Drejtuesi politik i PD-së në Qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj ka dalë kundër kryetarit të partisë Sali Berisha në lidhje me deklaratën e tij, se kushdo prej kryetarëve të degëve të PD-së që kërkon të marrë pjesë në procesin e Primareve dhe të jetë kandidat për deputet, fillimisht duhet të japë dorëheqjen nga posti që mban.

Sipas Leskaj, kryetarët e degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh. Ai shton më tej se çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.

Bujar Leskaj shprehet se Primaret, së pari duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj drejtuesve politikë në Qarqe ose në të kundërt sipas tij, çdo drejtues politik, po nuk ju nënshtruan Primareve, të vendosen në listën e hapur.

Depuiteti shprehet se kryetarët dhe sekretarët e Degëve, qofshin aspirantë apo jo për deputetë të ardhshëm duhet të kualifikohen të votëbesuar, për t’u nominuar në përzgjedhjen e kandidatëve, në ndërtimin e listës përfundimtare.

Reagimi i plotë i Bujar Leskajt:

Roli i institucionit të kryetarëve të Degëve, ka qenë jetik në të gjitha zhvillimet që ka pasur Partia Demokratike këto vite, veçanërisht në vitet e Rithemelimit, për mbajtjen konstante të frymës së saj në bazë, duke mbajtur lidhjet jo vetëm me anëtarësine e bazën e Partisë Demokratike, por mbarëvajtur të gjitha format e organizimit të aktivitetit politik të saj.

Kryesia e Partisë Demokratike nuk duhet të harrojë se kryetarët e Degëve ishin nga të parët që u afruan në procesin e rithemelimit dhe qëndruan konseguent gjatë këtyre viteve.

Kryetarët e degëve të Partisë Demokratike, së bashku me Kryetarin e PDSh-së Prof.Dr.Sali Berisha, janë institucionet e vetme brenda Partisë Demokratike të dalë nga vota e demokratëve me parimin “një anëtar, një votë”, sikurse dhe sekretari i Përgjithshëm z.Flamur Noka, i votuar (me votim të fshehtë e garë) nga Këshilli Kombëtar.

Kujtoj, se në Qarkun e Vlorës, kemi dhe kryetar Degësh të votëbesuar dy herë, në harkun kohor të tre viteve, në Degën e PD Selenicë dhe Sarandë.

Në këndvështrim tim kryetarët e Degëve të Partisë Demokratike nuk kanë pse të dorëhiqen nga pozicioni, të cilën e kanë fituar e mbajtur me votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike, si votëbesim e proces i mirëfilltë primaresh.

Çdo ndryshim i këtij parimi do të përbënte një shkelje të frymës demokratike që Partia Demokratike përfaqëson.

Kryetarët dhe sekretarët e degëve, janë individë, të cilët kanë mbartur aktivitetet partiake në degët e qyteteve të tyre, duke qenë valenca politike më e lartë e frymës së Partisë Demokratike në qytetet përkatëse.

Primaret, së pari duhet të fillojnë nga votëbesimi ndaj drejtuesve politikë në Qarqe ose në të kundërt çdo drejtues politik, po nuk ju nënshtruan Primareve, të vendosen në listën e hapur.