Ndeshja e sotme midis Napolit të Antonio Contes dhe Juventusit të Thiago Motta premton spektakël, pavarësisht diferencës prej 13 pikësh në klasifikimin aktual të Serie A. Nëse për Napolin mund të jetë një hap tjetër drejt titullit, për Juventusin do të jetë test i rëndësishëm për të qëndruar në garën për një vend në Champions League (top 4). Do të jetë mbrëmje emocionuese, me gjithçka gati për një festë futbolli.

Në takimin e parë të sezonit, më 21 shtator, ekipet ndanë barazimin 0-0 pa emocione, por shumë ka ndryshuar që atëherë. Napoli ka treguar një konsistencë të jashtëzakonshme, duke ngritur mur të pakalueshëm dhe siguruar epërsi të qëndrueshme ndaj rivalëve. Juventusi, nga ana tjetër, është ende në kërkim të stabilitetit, por me një ekip të ri dhe premtues.

Përplasja në mesfushë, McTominay-Koopmeiners
Dy lojtarë të rinj dhe mjaft interesantë janë sot në fokus. Scott McTominay, me një debutim të jashtëzakonshëm në Serie A, ka qenë përforcimi kyç për Napolin dhe ka sjellë muskuj e dinamizëm. Në anën tjetër, Teun Koopmeiners, ish-ylli i Atalantës, është ende duke kërkuar formën ideale me Juventusin. Përballja e tyre mund të jetë vendimtare për rezultatin.

Si do të përfundojë?
Napoli është padyshim favorit me ecurinë e vet mbresëlënëse dhe me mbështetjen e tifozëve në “Maradona”. Gjithsesi, një Juventus i motivuar, sidomos në sfida të mëdha si kjo, mund të surprizojë. Do të jetë çështje ekuilibri, efikasiteti dhe ndoshta moment gjenialiteti nga lojtarët kyç.

Si vjen Napoli
Antonio Conte sfidon të kaluarën e tij. Trajneri i Napolit e pret Juventusin në “Maradona” për një ndeshje të rëndësishme në rrugëtimin si kryesues të Serie A. Ai duhet të bëjë sërish pa Buongiorno, teksa pret nga merkatoja pasuesin e Kvaratskhelia. Një lajm i keq në prag të ndeshjes për trajnerin salentin, i cili humbi sërish Olivera për një problem muskulor, ndërsa vendin e tij mund ta marrë Spinazzola. Në formacionin 4-3-3 të Napolit, Meret do të jetë në portë, me një mbrojtje që do të përbëhet nga Di Lorenzo, Rrahmani, Juan Jesus dhe Spinazzola. Në mesfushë do të veprojnë Lobotka, Anguissa dhe McTominay, ndërsa në sulm, tridenti do të përbëhet nga Politano në të djathtë, Neres në të majtë dhe Lukaku si pikë referimi në qendër.

Si vjen Juventusi
Bardhezinjtë do të bëjnë disa ndryshime në formacion, pasi Thiago Motta e ka pothuajse të plotë skuadrën. Pra, ka mundësi të shumta për të zgjedhur. Trajneri italo-brazilian do të konfirmojë formacionin 4-3-3, siç ka bërë edhe në ndeshjet e fundit. Në portë do të jetë përsëri Di Gregorio. Në mbrojtje, Cambiaso do të luajë në të djathtë, duke zëvendësuar Savona, i cili do të jetë në pankinë. Në qendër të mbrojtjes do të jenë Gatti dhe Kalulu, ndërsa në të majtë do të rikthehet McKennie, i cili kishte pushuar në Champions. Në mesfushë do të luajnë Teun Koopmeiners, Manuel Locatelli dhe Khéphren Thuram, ndërsa Douglas Luiz do të jetë një nga lojtarët që mund të hyjë gjatë ndeshjes. Në sulm pritet ndoshta ndryshimi më i madh, pasi Randal Kolo Muani duket gati të bëjë debutimin e tij me bardhezinjtë nga minuta e parë. Në krahët e tij priten Kenan Yildiz dhe Nico Gonzalez. Kësisoji, duket se Dusan Vlahovic do ta nisë përsëri nga pankina, për herë të tretë radhazi. Gati për të hyrë në lojë, gjithashtu do të jenë Samuel Mbangula dhe Francisco Conceicao.