Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka zhvilluar javën e kaluar një takim me nxënësit e klasave të teta dhe të nënta në shkollën “Naim Frashëri” në Tiranë. Ministrja Muzhaqi, shprehet se të rinjtë mbeten zëri, forca dhe vizioni për një politikëbërje të suksesshme.

“Dëgjimi i zërit të të rinjve është pjesa kyçe e punës së Qeverisë. Ata janë forca shtytëse e vendit tonë dhe do të çojnë përpara projektet inovative të Shqipërisë sonë. Java që shkoi na shoqëroi me një bashkëbisedim të ngrohtë me klasat e teta dhe të nënta të shkollës “Naim Frashëri”, ku diskutuam mbi klubet teknologjike, shkencore dhe artistike që ata kishin ngritur, si dhe mbi podcast-in mujor që krijohet dhe moderohet nga vetë nxënësit. Diskutuam edhe mbi nevojën për investime infrastrukturore dhe për ndërtimin e një palestre të re për shkollën, duke i mbështetur edhe më tepër për zhvillimin dhe mirërritjen e tyre nëpërmjet aktiviteteve sportive”, thotë Muzhaqi në postimin në Facebook.

Kujtojmë që buxheti për Rininë gjatë vitit 2025 është 54% më i lartë se ai i vitit të kaluar. Rritja e mbështetjes buxhetore për rininë për vitin 2025 vjen në kuadër të punës së konsiderueshme të zhvilluar gjatë këtyre viteve me qëllim fuqizimin e politikave rinore, duke filluar që me hartimin dhe zbatimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë, por edhe ristrukturimin e Agjencisë Kombëtare të Rinisë me qëllim fuqizimin e rolit të kësaj të fundit në kuadër të mbështetjes së të rinjve në të gjithë Shqipërinë.