëria Britanike, Mbretëria e Francës dhe Perandoria Ruse. Shteti i pavarur i Greqisë u deklarua më 3 shkurt 1830, pasi Protokolli i Londrës e njohu Greqinë si shtet të pavarur. Popullsia e shtetit të pavarur grek, të sapoformuar, ishte 750000 banorë dhe kufiri verior i Greqisë shtrihej nga jugu i Artës, në perëndim, në jug të Volos në anën lindore. Sipas disa studiuesve, arvanitasit (shqiptarët) përbënin 30-40% të popullsisë në shtetin e sapoformuar grek (M. Eftimiou, 2015).

 Arvanitasit luftuan së bashku me grekët dhe luajtën një rol të rëndësishëm në luftën për çlirimin e Greqisë nga Perandoria Osmane dhe në formimin e shtetit të pavarur grek. Në luftën për çlirimin e Greqisë nga osmanët morën pjesë jo vetëm arvanitas por edhe shqiptarë të Epirit si çamët apo suliotët, të cilët nuk ishin pjesë e shtetit të pavarur grek. Disa arvanitas (shqiptarë) u bënë drejtusë të rëndësishëm dhe heronj te kësaj lufte megjithëse ata nuk e flisnin mirë gjuhën greke. Disa prej tyre u vranë në luftë dhe disa arritën të bëhen edhe kryeministra e presidentë të shtetit të ri grek. Sipas referencave historike, gjatë kryengritjes greke të vitit 1821, rreth 90% e heronjve të shquar ishin arvanitas. Ndër ta mund të përmënden Gjergj Kondurioti (greqisht: Georgios Kountouriotis), Andrea Voko (greqisht: Andreas Vokos) i njohur më mirë me pseudonimin e tij Miaoulis, Kiço Xhavella (greqisht:Kitsos Tzavelas), Andon Kryeziu (greqisht: Antonios Kriezis), Marko Boçari (greqisht: Markos Botsaris), Odise Andruco (greqisht: Odysseas Androutsos), Laskarina Pinotsi, e njohur zakonisht si Bouboulina, Haxhimihal Daliani (greqisht: Hatzimichalis Dalianis) etj.

Megjithatë, pas shpalljes së shtetit të pavarur grek, propoganda zyrtare greke dhe kisha greke janë përpjekur ta përmëndin sa më pak, ose ta fshehin, origjinën dhe përkatësinë etnike të këtyre heronjve arvanitas (shqiptarë). Si duket, grupime të fuqishme greke në pushtet nuk donin ta pranonin publikisht se ata ishin çliruar nga zgjedha turke falë edhe trimërisë dhe sakrificave të shqiptarëve, të cilët ishin pakicë në Greqinë e asaj kohe.

Për këtë qëllim, me helozhe, me grada gjeneralësh dhe me poste zyrtare ata i bënë disa nga këta personalitete arvanitas që të mos deklaronin publikisht origjinën e tyre shqiptare. Me politikën e tyre raciste, të kamufluar nën devizën “një shtet, një fe, një gjuhë, një kulturë”, qarqet nacionaliste greke, të mbështetura edhe nga grupet filohelene në qeveritë europiane, filluan të shtypin të drejtat e popullatës shqiptare dhe minoriteteve të tjera të cilët u përfshinë në shtetin e sapokrijuar grek.

Qysh atëhere arvanitasit që flisnin gjuhën e tyre amtare shqipe (arvanitika), ose e deklaronin hapur origjinën e tyre, nuk shiheshin me sy të mirë nga shteti dhe kisha greke. “I gjithë ky presion psikologjik zyrtar dhe social”, shkruan Aristidh Kola në librin e tij Arvanitasit dhe origjina e grekëve, “detyroi prindërit tanë që të na ndalonin neve (fëmijëve arvanitas) të flisnim arvanitikën jashtë shtëpisë”.

Qysh në dekadën e parë të shtetit të pavarur grek, qarqet nacionaliste greke e ngritën aspiratën e tyre për zgjerim, në dëm të fqinjëve, në ideologji zyrtare. Ata shpalosën konceptin e tyre të Megali-Ideas, në vitin 1844, me iniciativën e kryeministrit të atëhershëm grek, I. Kolettis [Clogg, Richard (20 qershor 2002). Një histori koncize e Greqisë. Cambridge University Press]. Megali-Idea ishte një koncept nacional-shovinist që synonte të krijonte një “Greqi të Madhe” e cila do të përfshinte territoret dhe popullsinë e ish-Perandorisë Bizantine që ishte ende nën sundimin e Perandorisë Osmane: si Ballkanin Jugor ashtu edhe Anadollin. Natyrisht, pjesë e këtij projekti shovinist ishte edhe aneksimi nga Greqia i territoreve të banuara me shqiptarë në Epirin Verior dhe Shqipërinë e Jugut.

Ideja e një “Greqie të Madhe” u mbështet edhe nga fuqitë e mëdha europiane të asaj kohe, kryesisht Perandoria Ruse si dhe Anglia e Franca, qëllimi i të cilave ishte zvogëlimi i shtrirjes dhe fuqisë së Perandorisë Osmane. Greqia, me mbështetjen e këtyre fuqive, filloi të materializojë idenë e “Greqisë së Madhe” pas disfatës së Turqisë në Luftën Ruso-Turke të viteve 1877-78. Edhe pse Greqia nuk fitoi territore në Kongresin e Berlinit, i cili rishikoi kufijtë e shteteve ballkanike pas kësaj lufte, ajo u shpërblye nga fuqitë e mëdha në Konferencën e Kostandinopojës në maj 1881. Fuqitë e Mëdha dhe Perandoria Osmane nënshkruan një traktat i cili finalizoi kufirin e ri greko-turk, duke çuar në përfshirjen e pjesës më të madhe të Thesalisë dhe të zonës përreth Artës në territorin e Greqisë.

 

Në Luftën Ballkanike që filloi nën nxitjen dhe inkurajimin e Rusisë cariste, 8 tetor 1912 – 10 gusht 1913, Greqia vazhdoi politikën e saj shoviniste ndaj fqinjëve. Si rezultat ajo  pothuajse dyfishoi territorin e saj me zonat e populluara kryesisht nga popullsi jo greke (shqiptarë, bullgarë, turq e të tjerë).

Harta e mësipërme tregon zgjerimin territorial të Greqisë nga viti 1832 në 1947 (Wikipedia).

Në fund të vitit 1912, pas luftës ballkanike, perandoria osmane u rrënua dhe fuqitë e mëdha europiane, nën presionin e Rusisë cariste për të shtrirë territoret e shteteve sllave dhe ortodokse në Ballkan, bënë copëtimin e kombit shqiptar. Këto fuqi imperialiste, me vendimin e tyre në konferencën e Londrës në gusht 1913, megjithëse pranuan pavarësinë e Shqipërisë, gjysmën e popullsisë shqiptare e lanë jashtë kufijve të shtetit shqiptar të sapo themeluar. Kështu, një pjesë e shqiptarëve të Shqipërisë së Jugut, nga Kosturi deri në Janinë dhe në Prevezë (pjesë të Vilajetit të Janinës), rreth 100000 banorë, mbetën brënda kufirit të shtetit grek.

Shqiptarët kundërshtuan me forcë Traktatin e Londrës (1913) dhe luftuan me të gjitha forcat për të mbrojtur territoret e tyre. Megjithatë, të lodhur dhe të dobësuar në një luftë 30-vjeçare për pavarësi kundër Turqisë, ata nuk mund t’i shpëtojnë tokat e tyre prej aneksimit nga vëndet shoviniste fqinjë.

Harta e mësipërme tregon shtrirjen e popullsisë etnike shqiptare (ngjyra e kuqe) në vitin 1912.

  1. Ushtria dhe paraushtarakët grekë, në bashkëpunim me qarqet nacionaliste greke, kryen krime çnjerëzore në Shqipërinë e Jugut në mbarim të luftës ballkanike.

Ushtria greke, në zbatim te idesë shoveniste për aneksimin e territoreve shqiptare, në Mars të vitit 1913 pushtoi rajonet jugore te shtetit te saposhpallur shqiptar (rajonin e Korçës, Përmetit, Sarandës dhe Gjirokastrës). Në këto rajone ushtarakët grekë, sëbashku me përfaqësusit e kishës greke, përdorën metoda antinjerëzore, si presion psikollogjik, vrasje dhe persekutime për të detyruar banorët, sidomos ata të fese myslimane, që të deklaroheshin si grekë etnikë. Megjithatë, popullata e krahinave në fjalë nuk u përkul nga presioni grek dhe nuk pranoi te vetëdeklarohej si etni greke. Në një nga gazetat e asaj kohe populli i rajonit të Përmetit deklaronte: “Sot te gjithe shqiptarët e Përmetit, myslimanë e të krishterë (përveç 4-5 grekomanëve) janë bashkuar me një mendim dhe protestojnë kundër sundimtarëve grekë” (S.Adhami, Përmeti dhe Përmetarët në Faqet e Historisë, Tiranë, 2001).

Të detyruar nga presioni dhe vendimet e Konferencës së Londrës, e cila e njohi Shqipërinë si shtet i pavarur, ushtria e rregullt greke u largua nga territori shqiptar. Sidoqoftë grekët nuk hoqën dorë nga ideja e tyre irredentiste, ata përdoren një plan të kamufluar për të arritur qëllimin e tyre ekspansionist në Shqipëri. Shteti grek mbështeti në mbrapaskenë, krijimin e “Republikës Autonome të Epirit Verior (greqisht: Voreíou Ipeírou)” do të përfshinte në përbërje te tij krahinat shqiptare të Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Himarës. Ky shtet “autonom” fantazmë, u shpall nga një ish- ministër i jashtëm i Greqisë, J. Zografi (greqisht: G. Zografos), më 2 Mars 1914. Per ironi, “patrioti grek” Zografi, ishte një “grek” me prindër shqiptarë nga rajoni i Gjirokastrës. Megjithatë, shumica e popullatës se krahinave në fjalë duke e kuptuar që kjo ishte një ide e shovenistëve grekë, e injoroi “shtetin autonom të Epirit Verior” dhe nuk e mbështetën këtë ide. Të zëmëruar nga reagimi patriotik i popullatës shqiptare, dhe duke përfituar nga pamundësia e shtetit te sapoformuar shqipëtar për të mbrojtur territoret e veta, qarqet shoveniste greke vendosën të përdorin forcën për të realizuar idenë e tyre aneksioniste. Këto qarqe dërguan në SHqipëri paramilitarë dhe kriminelë grekë të liruar nga burgjet, nën drejtimin e officerëve rezervistë grekë, për të detyruar popullatën shqiptare që të pranonte shtetin e Epirit Verior dhe bashkimin me Greqinë.

Keto forca te zeza shoveniste greke u sulën me zjarr e me hekur dhe kryen krime të përbindëshme mbi popullsinë e pambrojtur, vecanërisht mbi popullsinë me fe myslimane. Lidhur me këto masakra në raportin e Komisionit Ndërkombëtar në Shqipëri dhe Kryqit te Kuq Ndërkombëtar (Gjenevë, 1914) thuhet:Zona ku jane kryer masakrat greke kundrejt popullatës shqiptare ka një shtrirje rreth 3500 km2. Fshatra të djegura 192. Shtëpi të shkaterruara 6831. Njerëz të vrarë 4760. Njerëz të detyruar të largohen nga vëndbanimet 42946, prej te cilëve te vdekur nga kushtet e vështira të jetesës 330”.

Sipas statistikave të asaj kohe forcat greke vetëm në rrethin e Përmetit dëmtuan 46 fshatra, dogjën 1234 shtëpi dhe vranë me dhjetra banorë të pafajshëm, kryesisht në krahinat e Dangllisë dhe të Dëshnicës. Historiani Stilian Adhami në librin e tij “Përmeti dhe Përmetarët në Faqet e Historisë” (Tiranë, 2001) sjell pjesë të shkruara nga një dëshmitar i atyre ngjarjeve makabre, Kosta P. Tomorri. Në kronikën e tij “Barbaritë Greke në Shqiperi”, 1914, Kosta P. Tomorri shkruante: “Bandat e andartëve (paramilitarëve) grekë, me urën e zjarrit dhe me thikë në dorë, dogjën c’gjetën përpara, sidomos në fshatrat myslimanë. Ata masakruan me llahtari burrat, gratë, fëmijët dhe pleqtë që u kapën në fshatra. Shumë vajza dhe nuse u c’nderuan me dhunë. Në fshatrat e Kuqarit dhe Pacomitit andartët vranë me thika 75 burra te përroi i Kosinës.”  Për ti shpëtuar terrorit të andartëve grekë me mijëra banorë u larguan nga shtëpitë e tyre, duke lënë mbrapa pasurinë dhe gjënë e gjallë, drejt zonave të papushtuara në rrethinat e qytetit të Vlorës. Aty ata banuan në kushte te vështira pothuajse për dy vjet, në cadra dhe kasolle të përkohëshme. Shumë nga këta njerëz te cvendosur humbën jetën nga sëmundjet dhe ushqimi i pamjaftueshëm që patën në vëndbanimin e përkohshëm në Vlorë. Familja e gjyshit tim, Sulejman H. Fezga, e vuajti mbi kurriz këtë kalvar mundimesh e fatkeqësish të shkakëtuar nga mizoritë e grekëve. Stërgjyshja ime, në moshë pleqërie dhe e verbër, vdiq rrugës duke shkuar për në Vlorë. Gjithashtu, vëllai i gjyshit tim e disa bashkëfshatarë të tij vdiqën nga sëmundjet infektive gjatë kohës që ata ishin në këto kampe banimi të përkohëshme.

Po kështu, më 29 Prill 1914, trupat paraushtarake greke masakruan 230 burra dhe djem nga fshati Hormovë (rrethi i Tepelenës) brënda ambienteve të manastirit të Shën Mërisë në fshatin fqinj Kodra (Mit’hat. Frashëri: The Epirus Question – the Martyrdom of a People,1915.; Christo Dako: Terrible Greek Atrocities in the District of Kortcha. Report sent to Aubrey Herbert, head of the Albanian Committee in London, on May 21st,1914). Në të njëjtën mënyrë, në fshatin shqiptar të Panaritit (rrethi i Korçës), forcat shoviniste greke (përfshirë paraushtarakët dhe ushtrinë e rregullt) masakruan 374 civilë të pafajshëm, nga 4-10 korrik 1914. Pas kësaj masakre, një pjesë e fshatarëve që i shpëtuan masakrës u shpërngulën si refugjatë në rrethin e Mallakastër dhe Vlorës ku 76 prej tyre mbetën të vdekur për shkak të kushteve të vështira dhe zisë së bukës (Korçë County Press Office, July 2014).Mizoritë dhe masakrat e kryera nga forcat greke, në ato vite, lanë gjurmë të thella tmerri dhe urrejtjeje në psiqikën e popullsisë së trevave të Shqipërisë së Jugut. Portreti i një greku, në mëndjet e brezit të gjyshërve dhe prindërve të mi, ishte një njeri mizor dhe i pashpirt. Në rastet kur ata donin të shanin ndonjë person apo bashkëfshatar që ishte brutal dhe problematik, ofendimi ishte: “ik tutje, je i poshtër dhe mizor si një grek”.Nën presionin e forcave të pakta europiane dhe të ushtrisë së sapoformuar shqiptare, forcat paraushtarake greke u larguan nga territori shqiptar në vjeshtën e vitit 1914. Pas tyre, këto forca barbare lanë të gjithë zonën e Shqipërisë së Jugut të shkretuar; me shtëpi të djegura, fusha të pambjella dhe blegtori pothuajse të zhdukur. Ndërkohë, lufta e parë botërore kishte filluar dhe Shqipëria e Jugut u pushtua sërish nga ushtria e rregullt greke nga Tetori i vitit 1914 deri në Tetor të1916-ës. Ushtria greke vazhdoi të terrorizonte popullsinë shqiptare gjatë dy viteve që ata qëndruan në Shqipëri, derisa u largua nga këto territore të cilat u lanë nën qeverisjen e ushtrisë italiane që ishte pjesë e koalicionit të Antantës.

  1. Pas Luftës së Parë Botërore, Greqia e njohi zyrtarisht Shqipërinë por kurrë nuk e abandonoi planin e saj ekspansionist për “Epirin Verior”.

Vija kufitare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, e vendosur nga fuqitë e mëdha europiane në Konferencën e Londrës në gusht 1913, nuk merrte parasysh shpërndarjen etnike të popullsisë në rajonin e Epirit. Kështu, pjesë të rajonit të Epirit të Jugut, ku shumica e banorëve ishin shqiptarë etnikë, nga Kosturi në Prevezë (vilajeti i Janinës në atë kohë), rreth 100000 banorë, u lanë brenda kufijve të shtetit grek. Njëkohësisht duhet thënë se brënda kufirit shqiptar mbeti edhe minoriteti grek i zonës së Dropullit dhe Vurgut (ish vilajeti i Janinës), rreth 20000 banorë.

Qeveria shqiptare, me hyrjen e vëndit në Lidhjen e Kombeve (Tetor 1921), mori angazhimin për të respektuar të drejtat sociale, arsimore e fetare të çdo pakice kombëtare. Diskutime u bënë në lidhje me madhësinë e minoritetit grek, ku qeveria shqiptare pretendonte se ishin 16000 minoritarë kurse Lidhja e Kombeve vlerësonte të ishin më shumë se 20000. Qysh atëhere një zonë e kufizuar në rrethet e Gjirokastrës (Dropulli) dhe Sarandës (Vurgu) u njoh si zona minoritare greke. Shteti shqiptar e ka njohur zyrtarisht minoritetin grek gjatë gjithë kohës, e ka pajisur me shkolla publike në gjuhën greke, nga klasa e parë deri në klasën e 8-të, dhe e ka lejuar këtë minoritet të përdorë lirisht gjuhën e tij amtare.

Përkundrazi, qëndrimi i shtetit grek ndaj shqiptarëve që mbetën brënda kufijve grekë ka qënë në kundërshtim me kartën e Lidhjes së Kombeve (sot OKB) dhe atë të të drejtave të njeriut. Nga viti 1913 e deri më sot, qeveritë greke (të ndihmuara edhe nga kisha greke) kanë ushtruar presion të gjithanshëm mbi popullsinë shqiptare të këtyre zonave për të mohuar përkatësinë etnike dhe gjuhën e tyre. Shteti grek nuk e ka lejuar asnjëherë këtë minoritet shqiptar të përdorë zyrtarisht gjuhën amtare dhe as të hapë shkolla në Gjuhën Shqipe. Edhe më tej, për të rritur numrin artificial të popullsisë greke në rajonin e Epirit, në Greqi, qeveritë greke regjistrojnë të gjithë shqiptarët etnikë ortodoksë si grekë etnikë.

Lidhur me këtë politikë të spastrimit etnik që përdorte qeveria greke Mit’hat Frashëri, ambasador i qeverisë shqiptare në Athinë, në 1923, shkruante: “Shqiptarët myslimanë në Greqi ishin më 1922 afro 100000 frymë. Prej këtyre 35000 frymë u përzunë nga të dy prefekturat e Kosturit dhe Follorinës dhe gati 20000 nga Janina, Preveza e Parga. Ata jane përzënë kundër vullnetit të tyre, shpesh herë me premtime, shtërngime të zyrtarëve grekë (gjindarmë ose myftinj) ose më keq akoma, me dru dhe shkop të gjindarmit” [Mit’hat Frashëri, Letër ministrit te Jashtëm, Athinë, 20 Nëntor, 1923.]. Për më tepër, në vazhdim të politikës greke të spastrimit etnik, në vitet 1944-1945, forcat e djathta të Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (EDES) që bashkëpunuan me ushtrinë naziste, dëbuan 30000 shqiptarë myslimanë nga krahina e Çamërisë (ish Sanxhaku Prevezës) nga trojet e tyre. Shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre u detyruan të migrojnë në shtetin shqiptar. Shteti grek i ndaloi këta shqiptarë etnikë të ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe për më keq, në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare për pronën dhe të drejtat e njeriut, qeveria greke sekuestroi tokat dhe pronat e tyre.

  1. Edhe pas Luftës së Dytë Botërore (L2B) qëndrimi i shtetit grek ndaj SHqipërisë ka qënë një qëndrim jomiqësor.

Pas L2B në SHqipëri erdhën në fuqi forcat antifashiste të udhëhequra nga Partia Komuniste e SHqipërisë (PKSH) dhe SHqipëria ishte pjesë e blokut politik te lindjes. Në Greqi, pas përfundimit të luftës civile midis forcave të majta dhe të djathta, qeverinë e mori krahu i djathtë dhe Greqia u bë pjesë e bllokut politik perëndimor.

Qeveria e re demokratike e shqiptare deklaroi se respektonte sovranitetin e shteteve fqinjë, dëshironte paqen në Ballkan dhe abrogoi gjithë aktet e marrëveshjet e qeverive kuislinge shqiptare, të cilat qeverisën vëndin gjatë luftës.

Në të kundërt, qeveria Greke mbajti në fuqi ligjin e gjëndjes së luftës me SHqipërinë, i cili ishte shpallur nga Greqia kur forcat fashiste italiane sulmuan Greqinë nga territori shqiptar në Tetor 1940. Po kështu, qeveria greke e kësaj kohe dhe qarqet extremiste nacionaliste greke akoma mbanin në axhendën e tyre pretendimin arkaik per te aneksuar rajonet e SHqipërisë Jugore. Këto pretendime absurde kryeministri Grek, K. Tsaldaris, i deklaroi paturpësisht edhe në Konferencën e Paqes që u mbajt në Paris në Gusht 1946.

Delegacioni shqiptar, në këtë konferencë, i hodhi poshtë me argumenta dhe me vendosmëri pretendimet absurde të qeverisë Greke. Ne lidhje me këtë ngjarje në dokumentat e delegacionit amerikan në këtë konferencë shkruhet: “Gjeneral Enver Hoxha, President i Shqipërisë, deklaroi se Shqipëria nuk ka qënë në luftë me Greqinë e as fajtore për agresion ndaj Greqisë. Populli shqiptar ka luftuar përkrah popullit grek kundër armiqve të Boshtit dhe kundër kuislingëve shqiptarë dhe grekë. Ai denoncoi pretendimet greke për SHqipërinë e Jugut dhe planet e M. Tsaldaris për copëtimin e SHqipërisë; ai i deklaroi kufijtë e tanishëm të SHqipërisë si të shënjtë dhe të pacënueshëm” (Paris Peace Conference, United States Delegation Journal, August 21, 1946). Përfundimisht Konferenca e Paqes nuk i mori në konsideratë pretendimet greke dhe që nga ajo kohë, legalisht, pretendimet Greke për këtë cështje u quajtën të papranushme.

Megjithatë, për fat të keq, qarqet nacionaliste dhe autoritetet greke nuk hoqën dorë nga “ëndërra” e tyre e Epirit të Veriut. Pas një sërë provokimesh sporadike ndaj SHqipërisë, më 2 Gusht 1949, Greqia sulmoi me forca të armatosura shtetin sovran shqiptar, në kufirin jugëlindor të tij. Sipas dokumentave të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë sulmi i ushtrisë greke, ku u përdorën tanket dhe avionë bombarduesë, u përqëndrua në rajonin e Devollit (në fshatrat Vidohovë dhe Bozhigrad). Forcat e mbrojtjes së Republikës Popullore të SHqipërisë ju përgjigjën me vendosmëri dhe ashpërsi sulmit të formacioneve ushtarake greke dhe nuk i lejuan ata te futen në brëndësi të territorit shqiptar. Sidoqoftë, luftimet vazhduan me ashpërsi nga data 2 gusht 1949 deri më 29 Gusht 1949. Duke parë mbrojtjen e vendosur te forcave shqiptare, dhe humbjet e konsiderushme në njerëz që pësoi gjatë një muaji luftimi, qeveria greke i tërhoqi trupat e saj nga kufiri dhe i ndërpreu operacionet ushtarake kundër SHqipërisë.

Edhe pas dështimit të kesaj aventure të turpshme ushtarake shteti grek vazhdoi te mbante marëdhënie të tensionuara me SHqipërinë dhe nuk e shihte me sy të mirë fuqizimin ekonomiko-ushtarak të shtetit shqiptar. Në vitet 1949-1954 Greqia përkrahu dhe përgatiti operacione të bandave te fshehta terroriste (bandat e diversantëve) për të shkakëtuar turbullira politike dhe akte sabotazhi në SHqipëri. Në këtë periudhë, shërbimet sekrete Amerikane dhe Angleze (CIA and SIS, ose MI6), në zbatim te operacionit sekret “Valuable”, sëbashku me shërbimet Greke, rekrutuan me qindra ish-kolaboracionistë të fashizmit që kishin ikur nga Shqipëria, dhe i stërvitën ata ushtarakisht në kampet sekrete në Greqi (po kështu bënë edhe në Jugosllavi e Itali).

Në shkelje flagrante të ligjeve të marëdhënieve ndërkombëtare në kohë paqeje, këta terroristë, të financuar e armatosur nga CIA, SIS (MI6), shërbimet sekrete Greke, Italiane dhe Jugosllave, futeshin fshehtazi në teritorin shqiptar dhe kryenin akte sabotazhi e vrasje, për të mbjellë terror e për të destabilizuar shtetin komunist shqiptar. Në lidhje me këtë aktivitet te fshehtë terrorist kundër Republikës Popullore te SHqipërisë (RPSH) studiusi H. Luçi shkruan: “Më 29 dhjetor 1953 në Tiranë u botua komunikata e Ministrisë së Punëve të Brëndëshme (MPB) që njoftonte kapjen e vazhdimin e hetimeve të diversantëve Z. Shehu, H. Matjani, etj., të cilët, sipas udhëzimeve të CIA-s Amerikane, SIS-it të Britanisë së Madhe dhe spiunazheve të tjera, ishin dërguar në vendin tonë për të organizuar një kryengritje të armatosur të reaksionit shqiptar” (Hasan Luçi: Diversantët në SHqipëri dhe Lufta e Ftohtë, Gazeta Telegraf, 30 Gusht, 2018). Në akt-akuzën e hartuar kundër terrorristëve te arrestuar, më 28 Mars 1954, thuhet: “Gjatë hetimeve është deklaruar se i akuzuari H. Matjani, nje nga eksponentët e bandave terroriste, është stërvitur në baza sekrete si ajo e Klifadhi, pranë stacionit Ayios Nicolaos dhe në Katsika në Janinë, Greqi. Instruktorët në këto stërvitje ishin amerikanë dhe grekë, të shërbimeve të spiunazhit, dhe mësimet kishin të bënin me kryerjen e aksioneve kriminale kundër RPSH” (Gazeta Sot: Akuzat ndaj bandës diversante të Z.Shehut, 23 December, 2018).

Kundërzbulimi i shtetit shqiptar dhe forcat e policisë shqiptare vepruan me profesionalizëm dhe vendosmëri ndaj këtyre aksioneve të organizuara terroriste dhe pothuajse te gjitha bandat diversante që u futën në Shqipëri u asgjesuan. Sipas dokumentave shtetërore shqiptare në këtë periudhë u vrane 110 nga terroristët që hynë ilegalisht në territorin shqipëtar dhe u kapën të gjallë rreth 960 të tjerë. Sipas analizave të mëvonshme, Operacioni Valuable ishte një dështim, me 300 agjentë të MI6 dhe CIA të vrarë gjatë kohëzgjatjes së tij (BBC World Service – World Update, The CIA’s Secret Failure in Albania. BBC, 18 August 2016).

Asgjesimi i bandave të diversantëve në SHqipëri solli njëkohësisht edhe dështimin e operacioneve sekrete, te disa vendeve te bllokut politik perëndimor, për të përmbysur me dhunë pushtetin komunist në SHqipëri.

Si pasojë e këtyre veprimeve antishqiptare të autoriteteve greke, megjithë qëndrimin korrekt të qeverisë shqiptare, nga viti 1944 e deri ne fillim te viteve 1970 midis Greqisë dhe SHqipërisë nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Sidoqoftë, nga fundi i viteve 1950 situata filloi të ç’tensionohet dhe të dy vëndet rivendosën marrëdhëniet diplomatike më 6 maj 1971. Nga momenti i rivendosjes së marëdhënieve diplomatike e deri në fund të viteve 1980 marëdhëniet ndërshtetërore midis Shqipërise dhe Greqisë patën një përmirësim të dukshëm.

Në vitin 1991 sistemi totalitar komunist në Shqipëri u rrëzua dhe gjëndja ekonomike e vëndit ishte mjaft e vështirë. Në këto kushte me mijra te rinj e të reja shqiptarë për arësye ekonomike, dhe të tërhequr nga jeta e vëndeve të bllokut perëndimor europian, shkuan si emigrantë kryesisht në Italy dhe në Greqi. Shumica emigranteve ekonomikë që hynë në Greqi ishin pa dokumenta legale (pa viza), ata e kalonin kufirin tokësor midis dy vëndeve në mënyre të paligjëshme. Sipas statistikave të publikuara, në vitin 2001 në Greqi ishin 443550 emigrantë shqiptarë. Shumica e popullit grek dhe autoritetet greke, në përgjithësi, i pritën me njerëzillëk flukset e para të emigrantëve shqiptarë të kësaj kohe. Grekët u dhanë atyre strehim dhe punësim të përkohëshëm dhe i ndihmuan që ata të kalonin sa me lehtë momentet  e vështira të këtij tranzicioni social-ekonomik. Nga ana tjetër emigrantët e parë shqiptarë të viteve 1990 kryen punët më të vështira në Greqi: ata punuan në ndërtim, bujqësi, në shërbim të pensionistëve të moshuar, në sektorët e shërbimit me orë te zgjatura, etj… Me këto punë te vështira emigrantët shqiptarë siguruan mbijetesën e tyre por ndihmuan edhe ekonominë greke të plotësonte mungesën e fuqisë punëtore në këto sektorë me punë të vështirë e pagesa minimale.

7.  Politika Greke ndaj SHqipërisë në 30 vitet e fundit ka qënë një politikë me dy standarte. Edhe pse Greqia dhe Shqipëria kanë marëdhënie diplomatike, shkëmbime ekonomike intensive, ka me mijëra shqiptarë etnikë që punojnë dhe jetojnë ne Greqi, minoritarë grekë që jetojnë në Shqipëri dhe të dy vëndet janë anëtare të blokut të NATO-s; Greqia akoma nuk ka abroguar ligjin absurd të luftës me Shqipërinë, të cilin e ka shpallur qysh para LDB.Po kështu, akoma autoritetet greke nuk kanë kërkuar falje për dëbimin me dhunë të 30000 shqiptarëve myslimanë çamë nga trojet e tyre në Greqi, ne vitin 1945. Në vijim të kësaj çështjeje Greqia nuk pranon të bisedohet për dëmshpërblimin e pasurive të tyre të sekuestruara në mënyrë të paligjëshme nga shteti grek.

Gjithashtu, edhe pse Greqia bën pjesë në Bashkimin Europian, shteti grek edhe sot nuk u bindet konventave për të drejtat e pakicave kombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Po të shohim qëndrimin e Greqisë ndaj emigrantëve shqiptarë, duket se ka patur veprime apo tendenca te cilat kanë treguar se edhe në kohën e tanishme është ç’faqur psikoza greke e mohimit të etnicitetit të shqiptarëve dhe e rivendikimit të “tokave greke” të Epirit te Veriut.

Me presione direkte ose indirekte punëdhënësit dhe segmentet shtetërore greke i kanë detyruar emigrantët shqiptarë që të vetedeklaroheshin si Epirote-Veriorë, dmth “Greko-SHqiptarë”, sepse ndryshe nuk i mernin ne punë. Akoma më keq, që të punësoheshin dhe të mernin lejë pune të përkohëshme ata duhet të kishin emra orthodoksë dhe të mos flisnin shqip në publik. Duke ndjekur këtë ligj, të pashkruajtur zyrtarisht, nuk duhej të figuronte asnjë emigrant shqiptar me emër mysliman në Greqi. Pra, në mënyrë të maskuar, po zbatohej ideja arkaike greke se përkatësia fetare përcakton edhe përkatësinë etnike: sipas mentalitetit grek “shqiptarët me emra orthodoksë janë grekë, nuk janë shqiptarë”.

Në mbështetje të kësaj politike ç’etnitizimi ishte edhe shteti grek. Policia greke i kapte dhe i riatdhesonte ata shqiptarë që nuk kishin emër orthodoks ose nuk vetëdeklaroheshin “Greko-SHqiptarë”. Po kështu zyrat civile greke nuk u jepnin emigrantëve shqiptarë të këtij grupi dokumenta qëndrimi ose dokument identifikimi (DI).

Në vitin 1996 dhe 2003 isha në Athinë (Greqi) për udhëtime pune dhe takova dhe bisedova me disa emigrantë shqiptarë. Ata jetonin dhe punonin atje prej gati 10 vjetësh. Unë vura re se ata nuk donin të dëgjoheshin kur flisnin shqip me ne, sepse kishin frikë se dikush mund t’i spiunonte dhe t’u hiqte lejën e punës dhe të qëndrimit në Greqi. Akoma më keq, më thanë se për të gjetur punë duhej të paraqiteshin me një emër që nuk duhej të ishte shqiptar apo mysliman, përndryshe pronarët grekë nuk do t’i pranonin për punë. Për mua ky ishte skandal, por shoqëria dhe shteti grek nuk vihej ne siklet nga këto shkelje flagrante të të drejtave njerëzore të emigranteve.

Veprimet dhe tendencat e mësipërme të shoqërisë dhe shtetit grek ndaj emigrantëve shqiptarë janë një remineshencë e politikës që ndoqi Greqia 100 vjet përpara për ç’etnizimin dhe asimilimin e pakicave shqiptare të cilat mbetën brënda kufirit grek në vitin 1913. Të njëjtën politikë asimilimi Greqia ndoqi edhe ndaj arvanitasve, shqiptarëve që kanë banuar në Greqi qysh nga mesjeta e herëshme.

 

Herë pas here zyrtarë të lartë grekë dhe disa media greke deklarojnë në forume europiane, dhe kur vinë në SHqipëri, se shteti shqiptar nuk i trajton mirë minoritarët grekë. Në të vërtetë, këto deklarata të grekëve janë thjesht “shashka ose tymuse” për të mbuluar shkeljet që bën shteti grek ndaj të drejtave të emigrantëve. Realisht minoriteti grek në Shqipëri gëzon të gjitha të drejtat që i takojnë në përputhje me kushtetutën shqiptare dhe po ashtu në akord të plotë me konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e minoriteteve. Shteti shqiptar i ka siguruar minoritetit grek shkolla publike në gjuhën greke, nga klasa e parë deri në klasën e 8-të dhe e lejon këtë minoritet të përdorë lirisht gjuhën e tij amtare. Unë kam pasur shokë të mirë minoritarë grekë si në gjimnaz, në universitet edhe kur punoja për kompaninë shtetërore të naftës (Albpetrol) në Shqipëri. Minoritarët, trajtoheshin (dhe trajtohen) njëlloj si ne shqiptarët dhe e ndjenin veten po njëlloj si ne.

Përkundrazi, qëndrimi i shtetit grek ndaj pakicave shqiptare dhe emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk ka qënë asnjëherë në përputhje me konventat ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Europian. Siç e përmëndëm edhe në paragrafët e mëparshëm të këtij shkrimi, Greqia kurrë nuk ka njohur shqiptarët si minoritet në Greqi. Edhe pse në Greqi ka patur me qindra mijë arvanitas dhe me qindra mijë shqiptarë emigrantë, pas vitit 1991, shteti grek nuk ka hapur dhe nuk ka lejuar deri tani të hapen shkolla publike ku fëmijët e shqiptarëve te mësojnë gjuhën e tyre amtare.

Për më tepër, shpesh herë në mënyrë jo të ndershme, qeveritë greke i kanë përdorur emigrantët ekonomikë për tu bërë presion qeverive shqiptare. Kështu ka ndodhur kur pala greke kërkonte të impononte kërkesat e saj gjatë diskutimeve mbi pakicat kombëtare, kur donte të favorizonte ndonjë kandidat të preferuar të tyre në zonën minoritare gjatë zgjedhjeve, apo në rastet e mosmarrëveshjeve të ndryshme diplomatike. Në këto raste shteti grek në mënyre masive dëbonte me qindra emigrantë shqiptarë të cilët ishin të punësuar në Greqi. Një nga këto dëbime apo “fshesa emigrantësh” përmëndet në shtypin shqiptar jo me larg se para 3 vjetësh: “Pas tensioneve mes Greqisë dhe Shqipërisë për Himarën dhe Çështjen Çame, hakmarrja e Athinës nuk ka vonuar, autoritet greke kanë kthyer në Shqipëri 100 shqiptarë të cilët deklarojnë se kanë patur vizë të rregullt për qëndrim në Greqi. Në fakt kthimi i shqiptarëve në kufi nga pala greke nuk është një fenomen i rrallë. Kujtojmë se më herët argumenti “klasik” që përdorte pala greke ka qënë prishja e kompjutërve e cila ka fiksuar në memorie rradhët kilometrike të emigrantëve shqiptarë që prisnin me orë të të tëra për të kaluar në tokën helene. Ndërkohë operacionet “fshesa” të policisë greke njihen më së shumti gjatë viteve 1990-2005, kur për çdo tension diplomatik Tiranë-Athinë, autoritet helene dëbonin (nga Greqia) mijëra emigrantë shqipëtarë (Gazeta “Koha Jonë”, 4 Maj, 2021).

Eshtë për të ardhur keq, se edhe pse Greqia është një vënd anëtar i BE-së dhe predikon se respekton sistemin e pavarur të drejtësisë, shpeshherë ka ndërhyrë brutalisht në sistemin gjyqësor shqiptar për të mbrojtur gjykimin e çdo personi të preferuar nga qarqet politike greke. Rasti më i freskët ndodhi në maj të vitit 2023 kur ish-kandidati për kryetar bashkie në Bashkinë e Himarës në SHqipëri, F. Beleri, u dënua për veprën penale të blerjes së votës. Ky person, me nënshtetësi shqiptare dhe greke, është mbështetur nga qarqet e ekstremit të djathtë grek dhe nga partia politike e kryeministrit aktual grek, K. Mitsotakis, gjatë fushatës elektorale në Bashkinë e Himarës. Kandidati F. Beleri u kap në flagrancë nga policia shqiptare duke u dhënë para zgjedhësve për ta votuar dhe u arrestua për krim elektoral sipas ligjit shqiptar.

Nga ky moment filloi ndërhyrja brutale e Greqisë në sistemin e drejtësisë shqiptare dhe doli në dritë mentaliteti arkaik e antidemokratik i disa politikanëve dhe disa mediave greke. Në vend që të respektoheshin procedurat dhe vendimet e sistemit gjyqësor të një vendi të pavarur, në këtë rast Greqia filloi një fushatë të ashpër presioni ndaj sistemit gjyqësor shqiptar dhe qeverisë shqiptare. Pretendimi grek ishte se drejtësia shqiptare po shkelte të drejtat e minoritetit grek duke dënuar kandidatin F. Beleri, shtetas grek. Gjatë procesit të gjykimit të kësaj çështjeje, për t’i bërë presion qeverisë shqiptare, kryeministri aktual grek, K. Mitsotakis, në disa deklarata la të kuptohej se rruga e Shqipërisë drejt BE-së varet nga vota e Greqisë (Alice Taylor-Braçe: Euractiv.com, May 15, 2023).

Sidoqoftë drejtësia shqiptare nuk u tremb nga ndërhyrjet dhe propaganda greke. Kështu, gjykata e shpalli fajtor kandidatin F. Beleri për “krim elektoral” dhe e dënoi me 2 vite burg. Ky vendim u tregoi mediave dhe politikanëve grekë se sistemi gjyqësor shqiptar është i pavarur dhe bën punën e tij.

Momentet dhe ngjarjet e përmëndura në këtë shkrim përbëjnë një shikim të shpejtë të historisë së disa konflikteve dhe incidenteve që kanë ndodhur, sidomos në këto 120 vitet e fundit, në marëdhëniet Shqipëri-Greqi. Eshtë e vërtetë se disa nga këto konflikte kanë lënë gjurmë të hidhura në memorien e shqiptarëve. Këto gjurmë të hidhura historie shpjegojnë arësyen e zëmërimit që shprehin edhe sot shumica e shqiptarëve veçanërisht ndaj grupeve nacional-extremiste greke dhe politikanëve extremistë grekë.

Megjithatë duket sikur në vitet e fundit marëdhëniet midis të dy vëndeve janë në nivel më të mirë në planin ekonomik dhe atë diplomatic. Një rol të rëndësishëm në këtë përmirësim ka sjellë bashkëpunimi intensiv i Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe stabilizimi ekonomik i emigrantëve shqiptarë në Greqi. Qëndrimi i shtetit grek dhe opinioni i popullit grek ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët aktualisht përbëjnë një përqindje të konsiderushme të shoqërisë greke, duket se është bërë me realist dhe më respektues.