Nga Eduard Zaloshnja

Në listën paraprake të zgjedhësve janë pothuaj 3.73 milionë shtetas në moshë për votim. Nga këta, rreth 1.93 milionë banojnë në Shqipëri (bazuar në Cens-23 dhe koeficientët e vdekshmërisë, emigracionit dhe mbushjes së moshës 18 vjeç). Pjesa tjetër, rreth 1.8 milionë zgjedhës, banojnë jashtë Shqipërisë.

Qysh nga data 11 janar, kur filloi regjistrimi i emigrantëve në KQZ, janë regjistruar mesatarish 4100 kërkesa në ditë. Në qoftë se kërkesat do të vazhdojnë me këtë ritëm, në fund të periudhës 3-mujore të regjistrimit do të kemi rreth 370 mijë kërkesa.
Ky numër përputhet pak a shumë me ekstrapolimin e përafërt të votuesve nga emigracioni që më rezultoi në sondazhin e fundit që zhvillova për Report TV. Por teksa mund të ekzistojë dëshira për të votuar nga emigracioni e 370 mijë zgjedhësve, realiteti tregon se janë miratuar vetëm 65% e kërkesava të shqyrtuara nga KQZ deri më sot. Me këtë ritëm miratimi, i bie që të miratohen deri në fund rreth 240 mijë kërkesa. Dhe është logjike të mendohet se ata që do të miratohen nga KQZ do ta dërgojnë votën e tyre me postë.

Po cilën parti do të ndihmojnë më shumë votat nga emigracioni?

Le t’i kthehemi sondazhit të sipërcituar. Nga ekstrapolimi i përafërt i përqindjeve e këtushme të partive në sondazh, rezulton se pothuaj 1.45 milionë zgjedhës të këtushëm janë të gatshëm të votojnë qysh sot – rreth 720 mijë për PS, rreth 460 mijë për PD, rreth 230 mijë për partitë e reja, dhe rreth 40 mijë për partitë e tjera të vogla.

Ndërsa duke ndërthurur shifrën e mësipërme 240 mijë me përqindjet në emigracion të partive në sondazh, rezulton se PS-ja do të merrte sot rreth 130 mijë vota nga emigracioni, PD-ja rreth 70 mijë, partitë e reja rreth 38 mijë, dhe partitë e tjera të vjetra rreth 2 mijë.
Duke mbledhuar votat e këtushme me ato nga emigracioni, PS-ja do të merrte sot rreth 850 mijë vota, PD-ja rreth 530 mijë vota, partitë e reja rreth 268 mijë vota, dhe partitë e tjera të vjetra rreth 42 mijë vota. Pra epërsia e PS-së ndaj PD-së do të rritej prej emigrantëve nga 260 mijë vota epërsi, në 320 mijë vota epërsi.

Me afrimin e zgjedhjeve ndoshta do të shtohet numri i zgjjedhësve të këtushëm që e ndajnë mendjen për të votuar. Gjithashtu mund të rritet edhe ritmi ditor i kërkesave të emigrantëve për t’u regjistruar në KQZ. Sidoqoftë, në këtë fillim të procesit, duket se votat e emigrantëve do të ndihmojnë PS-në që ta rrisë epërsinë e këtushme ndaj rivales së saj kryesore PD.