Nga Mero Baze

Një nga dallimet kryesore një vit më parë mes Gazment Bardhit dhe Sali Berishës ishte që Bardhi besonte te Reforma në Drejtësi dhe SPAK-u, ndërsa Berisha refuzonte t’i përmendte edhe emrin SPAK-ut. Për të kapërcyer këtë pengesë që e ndalonte të afrohej te “rrugica poshtë penxheres së Berishës”, Bardhi shpalli atë që e quajti “bashkim në diversitet”, si një mënyrë për të vënë përparësi bashkimit dhe jo betejës së Berishës me drejtësinë.

Një vit më pas, dhe vetëm një muaj para shpalljes së listave për deputetë, Bardhi duket se gjeti një alibi për të justifikuar bashkimin e plotë me Berishën. Mori një nga gënjeshtrat e Berishës, atë që lidhej me Olsi Ramën, dhe e dërgoi për verifikim në SPAK, duke pritur përgjigjen.

Përgjigjja zyrtare e SPAK-ut erdhi dje: nuk ka asnjë fakt që lidh Olsi Ramën me historinë e Xibrakës. Vetë Bardhi, në atë që e quajti herë padi, herë informacion për SPAK, nuk dorëzoi prova, por thjesht pyeti: “A është e vërtetë ajo që thotë Berisha për Olsin?” Dhe SPAK-u iu përgjigj se nuk është e vërtetë.

Nëse qëllimi i tij ishte sqarimi i një çështjeje dhe ai besonte te SPAK-u, Bardhi duhej të falënderonte SPAK-un dhe t’i kërkonte ndjesë Olsi Ramës. Por në vend të kësaj, ai provoi se pyetja e tij nuk kishte të bënte me zbardhjen e së vërtetës, por me gjetjen e një mënyre për të braktisur imazhin e mbrojtësit të SPAK-ut dhe për t’u afruar me Berishën.

Kjo u bë e qartë dje, kur Bardhi përdori gjuhë të njëjtë me atë të Berishës kundër SPAK-ut. Diferenca që i ndante një vit më parë – qëndrimi i ndryshëm ndaj SPAK-ut – tani është zhdukur dhe të dy flasin njësoj.

Kjo histori me Olsi Ramën dhe “kërkesa për informacion” në SPAK ishte thjesht një justifikim për t’i treguar Berishës se ai kishte të drejtë për SPAK-un dhe se tashmë Bardhi ishte në të njëjtën vijë.

Kjo i jep Berishës një arsye më shumë për ta futur Bardhin në listat e deputetëve.

Nëse Berisha dëshiron prova të mëtejshme, Bardhi mund të shkojë më tej duke sulmuar edhe gruan e Alibeajt në Gjykatën Kushtetuese, pse bashkjeton pa leje të Berishës me Alibej, për të dëshmuar se është gati të sakrifikojë gjithçka për të siguruar vendin e tij në lista.

Nga ana tjetër, Olsi Rama ka të drejtë të padisë për shpifje ose të dorëzojë një kallëzim për deklarata të rreme.

Por, për të, kjo çështje nuk ka ngut. Për Gazin, megjithatë, koha po shkon, sepse lista duhet mbyllur këtë muaj, dhe ai tashmë ka dhënë provën se nuk beson më te SPAK – jo sepse SPAK nuk bën drejtësi, por sepse nuk i shndërron në padi fjalimet e Sali Berishës.