Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ka kujtuar sot protestën e përgjakshme, ndërsa ka publikuar një video në Facebook, ku shihen punonjësit e Gardës duke qëlluar me armë mbi protestuesit. Ai shprehet se nesër shënohen 14 vite nga 21 Janari i vitit 2011, ku 4 protestues u vranë në bulevard para Kryeministrisë ndërsa në qeveri ishte Sali Berisha. Balla nxjerrë edhe deklaratat e Berishës, duke e akuzuar atë si ‘urdhërues politik të vrasjeve në Bulevard’.

“Po preke gjënë më të vogël do jenë 5 snajperë, 4 në të katër anët, dhe unë në atë dritare dhe në mënyrë absolute do goditet, vetëm po s’e shpoi plumbi”, shprehet Berisha në një deklaratë të vitit 2011, të përfshirë në videon e publikuar nga Balla pak orë pasi Berisha nxori disa përgjime para SPAK-ut, me pretendimin se aty përmendej ministri.
Në prag të përvjetorit të 14-të të vrasjes së 4 protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Balla kërkoi drejtësi, duke nderuar kujtimin e viktimave Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Të vetmit të dënuar për këtë krim janë ish-komandanti i Gardës së Republikës Ndrea Prendi me një vit burg dhe gardisti Agim Llupo me tre vite burg, por jo urdhëruesi. 14 vjet më vonë, ende nuk ka as drejtësi të pjesshme për Aleks Nikën, vrasjen e të cilit në një vendim të saj Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut thotë se duhet të zbardhet si një krim shtetëror, ndërsa SPAK ka një hetim në proces.

“Vdekja e tyre është një krim shtetëror dhe njollë e errët që rëndon në karrierën politike të Sali Berishës pas firmave piramidale që i vunë flakën Shqipërisë më 1997-ën dhe shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec në mars të 2008-ës”, thotë ai ndër të tjera.
Përveç dosjes së aferës “Partizani”, ku prej më shumë se një viti Sali Berisha është nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK për korrupsion pasiv, ka hetime aktualisht nga Prokuroria e Posaçme edhe për dosjen e 21 Janarit, e cila nuk është zbardhur plotësisht.