Prej më shumë se 3 dekadash, Kastriot Aliko, mësues nga Erseka ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm për arsimin. Çdo ditë ai ecën në këmbë për më shumë se 4 orë, duke përshkuar një distancë prej 20 kilometrash për të shkuar në shkollën e fshatit Vodicë, aty ku ka mbetur vetëm një nxënës, i cili është me aftësi ndryshe.
“Kam 35 vite që ushtroj profesionin e mësuesit në fshatit Vodicë me një nxënës. Unë çdo mëngjes eci afro një orë e gjysmë, kur është koha e keqe dy orë. Kur kthehem vështirësia është më e madhe pasi rruga nga destinacioni është 7 km, 7 të kthehesh, plus 3 km në rrugë nacionale”, thotë Aliko.
Pavarësisht vështirësive të rrugës, kohës së keqe dhe shpopullimit të fshatit mësues Kastrioti nuk ka hequr dorë, pasi lidhja me nxënësin e tij të vetëm është tejet e veçantë.
“Shume e vështirë, përherë në këmbë, shi, dëborë, acar me duhet te eci e të mbërrij në ai fëmijë. Me shtyn profesioni im, ai fëmijë që është i dashur, sapo mbërrij në shkollë me përqafon. Vodica është fshat rreth 30 familje sepse është shpopulluar”, tregon ai.
Deri sa mosha e forcat ta lejojnë, mësuesi Kastrioti do vazhdojë përkushtimin e mësimdhënies. Me të njëjtin mesazh u drejtohet dhe të rinjve që duan të jenë mësues.
“Patjetër, unë do punoj me përkushtim. Nuk jam i lodhur. Nuk e kam problem. Mesazhi im për gjithë mësuesit e rinj është të kenë pasion, profesioni i mësuesit është i bukur dhe duhet të jenë misionarë”, shprehet mësuesi.
Kastriot Aliko është shembull frymëzimi dhe një thirrje për vëmendje ndaj zonave rurale të lëna pas dore, ku jo vetëm mësimi është një sfidë. Edhe kur aty ndodhet një fëmijë i vetëm, ai meriton të arsimohet e mësues si Kastrioti janë sakrificat e gjalla që duhen vlerësuar.