Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor i përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm Znj. Vlima Tomço dhe Universtiteti i Tiranës përfaqësuar nga Rektori Z.Artan Hoxha, kanë lidhur ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë.

Marrëveshja konsiston në disa pika kyçe si:

– Identifikimin, nxitjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin në projekte me interes të përbashkët, në fushën e gjeoinformacionit, teknologjisë së informacionit, promovimit dhe marketingut të produkteve.
– Bashkëpunimin për aplikimin dhe zabtimin e projekteve të përbashkëta shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, organizmin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve etj..
– Nxitjen, mbështetjen, dhe realizimin e veprimtarive të përbashkëta në fushëne arsmit, trajnimit dhe kërkimit shkencor.

Kjo marrëveshje parashikon edhe krijimin e hapësirave për praktika profesionale dhe mësimore për studentët.

Në fjalën e saj, Drejtoresha e Përgjithshme Znj. Tomço theksoi se ky është rezultat i një punë 1-vjeçare së bashku me Fakultetin e Gjeografisë, që solli edhe momentin e përshtatshëm për të forcuar dhe zhvilluar këtë bashkëpunim. Ajo vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi për të gjithë studentët e UT, e jo vetëm për ata të Fakultetit të Gjeografisë, por duke përfshirë këtu edhe Fakultetin Ekonomik, atë të Shkencave të Natyrës, etj.

Zonja Tomço vuri theksin te kërkimet shkencore dhe orët e hapura për studentët, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë edhe për organizmin që ajo drejton, për të zgjeruar më tej horizontet e bashkëpunimit, pas atyre të mëparshme me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Universitetin e Prishtinës, dhe AIC, ASPA e të tjera institucione.

Nga ana e tij, Rektori Hoxha vlerësoi këtë marrëveshje si një mundësi të mirë për përfituar nga ekspertiza dhe mundësitë, duke bërë kështu të mundur që veprimtaritë e UT, të shkojnë në dobi të zhvillimeve të shoqërisë. Ai gjithashtu theksoi se këto janë mundësi të mira edhe për vet universitetin, që të ofrojnë ekspertiza për palë të tjera, në funksion të ngritjes së financave, sikurse është parashikuar edhe në Ligjin për Arsimin e Lartë.