Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, mori pjesë sot në homazhet për viktimat e 21 janarit. Në përvjetorin e 14-të të vrasjes së Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtaj, ministri ishte mes zyrtarëve të tjerë nga radhët e Partisë Socialiste që, së bashku me familjarët, vunë lule në vendin ku u vranë viktimat në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ceremonia e heshtur zhvillohet çdo vit, ndërsa familjet, bashkë me dhimbjen që nuk shuhet ende, vazhdojnë të presin drejtësi.

“Nuk kemi ndenjur të heshtur e as indiferentë. Ne kemi qenë dhe jemi qartësisht në anën e drejtësisë me besimin e palëkundur se i takon vetëm të drejtësisë së re të bëjë drejtësinë e munguar për 21 Janarin, në dritën e vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe me besimin te Prokuroria e Posaçme. Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi,” thuhet në reagimin e ministrit Balla këtë 14-vjetor të ngjarjes tragjike.

Ministri Balla akuzoi dje ish-kryeministrin Sali Berisha si urdhëruesin politik të vrasjeve para kryeministrisë, duke sjellë edhe deklaratën e tij të asaj kohe se do të kishte njerëz të armatosur që do ta mbronin kryeministrinë gjatë protestës.

Të vetmit të dënuar për këtë krim janë ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg, por jo urdhëruesi.