Nga Baton Haxhiu

Në një mëngjes të errët të shtatorit 1991, Prishtina ngjante me një qytet të mbërthyer nga një trysni e padukshme, por e ndjerë në çdo qoshe të rrugëve të saj. Kjo ishte epokë e gjatë dhimbjeje dhe pasigurie që shtrihej mbi Kosovë si një mbulesë e rëndë prej plumbi. Në të gjitha qoshet e qytetit, njerëzit lëviznin ngadalë, me një ndjenjë të çuditshme përulësie dhe rebelimi të heshtur. Çdo hap dukej sikur thoshte: “Jemi ende këtu.”

Keto janë pamjet në videon e vetme të kohës që Adnan Merovci në rrëfimin e tij të ekskluziv ia prezantoi publikut në emisionin “Fakte”.

Kosova ndodhej në zemër të shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Serbia, nën drejtimin paranojak të Millosheviçit, kishte filluar një fushatë të hapur represioni kundër shqiptarëve, duke synuar të përmbyste çdo përpjekje për autonomi dhe të mbillte frikë në zemrat e një populli që kërkonte vetëm të drejtën për të jetuar. Prishtina ishte bërë qendra e një lëvizjeje që nuk kërkonte hakmarrje, por dinjitet – një rezistencë që dukej absurde në sytë e fuqive të mëdha, të mësuara me përplasje të përgjakshme dhe revolucionarë të armatosur.

Në këtë sfond të rëndë, mbërriti ambasadori amerikan në Beograd, Uoren Cimerman, i shoqëruar nga një përfaqësues tjetër i lartë, Brus Konak. Ishte një vizitë që mbante peshën e një bote që vështronte nga larg, duke mos ditur se çfarë të bënte me këtë cep të vogël, por të rrezikshëm, të Evropës.

Fytyrat e heshtjes dhe ankthi i fshehur

Në sallën e madhe të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ishte planifikuar takimi, atmosfera ishte e mbingarkuar. Njerëzit ishin ulur në radhë të gjata, disa duke shtrënguar duart, të tjerët duke vështruar dyshemenë me mendime të përqendruara. Në mes të sallës, Ibrahim Rugova qëndronte i palëkundur. Me syzet e tij të mëdha dhe flokët që tashmë fillonin të zbardhnin, ai ngjante si një figurë e ftohtë dhe e qetë, por në brendësi të së cilës vlonte një stuhi mendimesh.

Kur Cimermani hapi fjalën, ai e bëri këtë me një ton të qetë, por të prerë – një ton që të kujtonte diplomatët e stërvitur të Perëndimit, të cilët e dinin se në Ballkan fjala e matur ishte shpesh më e fuqishme se një premtim i zbrazët. “Ne e kuptojmë gjendjen tuaj”, tha ai, duke vështruar sallën. “Ne e dimë që kjo është një nga rastet më të mëdha të shkeljes së të drejtave njerëzore në Evropë”.

Zëri i tij ishte i ftohtë, si të gjitha fjalët diplomatike që nisin me kuptim, por mbarojnë në paqartësi.

Rugova iu përgjigj me një qetësi të studiuar, duke përfaqësuar një popull që kishte mësuar prej dekadash se si të ruante dinjitetin edhe në kohën kur gjithçka të merrej me dhunë. “Ne kërkojmë vetëm atë që na takon – të drejtën për të jetuar në tokën tonë”, tha ai. “As më shumë, as më pak”.

Fjalët e pashprehura dhe psika e një kombi të shtypur

Në ato çaste, në sallë mbretëroi një heshtje që fliste më shumë se çdo fjalë. Ajo heshtje nuk ishte thjesht mungesë zhurme; ajo ishte mbartësja e një dhimbjeje të grumbulluar për dekada. Në të, reflektohej një psiko-sociale që do ta përshkruante Jungu si aktin kolektiv të një populli të ndarë nga vetja e tij – një ndarje që vinte jo vetëm nga dhuna serbe, por edhe nga harresa e Europës dhe indiferenca e botës.

Rexhep Qosja foli i dyti. Ai nuk përdori tone diplomatike; fjalët e tij ishin të ashpra, të qarta dhe therëse. “Serbia nuk synon vetëm të na mohojë të drejtat, por të na zhdukë si popull,” tha ai. “Ky është kolonializëm modern i shoqëruar me një politikë gjenocidiale. E vetmja rrugëdalje për ne është njohja ndërkombëtare dhe ndarja nga ky shtet që na mban vetëm me forcë”.

Në të njëjtën linjë, Adem Demaçi, njeriu që kishte kaluar vite të gjata në burgjet serbe, e përforcoi këtë mesazh me një fjalim që më shumë ngjante me një akuzë morale ndaj Perëndimit. “Ne nuk po kërkojmë ndihmë për të na shpëtuar nga uria; ne po kërkojmë ndihmë për të na shpëtuar nga zhdukja,” tha ai. “Nëse Perëndimi pret që ne të dorëzohemi, atëherë le të mbajë mbi vete peshën e një tjetër tragjedie në Ballkan”.

Analizë e një realiteti absurd

Në psikoanalizën jungiane, ekziston koncepti i “hijes” – ajo pjesë e errët e ndërgjegjes kolektive që shfaqet kur shtypet për një kohë të gjatë. Serbia, nën udhëheqjen e Millosheviqit, ishte bërë mishërimi i kësaj “hijeje”, duke mbartur mbi vete të gjitha demonët e së shkuarës së vet nacionaliste. Nga ana tjetër, Kosova, e shtypur dhe e margjinalizuar, përfaqësonte viktimën arketipale, që luftonte jo për të marrë pushtet, por për të rifituar vetveten.

Ambasadori Cimerman, i vetëdijshëm për kompleksitetin e situatës, përpiqej të ruante një ton realist, por njerëzor. “Ju keni përparësinë morale,” tha ai, “por mos harroni se kjo përparësi nuk e ndalon dhunën në mënyrë të menjëhershme. Kërkoj të jeni të durueshëm dhe të qëndroni në këtë rrugë paqësore. Vetëm kështu mund të fitoni mbështetjen e plotë të Perëndimit”.

Por në fytyrat e të pranishmëve dukej se durimi kishte shteruar. Për ta, bota nuk ofronte më zgjidhje të shpejta. Të gjitha përpjekjet e tyre për dialog kishin rënë në veshë të shurdhër. Në një epokë kur gjithçka mund të zgjidhej me dhunë, ata kishin zgjedhur rrugën e paqes – një zgjedhje që për shumëkënd dukej si një marrëzi, por për ta ishte mënyra e vetme për të ruajtur dinjitetin njerëzor.

Një ditë që mbetet e hapur në histori

Takimi përfundoi pa premtime të mëdha. Cimerman u largua nga Prishtina, duke mbajtur në zemër peshën e një populli që luftonte për mbijetesë në mes të errësirës. Për shqiptarët, ai takim nuk ishte fundi i shpresës, por një kujtesë se lufta e tyre për liri nuk do të fitonte pa një çmim të lartë. Në rrugët e qytetit, njerëzit vazhdonin të ecnin të heshtur, por të palëkundur. Ajo heshtje ishte simboli i një qëndrese që, pavarësisht gjithçkaje, refuzonte të thyhej.

Në atë ditë të zymtë shtatori, në një sallë të ngushtë në Prishtinë, u hodhën farat e një lufte që ende nuk kishte ardhur, por që ishte e pashmangshme. Historia nuk do ta harronte atë moment, sepse ishte momenti kur një popull, i braktisur dhe i vetëm, vendosi të qëndronte deri në fund, me kokën lart dhe zemrën plot plagë.

Vizita e ambasadorit Uoren CIMERMAN në Kosovë më 9 shtator 1991

Transkripti i takimit historik që ndriçon detaje të rëndësishme mbi bisedimet e zhvilluara, rolin strategjik të Presidentit Rugova dhe kontributin e Adnan Merovcit në proceset vendimtare për Kosovën. Dokument autentik i kujtesës kombëtare.

Z. CIMERMAN, ambasador amerikan në Beograd, me vizitën e parë që bëri në vitin 1990, dhe shëtitjes në rrugën kryesore të Prishtinës me RUGOVËN, vërtetoi, verifikoi dhe demonstroi përkrahjen e politikës së udhëhequr nga RUGOVA.

Rast i ngjashëm ishte kur ambasadori amerikan në Tiranë, Z. RAJERSON, pati dalë me Sali BERISHËN në vende publike, duke demonstruar përkrahje.

Mendoj se për shumëçka kjo vizitë vërtetoi themelet e strategjisë së ardhshme politike të RUGOVËS dhe të popullit shqiptar. Ky pohim mund të vërtetohet nga transkriptet e takimit në vijim.

Vizita tjetër e CIMERMANIT në Prishtinë u realizua më 09.09.1991 në lokalet e SHSHK-së, ku të pranishëm përveç RUGOVËS ishin edhe Adem DEMAÇI, Rexhep QOSJA, Burhan KAVAJA, Fehmi AGANI, Alush GASHI, Vesel NUHIU, Rexhep ISMAJLI dhe Bujar BUKOSHI. Është kjo vizita e njohur ndër shqiptarët si rast i shqyrtimit të mundësisë së pjesëmarrjes së shqiptarëve në zgjedhjet lokale që planifikonte t’i organizonte pushteti i Serbisë.

Në këtë takim z. CIMERMAN shoqërohej nga zyrtari i lartë amerikan në Ambasadën e tyre në Beograd, z. Brus KONAK, i cili ishte shumë i njohur për ne, duke përcjellë më shpesh dhe më nga afër rrjedhat në Kosovë dhe me vizitat e tij të shpeshta te RUGOVA e gjetiu në Kosovë.

Takimi u zhvillua në sallën e madhe të SHSHK-së. Për shkak të efikasitetit dhe racionalitetit, si dhe duke qenë se ambasadori CIMERMAN fliste serbokroatishten shumë mirë, u dakordua që bisedat të zhvilloheshin në gjuhën serbokroate.

Në këtë rast, për herë të parë, publikisht, do të përshkruhet në detaje rrjedha e këtij takimi së bashku me transkriptet. Në tavolinën përballë, në mes të RUGOVËS dhe z. KONAK, u ul ambasadori CIMERMAN, për t’i pasur të pranishmit tjerë përballë në tavolinat anësore.

Takimin e hapi RUGOVA, duke i prezantuar të pranishmit dhe duke sugjeruar në stilin e tij shumë diplomatik, social dhe të afërt që takimi të zhvillohet me paraqitjen e fjalëve të secilit dhe pastaj përmes pyetjeve dhe komenteve të flasim për situatën.

Ambasadori CIMERMAN, duke u pajtuar me këtë mënyrë të zhvillimit të këtij takimi, mori fjalën dhe tha:

“Unë kam ardhur këtu me z.KONAK, të shoh si është gjendja, t’ju dëgjojmë ju. Ne do të flasim po ashtu edhe me z. Zhivorad IGIQ. Unë dëshiroj të them se ne shumë ju përkrahim juve, në luftën për të drejtat tuaja. Neve na duket se situata e tillë në Kosovë, po zgjat dhe mund të them se është rasti më i madh i cenimit të të drejtave njerëzore në Evropë. Ne i dimë vështirësitë në të cilat ju jetoni. Unë jam shumë i kënaqur që ju keni pasur rastin të flisni drejtpërdrejt me sekretarin tonë BEJKER.

Z.RUGOVA, DEMAÇI dhe z. SURROI janë shprehur për situatën dhe synimet e popullit
shqiptar në Kosovë. “Unë mendoj që ju jeni njerëz trima, për arsye se keni vendosur t’i shprehni qëndrimet tuaja në mënyrë paqësore. Kjo është shumë me rëndësi dhe është njëra nga bazat e përkrahjes sonë për Ne po ashtu jemi shumë të kënaqur që jeni shumë të hapur për dialog
me Qeverinë serbe. Unë nuk e di çka do të ndodhë në të ardhmen nëse ai dialog zgjat, por nuk mund të jetë keq, që jeni të hapur për dialog. Kjo është shumë me rëndësi. Unë kam pasur rastin mbrëmë që të flas pak për zgjedhjet lokale të cilat do të zhvillohen në Serbi, Vojvodinë dhe Kosovë.

Unë plotësisht e kuptoj qëndrimin tuaj, sa u përket këtyre zgjedhjeve, por ne amerikanët shpresojmë që mund të gjeni mënyrë që të merrni pjesë në këto zgjedhje, nëse këto zgjedhje zhvillohen pak a shumë fer. Unë e di që nuk do të jenë ideale për ju, për arsye se ju keni qëndrim plotësisht tjetër nga ai që ka Qeveria serbe. Pa marrë parasysh se çka do të vendosni ju mund të llogaritni në përkrahjen tonë politike. Kemi kënaqësinë që kemi rastin të flasim me ju dhe do të jetë shumë interesant për mua dhe z. KONAK t’ju dëgjojmë, se si ju e shihni situatën këtu”.

Në vazhdim fjalën e mori Rexhep QOSJA, i cili tha:

“Unë dje në gazetën ditore ‘BUJKU’, kam lexue letrën të cilën senatori amerikan Bob DOL, ia ka dërgue kryetarit të Konferencës Paqësore për Jugosllavi, z. KERINGTON dhe ministrit të Jashtëm të Holandës, z. Van DEN BRUK. Mund t’ju them hapur se, për senatorin DOL, i cili jo vetëm që është i respektuar, por është edhe i dashur në Kosovë, fotografia e të cilit nuk ndodhet vetëm në këtë sallë, por edhe nëpër shtëpi private të shqiptarëve këtu, pak a shumë ka zhgënjyer. Ai normalisht si çdoherë angazhohet për çështje dhe të drejta të shqiptarëve, por vizioni i tij i zgjidhjes së kësaj çështjeje është ajo që mua personalisht e nuk e di për kolegët e mi, nuk më ka kënaq. Senatori DOL, aty propozon që në Kosovë të dërgohen vëzhguesit të cilët do të përcjellin, inçizojnë, gjendjen e të drejtave të njeriut dhe jetës në Kosovë, dhe për këtë do të paraqesin raport.

Unë e di rëndësinë e vëzhguesve, vëzhgues çfarë sot janë në Slloveni dhe Kroaci, d.m.th. këto janë grupe të cilat kanë një rëndësi më të madhe nga aspekti politik, nga delegacionet e deritanishme të Parlamentit Europian, Bashkimit Europian, Konfederatës së Helsinkut si dhe Odës së Avokatëve të SHBA-ve, të cilat këtu qe 4, 5 vite kanë ardhur rregullisht, kanë incizuar gjendjen, cenimin e të drejtave të njeriut në Kosovë ndaj shqiptarëve dhe kanë raportuar. Nuk mund të themi se ardhja e grupeve të tilla dhe delegacioneve neve nuk na kanë kursyer nga tragjeditë më të mëdha, numrit më të madh të viktimave, por megjithatë krejt kjo nuk ka ndaluar terorin shtetëror të Serbisë në Kosovë.

Është dëshmuar se politika e MILLOSHEVIQIT, agresive, ekspansioniste, nacionaliste, politika nacionaliste, shoviniste dhe e urrejtjes nuk mund të ndalet me raporte të grupeve vëzhguese. Çështja tjetër e cila pak a shumë më ka zhgënjyer në letrën e senatorit DOLL, është propozimi i tij, shumë i rëndësishëm për ne është mosangazhimi i tij për pjesëmarrjen tonë në Konferencën Paqësore, për ne pjesëmarrja në këtë Konferencë është shumë e rëndësishme. Kjo për ne ka rëndësi vitale dhe ne mendojmë se kemi të drejtë që të ishim në atë Konferencë. Mënyra e propozimit të tij është ajo që mua pak a shumë më ka zhgënjyer. Senatori DOLL, propozon pjesëmarrjen tonë në këtë Konferencë me formulën 6 + 2. Kjo d.m.th. se ai kërkon që ata që marrin pjesë të jenë 6 popuj, gjegjësisht 6 republika të Jugosllavisë dhe siç thekson ai shqiptarët dhe hungarezët. Mu këtu është problemi.

Ne po luftojmë për të drejtat tona dhe përkrahim të drejtat e të gjithë njerëzve dhe popujve, por mendojmë se nuk mundemi të krahasohemi me hungarezët. Ne dëshirojmë që hungarezët me të vërtetë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat si të gjithë të tjerët në Jugosllavi. Ne u dëshirojmë atyre çdo të mirë si vetes sonë, por megjithatë nuk mund të krahasohemi, dhe krahasimi ynë me hungarezët nuk shkon në dobinë tonë, përkundrazi shkon në dëmin tonë. Pse?. Hungarezë në Vojvodinë mund të ketë ndoshta18 %, ndoshta 20 %, ndoshta 25 %, dhe sipas një parimi që sot vlen në Evropë, sipas parimit etnik, hungarezëve nuk u takon e drejta për vetëvendosje. Kurse sipas këtij parimi, neve na takon kjo e drejtë, sepse ne jemi këtu bile rreth 90 %.

Ata atje janë rreth 20 %, d.m.th. ata janë pakicë ndaj serbëve në Vojvodinë, kurse këtu ne jemi shumicë. Ne nuk kishim dashur të marrim pjesë, së paku unë mendoj në Konferencën paqësore në Hagë si pakicë kombëtare, sepse në të vërtetë nuk jemi të tillë. Pakica kombëtare, edhe vetë fjala tregon, është numër i vogël i njerëzve në një rrethinë, e ne nuk jemi ai numër i vogël njerëzish, nuk mundet grup i vogël njerëzish të jenë 3 milionë njerëz. Ne kemi përpunue këtë problem. Ne nuk jemi pakicë në krahasim me kombet e Jugosllavisë, 500 mijë malazezë e kanë shtetin e tyre, e ne jemi 3 milionë shqiptarë. Nuk jemi ne pakicë në krahasim as me malazezët, as me maqedonët, as me sllovenët, as me muslimanët, dhe nuk jemi pakicë as në krahasim me Shqipërinë, ne jemi po aq sa janë edhe atje. Dhe këtu është ai problemi në letrën e senatorit DOLL”.

Ndërhyn ambasadori CIMERMAN, duke thënë:

“Kjo është shumë interesant për mua, sepse unë sigurisht do të kem rast të flas personalisht me senatorin DOL brenda 10 ditëve. Unë do të shkoj në konsultime në Uashington dhe do të kem takim me të. Unë mund të flasë me të për këto probleme dhe ju kuptoj shumë mirë”.

Për të vazhduar përsëri QOSJA:

“Kësi propozimi ka qenë në rezolutën e KB-së, njësoj janë përmendur shqiptarët dhe hungarezët. Tani kemi edhe një problem këtu. Jugosllavia ka ekzistue si subjekt ndërkombëtar, por jo edhe republikat në Jugosllavi. Është e qartë se Jugosllavia po shkatërrohet. Nga Jugosllavia po mbesin disa shtete të pavarura dhe sovrane, republika gjegjësisht shtete. Po mbetet ndoshta një federatë nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja dhe shtetet, Sllovenia, Kroacia dhe Maqedonia. Ne nuk i dimë të gjitha variantet, por me gjasë do të krijohen, 3 ose 4 subjekte ndërkombëtare. Deri më tani për shqiptarët në aspektin kushtetuto- ligjor ka vendosur Jugosllavia si subjekt ndërkombëtar. Ne kemi qenë, nën thojza, brengë e saj, si subjekt ndërkombëtar. Tani shqiptarët po mbesin brengë, nën thojza, të katër shteteve, katër subjekteve ndërkombëtare, Serbisë së Madhe, Serbisë, Malit të Zi, Bosnës dhe ndoshta një pjese të Kroacisë, e kjo është Serbia e Madhe, në kufijtë ku serbët kanë dashur me dekada, dhe shqiptarët mbesin brengë, dhe për ta vendosin tri subjekte të pavarura ndërkombëtare.

Kjo d.m.th. që problemi ynë tani po komplikohet. Problemi shqiptar është problem i madh i Ballkanit, supozoj jo vetëm i Ballkanit, por edhe Evropës, sepse si problem nacional, është problemi më i madh sot në Evropë. Ky problem është i madh, sepse shprehet në dimensione të mëdha, e tani ky problem po bëhet katërfish më vështirë, problemi i shqiptarëve.

Kjo sipas mendimit tim don të thotë se çështjen shqiptare nuk mundemi më, nuk do të duhej, nuk është e drejtë, çak edhe nga aspekti i të drejtës ndërkombëtare. Nuk do të ishte e drejtë që këtë problem ta shohim vetëm si problem të Kosovës në kufijtë administrativë. Çështja shqiptare po bëhet çështje e Ballkanit. Ajo është çështje e Ballkanit, por tani posaçërisht çështje e vështirë e Ballkanit. Mendoj se çfarëdo zgjidhje tjetër çon në një zgjidhje të përkohshme të Ballkanit, por problemi mbetet i vështirë, dhe si i tillë shumë më i vështirë sesa deri më tani. Mendoj se tani ky është problem që i takon mjaft shumë edhe Shqipërisë, sepse populli shqiptar është një popull dhe Shqipëria është vendi që është formue nga më pak se gjysma e popullit shqiptar. 740 mijë shqiptarë kanë mbetur në Shqipëri, kjo ka qenë popullsia e vitit 1912. Një milion e 150 mijë shqiptarë kanë mbetur jashtë Shqipërisë. 28.000 km 2, i kanë takuar Shqipërisë, 27.000 km 2, ku shqiptarët kanë qenë banorë të vetëm etnikë, ose shumicë absolute, kanë mbetur jashtë kufijve. Kjo është çështje e madhe shqiptare.

Me këtë dua të them se ne nuk jemi pakicë kombëtare, ne jemi popull i ndarë në dysh. Dhe për mue personalisht, çdo zgjidhje tjetër, siç e kam parë në tekstet e senatorit DOL, siç po e shoh në rezolutat e shumta, nuk është e kënaqshme, sepse nuk zgjidh çështjen, ose zgjidh çështjen shumë përkohësisht.

Mua më intereson që më tepër se termi ‘Kosova Republikë’, ku ne jemi koncentruar, dhe që kishte me kënaq synimet tona, por nuk do të na bëjë ne të lumtur, dhe të zgjidhë dhe sigurojë fatin tonë. Mua më intereson që neve të na njihet ajo që na takon, e drejta që jemi komb, jo pakicë, dhe e drejta që ne vetë të vendosim, d.m.th. e drejta për vetëvendosje, dhe ne të bëjmë atë që e shohim të nevojshme për fatin tonë. Faleminderit!”

Pas ekspozesë së QOSJES, ambasadori CIMERMAN komentoi:

“Unë dua t’ju them se për mua është shumë vështirë të kuptoj

logjikën e tillë se si mundet që 200 mijë njerëz që jetojnë në Krainë, mund

të kenë vetëvendosje, por dy ose më shumë milionë shqiptarë që jetojnë

në Kosovë nuk kanë të drejta të tilla. Sipas mendimit tim kjo nuk është

logjikë e mirë. Ju mund të jeni të bindur se nuk ka në Evropë ose Amerikë

që mendon se kjo është një logjikë e mirë. Sa i përket Konferencës së

Hagës, unë dua që ju ta dini se ne po ashtu nuk jemi pjesëmarrës në këtë

Konferencë, por ne jemi përpjekur për pjesëmarrjen tuaj, për pjesëmarrjen

e popullit të Kosovës në këtë Konferencë dhe po ashtu për diskutimin e

situatës në Kosovë. Unë jam i sigurt që do të jetë një diskutim i tillë, në atë

Konferencë. Unë nuk e di kur, sepse tani Konferenca është e koncentruar

në Kroaci, por jam i sigurt që problemet tuaja do të diskutohen atje. Dhe

ne kemi për të kontribuar për këtë”.

Në vazhdim fjalën e mori Hivzi ISLAMI për të thënë:

“Ju e përmendët përcaktimin tonë, i cili mendoj se është i njohur

për të gjithë, për të gjitha forcat demokratike të Evropës dhe Amerikës,

por përpjekjet tona kanë qenë të gjata që të dëshmojmë se për çka jemi.

Ne shumë vite kemi qenë të akuzuar nga Sërbia dhe tërë Jugosllavisë se

ne përpiqemi për prishje, shkatërrimin e Jugosllavisë. Ne angazhohemi

për të drejtat tona dhe për barazi, për liri dhe demokraci, dhe kjo është

tani e njohur për të gjithë. Edhe Perëndimi, edhe Evropa, edhe Amerika

dhe derisa ishte edhe z. BEJKER, ishte përpjekje që sidoqoftë të ruhet

Jugosllavia, uniteti i saj me kusht që ajo të demokratizohet. Jugosllavinë

e tillë ne shumë herë kemi thënë se nuk është e mundur ta ruajmë. Ajo

është krijesë artificiale, konstruksion artificial, dhe ka ndodhë në një kohë,

kur ne kemi hyrë me dhunë, dhe ne në këtë Jugosllavi po mbahemi me

dhunë. Ne jetojmë në teritoret tona, por jemi në një shtet që çdoherë ka

qenë kundër nesh. Ne jetojmë me sërbë, ne jemi takuar me ta dhe me këto

regjime, të cilët vazhdimisht kanë qenë kundër nesh, të cilët çdoherë kanë

qenë kundër dialogut dhe jetesës së përbashkët , dhe kur nuk kanë qenë të

gaçëm që problemet politike t’i zgjedhin me dialog, dhe me mjete politike.

Unë mendoj që tani i është e qartë edhe Amerikës edhe Evropës se çka

dëshiron Sërbia. Ne tani jemi totalisht të injoruar nga kjo Jugosllavi, ju

tani po i përcillni këto, dhe bisedat me përfaqësuesit e 6 republikave, dhe

këte si duket e ka pranuar Evropa dhe i tërë Perëndimi. Çka na mbetet

neve tani? Kjo është pyetje e madhe e cila na ka dërgue në reflektime, jo

vetem në Ballkan, por edhe në Evropë dhe tërë botës. Tani këtu duhet të

rrjedhë gjaku dhe që krejt kjo të rifillojë. Deri tani janë sjellur disa rezoluta,

por kanë mbetur fatkeqësisht vetem deklarative. Kah do të shkojmë ne

tani? Ndoshta z. DEMAÇI do të fletë për rrezikimin e çdo gjëje që egziton

deri tani. Por çka, në të vërtetë më tutje? Të gjithë thojnë, duhet respektuar

vullnetin e popullit, por vullnetin e popullit shqiptar askush nuk po e

respekton. Neve çdokush na sulmon, fatkeqësisht kohëve të fundit, edhe z.

LONÇAR në rrethe të ndryshme, edhe z. MARKOVIQ. Ne kemi qenë të parët

të cilët kemi pranuar reformat e tij, por çdoherë ishte ai i cili na sulmonte,

që ne dëshirojmë ta rrënojmë Jugosllavinë, se dëshirojmë të bashkohemi

me një regjim stalinist në Shqipëri etj. Krejt kjo nuk ishte ashtu. Mirëpo

tani gjenden shumë hapa para nesh dhe për përcaktimin tonë. Ne nuk

kemi qenë për rrënimin e Jugosllavisë, por ne nuk jemi edhe për ruajtjen

e çfarëdo Jugosllavie, një Jugosllavie që kishte me qenë hegjemoniste dhe

militariste. Kështu që, ju lutemi që të angazhoheni për mënyrë paqësore

dhe demokratike. Ne nuk pajtohemi me një regjim i cili edhe vret dhe bënë

krejt këtë që bërë. Ne kemi patur shumë kontakte me juve”.

Ambasadori CIMERMAN komentonte çdo ekspoze të të pranishmëve.

Pas fjalës së z. Hivzi ISLAMIT, ai tha:

“Unë shumë lehtë mund të kuptoj përpjekjet tuaja. Unë mund të

them se ju keni një përparësi të madhe ndaj MILOSHEVIQIT. Ju keni

përparësinë morale, kurse ai nuk ka. Ekzistojnë dy karakteristika për

përparësinë morale. E para, përparësia morale do të fitojë çdoherë. Në

histori kjo është kështu. Dhe e dyta, se përparësia morale nuk do të fitojë

shpejt. Dhe kjo është dilema juaj dhe unë e kuptoj këtë. Unë kam parë se

MILOSHEVIQI ka lëvizur pak nga presioni perëndimor. Ai është pajtuar

me MESIQIN si kryetar që nuk e ka dashur, ai është pajtuar me Konferencën

e Hagës, e cila është komplet kundër interesave të tij. Unë nuk e di

se a do të detyrohet ai për shkak të situatës në Serbi, Jugosllavi dhe nga

presioni nga Perëndimi që të bëjë përjashtime. Unë mendoj se për një kohë

të shkurtër ai s’do të pajtohet, por për më gjatë, ai po e sheh se pozita e

tij është shumë e dobët dhe ai nuk ka përkrahje për qëndrimin e tij sa i

përket Kosovës. Ai nuk ka kurrfarë miqësie jashtë Serbisë për qëndrimin e

tij. Unë mendoj që ju jeni buzë fitores për të drejtat tuaja, dhe jam i bindur

se nëse ju vazhdoni presionin në rrugë paqësore, ju sigurisht do të fitoni.

Parimisht nuk do të ketë një vendim për një popull nëse ai nuk merr pjesë

në atë vendim. Dhe ky parim, për ju, do të fitojë. Unë jam i sigurt në këtë”.

Hivziu ndërhyri, duke pyetur:

“Po, por deri kur ne do të mund të qëndrojmë? Të gjitha format e

sjelljes sonë janë harxhuar. Ne kemi thirrur këtë popull për paqë, mirëpo

mjaft është më. Nuk kanë çka të hanë, rrezikohet nga epidemia. Ju e dini si

është puna me arsim”.

Ambasadori CIMERMAN, duke iu përgjigjur Hivziut në ndërhyrjen e tij, tha:

“Unë duhet t’ju them se, nëse populli shqiptar zgjedhë rrugën e

luftës, ju shumë shpejt do ta humbni përkrahjen e Perëndimit. Ju keni

mbështetjen e krejt vendeve të Perëndimit, dhe ky është suksesi juaj

fillestar. Unë nuk mund të flas për një sukses për ditën e nesërme dhe kjo

është tragjike, por unë jam i bindur se do të keni sukses”.

Në vazhdim fjalën e mori Burhan KAVAJA, të cilin RUGOVA e

prezantoi si përfaqësues të Sindikatës. Ai në fjalën e vet tha:

“Ju falënderoj për angazhimin tuaj të plotë si për rastin tonë, po

ashtu edhe për të tjerat. Sot, kemi një anëtarësi sindikale prej 250 mijë

vetash. Kemi 75 mijë njerëz të përjashtuar nga puna. Ky numër për çdo

ditë po rritet. Është vlerësim i yni se nga mospagesa e të ardhurave personale

nga sivjet dhe viti i kaluar, një miliard e 750 milionë dollarë ju janë

plaçkitur puntorëve shqiptarë nga ana e Sërbisë. Ka njerëz që punojnë qe

dy vite dhe nuk marrin asnjë dinar. Pikërisht për shkakun se kemi kërkuar

mos ta lëshojnë vendin e punës edhe nëse do të punojnë pa kompensim.

Mirëpo ka ardhur deri te një situatë jashtëzakonisht të vështirë. Rreth

500 mijë anëtarë familjesh, nuk kanë asnjë përkujdesje shëndetësore as

sociale, unë po flasë vetem për anëtarësinë e sindikatës. Vlerësojmë se

rreth një milion njerëz, nuk do të mund të hyjnë në këtë dimër as me 10 kg

miell, as me mundësinë e shfrytëzimit të energjisë elektrike. Sot në Kosovë,

me mjetet që po aplikohen, me të vërtetë punëtori po sillet në një situatë

të vështirë. Ai duhet ta paguajë energjinë elektrike, ngrohjen, qëranë, me

kamatat, dhe nëse këto nuk i paguajnë, atëherë me polici qitet në rrugë.

Raste të tilla, në muajin e fundit, i kemi rreth 34 sish. Ne kemi shfrytëzuar

mjetet sindikale, që në një mënyrë t’i mbrojmë të drejtat tona. Në kuadër

të këtyre mjeteve dëshirojmë që vendet tona të punës, që i kemi humbur

nga përjashtimi, t’i kthejmë përsëri. Kjo do të jetë situatë shumë e rëndë,

sepse ata që kanë zënë ato vende të punës janë të armatosur dhe vazhdimisht

mbajnë armë për të penguar kthimin e puntorëve tanë, megjithatë

në nga kjo nuk do të tërhiqemi. Sipas vlerësimit tonë ky do të jetë fillimi

i një oferte të armatosur. Ne së bashku me partitë politike, nga situatat

e caktuara që kanë qenë, ne këtë deri më sot e kemi pengue. Për ne egzistojnë

edhe dy alternativa. Greva e përgjithshme dhe padëgjueshmëria

qytetare. Është e qartë që nga presioni që vie nga baza, nga anëtarësia,

nuk do të mund të qëndrojmë dhe mos ta ndërmarrim ndonjërën nga

këto alternativa. Kështu që kisha dashur edhe mendimin tuaj. Në këtë e

kemi prolonguar nga 15 qershori e këndej, tani jemi në kufirin që nuk do

të mundemi më të rezistojmë, përndryshe do të rrezikohet që Sindikata

e Pavarur të shpërbëhet. Tek puntorët shqiptarë ekziston një mendim që

më mirë është të vdiset nga plumbi sesa nga uria. Sa i përket zgjedhjeve

të cilat ju i përmendët, mendojmë se mjetet të cilat janë rregulluar sipas

Kushtetutës së Sërbisë, zgjedhjeve lokale nuk i është mundësuar asnjë

udhëheqje apo drejtim. Të gjitha këto janë mjete në nivelin republikan.

Që të mund të funksionojë një organ shtetëror lokal, ai së paku duhet të

ketë të drejtë që të shpërndajë një të ardhur personale të caktuar, ashtu

që mjetet financiare t’i ketë në duar të veta. Këto Republika i ka uzurpue

në duar dhe nivele të veta. Që të ketë mundësi që me policinë lokale dhe

gjyqësinë t’i rregullojë marëdhëniet nëpër mikrolokalitetet komunale, ajo

krejt këto i ka marrë në duar të veta, kështu që nuk ka kurfarë mundësie

që pushteti i ardhshëm lokal në ndonjë mënyrë të udhëheqë me këto

mikrolokalitete. Nga këto arsye mendojmë se duhet që këto marëdhënie të

jenë të njëjta, ashtu siç kanë qenë në zgjedhjet e mëhershme”.

Ambasadori CIMERMAN ndërhyri, duke pyetur:

“A nuk mendoni ju që nëse shkoni në këto zgjedhje, ju i fitoni të

gjitha vendet, vendet nuk janë me rëndësi, sepse të tëra forcat janë në

Beograd? Sipas mendimit tim ky është një forum, kuvendet lokale, organet

lokale, këto janë forume, për kërkesat tuaja, për ankesat tuaja, që

ne nuk jemi më të aftë. Nëse keni vendet në Kuvend, unë mendoj që kjo

ndihmon përpjekjet tuaja për forcë politike, jo menjëherë, por kjo do të

jetë një trampolinë për kërkesat tuaja të cilat nuk i keni tani”.

Burhan KAVAJA vazhdoi:

“Ne kemi pasur edhe Kuvendin, kemi pasur edhe anëtarin në Kryesi,

dhe keni parë se cili raport ka qenë”.

Ambasadori CIMERMAN ndërhyn:

“Por ky anëtar i Kryesisë nuk ishte juaji”.

Për të vazhduar KAVAJA:

“Në momentin kur edhe vetëm në diskutime, shkohet në ndonjë

rezistencë Sërbisë, ajo në atë moment atë organ lokal, atë Kuvend lokal

do ta shpërndajë. Prandaj në njëfarë mënyre ne në këtë jemi pjekur dhe

e dijmë se çka domethënë kjo. Ky ishte mendimi im. Dhe edhe njëherë ju

lutem për mendimin tuaj për aplikimin e mjetet tona sindikale, grevën e

përgjithshme dhe mosdëgjueshmërinë qytetare”.

Ambasadori CIMERMAN, duke mos dashur të dalë nga konturat e

një diplomati u përgjigj:

“Unë nuk mundëm t’ju këshilloj. Ju keni të drejtë për punë. Kjo është

nga të drejtat tuaja supreme. Nëse ju insistoni në këtë të drejtë në mënyrë

paqësore, mendoj se do të kini përkrahje nga të gjitha vendet”.

Që nga fillimi i këtij takimi, DEMAÇI u deklarua që do të flasë

i fundit, kështu që pas fjalëve të pjesëmarrësve dhe komenteve ose

përgjigjeve të ambasadorit CIMERMAN, mbretëronte një heshtje, ndonjëherë

e gjatë. DEMAÇI si temperament që është reagonte duke u thënë

të tjerëve të flasin dhe duke ia rezervuar vetes fjalimin e fundit.

Kështu nga reagimi i tij u paraqit Fehmi AGANI, i cili tha:

“Unë isha ndërlidhë në fjalët e Burhanit, në lidhje me Sindikatën.

Kam patur rastin të marr pjesë në Kongresin e Sindikatës. Ate që e kam

dëgjuar atje ka qenë aq shqetësuese, që edhe pse vetë jetoj në Kosovë,

nuk kam mundur të kuptoj se në Kosovë, po ndodh diçka e tillë. Nuk e di a

mundet të kuptojë njeriu në botën e sotshme punëtorin e “Trepçës”, i cili

thotë se edhe para se të përjashtohej nga puna, për 6 muaj nuk ka marrur

rrogë, dhe i cili shfrytëzon pushimin vjetor që të shkojë 30 ditë në burg,

sepse këtë e ka detyrim për shkak të grevës. Diçka të tillë, kur punëtori

që punon 5,6 muaj nuk merre rrogë, dhe i cili për shkak të grevës detyrohet

të marrë pushim për të shkuar në burg, ku do të kthehet në punë

dhe ku e pret përjashtimi nga vendi i punës, kjo është një pakuptimësi e

tillë që është e pabesueshme. Kur njeriu ta shiqonë këtë se çka po ndodh

në Kosovë, me të vërtetë nuk flitet për padrejtësi ndaj shqiptarëve, kjo

në esencë është politikë gjenocidiale. Ja disa fakte. Kjo çka po ndodh me

shkatërrim sistematik të ekonomisë, me represionin e vazhdueshëm dhe

tani me arsimin, në një kuptimin duket iracionale. Që nga shkurti i vitit

të kaluar, Lidhja e Komunistëve të Sërbisë, ose partia e MILLOSHEVIQIT,

në programin e vet e ka ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë. Kështu

që qëllimi është që me masat e marra të krijohet bindja se këtu nuk ka

kushte për egzistencë dhe që shqiptarët të detyrohen në bredhin nëpër

botë. Ata e dijnë që nuk mundën ta përzëjnë tërë popullatën, por që ta

vazhdimisht redukojnë ate, përndryshe kjo është politika tradicionale

e serbëve ndaj shqiptarëve. Edhe një gjë, desha të ndërlidhem në fjalën

e profesor QOSJES në lidhje me pakicat kombëtare, dhe ate se a jemi ne

pakicë kombëtare apo jo? Duket se është çështje doktrinore, por jo, nuk

është pyetje doktrinore, është çështje shumë praktike, sepse shiqoni orvatjet

e Sërbisë rreth Krainës dhe Kninit. Vazhdimisht MILLOSHEVIQI thotë

serbët nuk janë pakicë kombëtare në Jugosllavi. Pohimi i MILLOSHEVIQIT

se serbët nuk mund të jenë pakicë kombëtare në Jugosllavi, implikon qëndrimin

që pakicat kombëtare të shkallës së dytë, aq sa mund t’i quajmë si

të tilla, kështu që me kërkesa politike dhe me sy real në aspektin sociologjik

dhe politik et., pakica kombëtare është një kuptim korelative i cili ka

kuptimi vetem në raport me një shumicë. Nëse mungon kjo shumicë, nëse

shqiptarët janë më shumë se maqedonët dhe malazezët së bashku, të

cilët kanë dy republika të tyre, insistimi që ata janë pakicë, me të vërtetë

është absurde. Ne po insistojmë në këtë moment, sepse për ne është fare e

qartë që nuk mundemi të fitojmë barazi të konsiderueshme nëse insistohet

vetem në momentin e të drejtave të njeriut etj. përderisa nuk shiqohet

njëkohësisht në konstituimin e barabartë të shqiptarëve në një bashkësi

nëse do të ndodhë. Këto janë të domosdoshme ashtu që të realizohen edhe

të drejtat tjera dhe të njeriut. Faleminderit!”

Radha i erdhi edhe Alush GASHIT, i cili tha:

“Në Kosovë, me të vërtetë më nuk mund të flitet për shkelje të të drejtave

të njeriut, por të mohimit të plotë të të drejtave njerëzore, për represionin

e institucionalizuar, segregacioni, aparthejdit, dhe sipas definimit

të KB-së deri në racizëm, i cili aplikohet në Kosovë. Është shumë vështirë,

edhe pse ne fatkeqësisht gjatë këtyre 10 viteve, sidomos dy vitet e fundit

kemi mësuar shumë, por është shumë vështirë bëhet monitorimi i shkeljes

së drejtave njerëzore në Kosovë, sepse tekstualisht punohet në institucionalizimin

e segregacionit dhe racizmit në Kosovë. Ate çka Serbia e thotë

në Kuvendin e saj, që do të bëjë deshqiptarizimin e Kosovës, ajo po e bën

këtë vazhdimisht, ajo po e bën këtë çdo ditë. Në Kosovë, ekziston ushtria e

rregullt, rezervistët ushtarakë, policia e rregullt, rezervistët policorë, çetnikët

e armatosur, dhe populli serb i armatosur. Krejt këto në njërën anë,

6 formacione të armatosura, dhe në anën tjetër një popull i paarmatosur,

i cili lufton për të drejtat e veta njerëzore në një mënyrë shumë paqësore.

Nëse thuhet se fjala është për shkelje drastike të të drejtave njerëzore, nuk

është e tepërt të thuhet për një tragjedi të madhe në Kosovë. Situata është,

shumë, shumë e rëndë. Faleminderit!”

Pas fjalës së Alush GASHIT, prapë një heshtje e shkurtër. Duke

dashur të jetë i fundit, DEMAÇI, duke pyetur, se a ka të tjerë për të folur,

tha:

“Unë kisha me i prekë vetëm disa gjëra. Vëllezërit e mi folën për

shumë gjëra. Ju kisha ftuar që ta keni një gjë parasysh. Që ky nuk është

çfarëdo pushteti, ky është pushtet i krisur, pushtet skizofrenik. Krejt aty

gjërat kanë dalë nga kontrolli, edhe po të dojë MILOSHEVIQI, nuk mund

të ndalet. Ajo makineri ushtarake dhe kolonialiste ka humbur rrugën. Ajo

nuk mund të ndalet. Po e lexoj këtë arsenal të armatimit, i cili vlerësohet

200 miliardë dollarë, krejt do të tërhiqet në Serbi. Bastioni i fundit është

Serbia. Ata këtë e dinë. Për këtë arsye bëjnë masakra të ndryshme, ju e

dini se çka bëjnë ata në Kroaci, prejnë këmbë, duar, nxjerrin sy etj. Krejt

kjo do të mësyjë tek kokat tona. Ne nuk kemi ku të shkojmë. Sllovenia

dhe Kroacia do të shkëputen. Ato do t’i njohë dhe pranojë Evropa. Ngjajshëm

edhe me Maqedoninë. Por muslimanët dhe shqiptarët, janë dhe

do të mbesin viktimë e gjithë terrorit që po na pregaditet. Këtë duhet që

Amerika ta ketë parasysh. Neve na rrezikohet ekzistenca, substanca. Nuk

flitet këtu për disa të drejta njerëzore, shkollave etj. Neve na kërcënohet

ekzistenca biologjike. Popujt sllavë po prehen në mes veti në mënyrë të

pamëshirshme, kjo është e pabesueshme. Ata janë me shumë urrejtje ndaj

shqiptarëve. Qe 150 vite, ata udhëheqin politikë, nga fëmijët e vegjël duke

propaguar që për të gjitha të këqijat e tyre, fajtor janë shqiptarët. Nga

viti 1875, ata kanë djegë dhe vrarë dhe përzënë me qindra mijëra shqiptarë.

Fshatrat shqiptare kanë ekzistuar deri në Nish. Kështu që Serbia po

pregaditë politikën e saj tradicionale. Tani në varësi nga rrethanat historike,

në sipërfaqe kanë ardhur krejt ato forcat reaksionare të cilat kanë

qenë të shtypura me shekuj, kanë dalë në sipërfaqe. Nuk është këtu në

pyetje vetëm MILLOSHEVIQI, në pyetje janë edhe e ashtuquajtura opozitë

etj. Krejt këta janë të dhanun pas serbomadhësisë, ata dojnë ta krijojnë

Serbinë e Madhe, krejt kjo është e dhanun në disa koncepte të ndryshkura.

Ky është kontest i kundërt me kushtet historike në të cilat jetohet. Nuk

mundet që kjo të ndalet me fjalë, me bindje. Kjo sikur kur njeriu hidhet

nga rrokaqielli, dhe rrugës pendohet, nuk mund të kthehet. Ata kanë hy

në një politikë, të cilën vetëm forca mund ta ndalojë. Aty duhet Amerika

si një fuqi e madhe ta kuptojë, dhe të bëjë diçka nëse mundet, e ne mendojmë

se mundet. Kështu që ne ju lusim në emër të këtyre fëmijëve që

Qeveria Amerikane ta shqyrtojë situatën nga kjo pikëpamje. Nuk mundet

që me rezoluta dhe konferenca të ndalet, sepse edhe po të dojë ajo, nuk

mundet të ndalet. Kështu që Amerika mund të bëjë diçka që kësaj force t’i

kundërvihet me forcë, e cila do të jetë në gjendje ta ndali. Po e përsëris,

neve na kanoset rreziku i asgjësimit, sepse krejt kjo forcë që po grumbullohet

në Serbi, ka me u zbrazë në neve dhe në muslimanët. Unë kam

një plan të punës. Këtu nuk është vendi dhe koha. Nëse Qeveria Amerikane

është e interesuar, mund të gjejë mënyrë të vijë. Kam planin se si mund që

kjo të evitohet. Ju po e shifni si po paraqitet MILLOSHEVIQI duke thënë,

populli serb ka të drejtë në vetëvendosje, dhe po i neglizhon dy milionë

shqiptarë. Në Kroaci, përqindja e serbëve është 12 %, këtu janë 90 %

shqiptarë, por kjo për te nuk po ekziston. D.m.th. në skenë keni rastin ta

shifni një lojtar në shah, i cili lëvizë figurat siç don ai, jo ashtu si janë rregullat,

dhe nëse ankoheni, ai ju rrahë. D.m.th. keni të bëni me një pushtet

që nuk ka të bëjë më asnjë rregull, asnjë ligj. Ju thoni, se ne jemi për

dialog, edhe ne jemi për dialog, por shifni si po del pastaj, ata forcën e ne

fjalët, dhe si rezultat kemi, ekonominë tonë të rrënuar, arsimi i rrënuar,

për kulturë as që mund të flasim. Këtu vjen një SHESHEL, ai flet ashtu siç

mendon MILLOSHEVIQI dhe thotë se shqiptarët ne këtu nuk i pranojmë,

ata do të përzinen, bile edhe na provokon, dhe ashiqare, ai dëshiron një

konflikt, i cili do të sillte humbjen e përkrahjes sonë nga Perëndimi. Dhe

raporti i forcave është i tillë që në një konflikt të tillë ne nuk do mundnim

asgjë të bënim. Mirëpo për konflikt, mjafton vetëm njëra anë, për bashkëpunim

duhet dy-tri anë. Ai një, po tregon se po shkon vetëm në konflikt.

Sepse esenca e atij pushteti është e tillë, që nëse ndalen, ata do të vijnë në

situatë që do të konfliktohen me popullin e vet, sepse në Serbi është kaos,

atje asnjë problem nuk është zgjidhur, dhe nëse ata do të ndalen, ata do

të duhej t’i japin llogari popullit të vet, për një situatë që e kanë sjellë

vetë. Për ta evituar këtë ata duhet ta bëjnë një problem më të madh, duke

thënë vëllezërit tanë po vdesin atje, ne duhet t’i mbrojmë. Po na shkon

Kosova, ne duhet ta mbrojmë. Kështu harrojnë një problem më të madh

ashtu që mos të përfillin të voglin. Kështu që ajo qeveri, ai pushtet nuk

mund vetë të ndalet, derisa nuk ndalet nga dikush tjetër. Unë mendoj që

Amerika, mundet, përndryshe sikur mos të mundte, unë nuk do të insistoja,

ka mjete. Ka forcën, ka mundësinë. Unë kam një lidhje të përpunuar,

dhe prapë po them, nëse ju intereson mund të vijë kudo që dëshironi, që

t’ju paraqes. Është mënyrë se si do të shpëtohej ky popull, të shpëtojë edhe

populli serb. Sepse nëse vjen deri te trazirat, nuk do të kalojnë mirë as

serbët, sepse edhe shqiptarët ekzistojnë. Do ta shpëtonim edhe Ballkanin,

do ta shpëtojmë një gjendje që nuk e don askush. Prapë insistoj në atë të

them se, rrugës së bindjes, as MILOSHEVIQI, as ata që qëndrojnë mbas tij,

as ushtria, sepse ajo udhëhiqet nga njerëz të privilegjuar, të stimuluar, ata

paguhen pakufishëm, ata jetojnë si duan ata, dhe nëse fiton demokracia,

ato të drejta ata do t’i humbin, dhe ata nuk e dëshirojnë këtë, sepse ata

janë mësuar. Nga të gjitha pasionet, pushteti është më i madhi, kështu që,

unë ju kisha lutur që tërë këtë çështje ta vështroni nga ky këndvështrim.

Shqiptarët këtu janë të kërcënuar nga asgjësimi, i cili duke qenë popull

duarthatë, nuk është i pregaditur për versionin e mbrojtjes. Ne me të

drejtë kemi besue, që Evropa dhe Amerika do të na mbrojë, dhe ne në këtë

version jemi të pregaditur, edhe Shqipëria po ashtu është vend i vogël,

faktor i vogël, dhe nëse nuk do të ketë nga Perëndimi përkrahje të madhe,

që përmes Shqipërisë të bëhet diçka, atëherë këtij populli i kanoset

një katastrofë e madhe. Dhe mendoj që këtu i pastër nuk mund të dali, as

Evropa as, Amerika, sepse ne po ju alarmojmë qe një vit për këtë. Mirëpo

nëse Evropa dhe Amerika do të ishin aq të dobëta që këtë ta ndalojë, historikisht

nuk do të ishin fajtore, por ne mendojmë që Evropa dhe Amerika,

kanë forcë, kanë mjete, kanë të gjitha instrumentet për ta ndaluar një gjë

të tillë. Sepse nuk është kjo një Rusi, një Kinë. Kjo është një Serbi e vogël, e

cila pa marrë parasysh që ka forcë të madhe në disponim, në krahasim me

të tjerat, nuk është ajo në gjendje t’i kundërvihet një Evrope dhe Amerike”.

Për gjendjen në Universitet foli edhe Rexhep ISMAJLI, i cili tha:

“Sa i përket Universitetit, nuk bëhet fjalë vetëm për një degë, vetëm

për një shkelje, por që çdo ditë, në të gjitha fakultetet, seksionet, degët

et., konstruktohen pretekste të ndryshme nga ato policore, deri në ato të

punës, ashtu që njerëzit të përjashtohen nga fakultetet, ashtu që mos të

mund të punohet. Kjo është taktikë e vazhdueshme e shtetit serb, fillimisht

t’i përjashtojnë, pastaj të thonë se ne ju japim, por s’ka kush të

punojë. Ajo që ka ndodhur në Fakultetin e Mjekësisë, e njëjta po përsëritet

absolutisht në të gjitha fakultetet, dhe për këtë arsye është më vështirë.

Pra qëllimi është i paracaktuar, mbyllja e Universitetit dhe shkollave të

mesme, përveç minimalisht shkollave fillore, ky është qëllimi i këtij shteti.

Nuk bëhet fjalë për vetëm një qeveri dhe pushtet konkret. Jugosllavia

si e tillë është formuar më 1918, ne njëjtë si maqedonët kemi hy në këtë

përbërje në këtë vend, me dhunë. Vendet që e kanë krijuar, d.m.th. shtetet

e mëdha, evropiane dhe të tjerat, maqedonëve ua ka mundësuar, që pas

lufte, megjithatë të shprehin qëndrimin e tyre politik, dhe në bazë të kësaj,

absolutisht shumë më shumë të drejta. Neve një gjë e tillë, nuk na është

mundësuar, e as lejuar. Herën e dytë, më 1945, e njëjta është përsëritur,

me premtimet se do të jetë më mirë. Edhe herën e dytë, njëjtë ka dështuar.

Ndoshta, njëherë shtetet e mëdha do ta kuptojnë që ky projekt nuk mundet

të ketë sukses”.

Ambasadori CIMERMAN komentoi si në vijim:

“Sipas mendimit tim, fotografia e kësaj situate është kolonizim

i pastër. Njerëzit nuk kanë besim në qeveri, dhe qeveria qeveris vetëm

përmes forcës. Kjo sipas mendimit tim është situatë koloniale. Nuk mund

të qëndroj kështu”.

Në përmbyllje RUGOVA tha:

“Z. CIMERMAN, unë juve ju falënderohem. Në lidhje me pyetjet që

i prekëm këtu, edhe mbrëmë ju thashë, se tek njerëzit, është çështja e

Konferencës së Hagës. Krejt kanë besue që ne do të jemi prezentë atje. Ju

na premtoni se ne do të jemi atje si temë, si problem, por do të ishte mirë

që edhe ne të ishim prezentë, sepse çdoherë neve na është bërë gjyqi pa

prezencën tonë. Problemi tjetër është se nëse mbetet kjo Jugosllavi, ose

nëse shkojnë Sllovenia dhe Kroacia, populli nuk sheh asnjë perspektivë

në Jugosllavinë e mbetur. Ky është problem i ri. Neve kurrë nuk na është

mundësuar që të deklarohemi, me Referendum etj. Tani e kanë mbajtur

edhe maqedonët, pra do vijë deri te problemet më të mëdha. Kemi aq

përvojë me qeveritë serbe, historike dhe aktuale, që është vështirë me

e pranue. Munden që më forcë të na masakrojnë, të na shkatërrojnë si

shumë herë, por sipas disa parimeve civilizuese, kjo nuk do të shkonte. “Në

lidhje me zgjedhjet lokale, kjo është pyetje shumë e madhe në këtë situatë,

ne që jemi në parti politike, ne edhe më parë në zgjedhjet parlamentare

të Serbisë, nuk kemi marrë pjesë, edhe tani është shumë pikëpyetje, sepse

sipas Kushtetutës së re serbe, në përgjithësi, krahinat nuk kanë kurrfarë

ingerencash. Tani në këtë situatë, nën këtë represion, aq larg kanë shkuar

gjërat, që askush nga ne s’mund të thotë “po” ose “jo”. Duhet të pyetet vetë

populli, që të mbahet ndonjë referendum, që populli të deklarohet, përndryshe

është vështirë. Ne mund të themi, po shkojmë në zgjedhje, por populli

do të shkojë në anën tjetër, dhe për ne do të jetë vetëvrasje politike”.

Ambasadori CIMERMAN pyeti:

“A jeni të gatshëm të flisni me qeverinë serbe për zgjedhjet?”

RUGOVA u përgjigj:

“Ne kishim folur, dhe do t’i paraqitnim qëndrimet tona. Në zgjedhje

do të shkohej në formën që Kosova të jetë e pavarur nga Kushtetuta

serbe. Nëse dëshirohet ndonjë moratorium, ne do ta shqyrtonim. Ashtu

siç kemi pasë gjithherë këto zgjedhje në Kosovë, çdoherë i kemi pasur,

edhe kur ishte më së vështiri, në kohën e RANKOVIQIT pas luftës, dhe më

vonë. Përndryshe nëse shkojmë sipas Kushtetutës serbe, krejt kjo çka kemi

vuajtur ne dhe populli, dhe nuk ka garancione që do të ndalej, sepse në

atë rast do të legalizohej nga ana jonë ky represion. Kjo tani është pasojë

e Kushtetutës së re serbe, kjo që po bëhet veç një vit, sepse derisa nuk

është suspendua Kushtetuta kosovare, nuk kanë mundur serbët të bëjnë

këtë çka po bëjnë tani, në këtë nivel. “Njerëzit dhe populli po dëshirojnë

ta kenë një referendum që të deklarohemi. Ne si parti politike mendojmë

se kjo do të jetë e rrezikshme, dhe nuk do të njihet nga të huajt. Për

Jugosllavinë, mos të flasim më, nuk e kanë pranuar Deklaratën tonë për

Pavarësi, Republikë, dhe z. QOSJA e tha mirë, nëse krijohen shtete të reja,

shqiptarët do të jenë në 3,4 shtete të reja në Jugosllavi, si pakica, dhe kjo

është një tragjedi e re, e cila na pret. Ju faleminderit, të gjithë e tham se

me juve e kemi zemrën e hapur. Faleminderit që në këto kohëra të vështira

për neve, keni gjetur kohë të na vizitoni dhe të na ndëgjoni. Mendoj se

jeni informuar mirë, është vështirë që të flasim për atë çka ndodh për çdo

ditë në Kosovë”.

Ambasadori CIMERMAN në fund tha:

“Ju duhet të jeni të bindur se kur do të flas me Zhivorad IGIQIN, pa

marr parasysh se çka do të thotë shtypi serb, unë do t’ia them saktë se

cili është qëndrimi ynë ndaj Kosovës. Sepse mendoj se ai duhet ta dëgjojë

këtë drejtpërdrejt nga ne. Kjo bisedë ka qenë shumë me rëndësi për ne dhe

ju falënderoj. Ju shumë në mënyrë të sinqertë, qartë keni shprehur qëndrimin

tuaj në këtë situatë që është shumë serioze. Ne nuk mundemi t’ju

këshillojmë se çka të bëni, është e juaja të zgjidhni, dhe e di që nuk është

aq lehtë, por unë kam shumë besim në udhëheqësinë e popullit shqiptar

në Kosovë. Unë kam pasur rastin që të njoftohem me shumicën nga ju, dhe

unë mendoj se ju jeni shumë të moderuar, dhe ju falënderoj që na keni

pranuar këtu që të flasim me ju”.

Takimi përfundoi me pyetjen e Kryetarit rreth mundësisë për një komunikatë për media, për të cilën gjë ambasadori CIMERMAN u pajtua.

Mendoj se ky takim ishte i një rëndësie fundamentale për rrjedhat e mëtutjeshme dhe për njohjen e gjendjes reale dhe pozicionet e shqiptarëve të Kosovës. Gjithashtu mendoj se në këtë takim ku ishin të pranishëm njerëzit më eminentë të politikës dhe inteligjencës shqiptare, u vulos përkrahja e Amerikës për politikën paqësore të cilën RUGOVA jo pa mundime arriti ta aplikojë deri në luftë.