Shtrëngime duarsh dhe momente të pakënshme u panë nga takimi i udhëheqësit sirian, Al-Sara, i cili njihet si Abu Mohammed al-Jolani, me zyrtarët evropianë në Siri që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad.

Al-Sara mirëpriti ministrin e Jashtëm gjerman dhe homologun e saj francez Jean-Noel Barot në vizitën e parë të zyrtarëve evropianë në Siri. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock kishte veshur një jelek antiplumb ndërsa mbërriti për një vizitë në kryeqytetin e Sirisë, Damask.

Në videot të cilat po bëjnë xhiron e rrjetit, Al -Sara shihet teksa shtrëngoi dorën me Barot, por nuk bëri të njëjtën gjë me Analena Burbok, të cilën e përshëndeti me kokë. Kjo pasi ai vetë nuk shtrëngon duart me gratë për arsye parimore, gjë që kujton nevojën për të siguruar dhe mbrojtur të drejtat e grave, por edhe të pakicave nga regjimi i ri.

Analena Burbok u përshëndet pa një shtrëngim duarsh edhe nga zyrtarë qeveritarë de fakto, të cilët vendosën një dorë mbi zemër, duke provokuar gjithashtu komente për mënyrën se si sunduesit aktualë të vendit sillen me gratë. Megjithatë, pritja e përgjithshme e dy ministrave konsiderohet miqësore.

Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Gjermanisë kanë thënë se duan një marrëdhënie të re me Sirinë dhe një tranzicion paqësor e gjithëpërfshirës gjatë vizitës së nivelit më të lartë perëndimor në Damask që nga rënia e regjimit të Bashar al-Asad muajin e kaluar. Udhëtimi kishte për qëllim të tregonte hapjen evropiane ndaj njohjes së rebelëve islamikë, të udhëhequr nga Hayat Tahrir al-Sham (HTS), duke kërkuar gjithashtu pajtim, moderim, përfshirje dhe respekt për të drejtat e pakicave të Sirisë.