Nga Denis Dyrnaja

Ish- zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj doli për të tretën herë në një intervistë televizive për të rrëfyer fakte që implikojnë sipas tij, Kryeministrin dhe anëtarë apo ish anëtare të qeverisë në kompromentime me detyrën. Sigurisht që është i dukshëm dhe i kuptueshëm dufi i akumuluar ndaj bashkësisë ku Ahmetaj bëri pjesë si njeri i angazhuar politikisht por edhe administrativisht pra në PS, pas ditës kur SPAK-u nisi procedimin penal ndaj tij. Ahmetaj rrëfen për episode ku ai pretendon se ka qenë dëshmitar apo aktor në rolin e tij si ish- ministër financash apo ish- zv.kryeministër.

Çështja e vërtetësisë së tyre mbetet e prezumuar, pra derisa është e pavërtetuar ligjërisht mbetet një denoncim publik, por që shoqërohet me pikëpyetjet e veta derisa të ketë një hetim shterues dhe vendim gjyqësor të çdo denoncimi prej tij. Psh ish- zv.kryeministri përmendi një rast ku Kryeministri Rama ka kërkuar të japë me koncension borxhin publik të shtetit tek një mik i tij izraelit dhe se në cilësinë e Ministrit të Financave kishte refuzuar që kjo të ndodhte duke i argumentuar Ramës se kishte dyshime për pasojat që mund të prodhonte kjo vendimmarrje. Dhe në fakt vendimmarrja nuk ka ndodhur.

Tani fakti që kjo aferë nuk ka ndodhur tregon se në fakt Rama në këtë rast ka bërë një propozim dhe është tërhequr duke pranuar arsyet e një anëtari të qeverisë që në këtë rast i bie të ishte zoti Ahmetaj. Pra praktikisht e bën përgjegjës Kryeministrin ky propozim i pakryer? Sigurisht që jo. Ai këtë detyrë ka të orientojë politikisht zgjidhje dhe opsione. Stafit dhe bashkëpunëtorëve të tij i takon ta këshillojnë për t’i treguar çfarë është e ndaluar dhe çfarë është e lejuar nga ligji.

Pra shkelja e ligjit nuk ka ndodhur, por edhe nëse supozohet se ka ndodhur, a merr përgjegjësi vetë Ahmetaj që nuk e kallëzoi këtë shkelje të ligjit në kohë?! Pra ndërsa ndjek rrëfimin e ngjarjeve që shpalos ish zv/kryeministri bie në sy qartësia e paqartësisë së tij se cili është qëllimi?Që kryeministri dhe një grup bashkëpunëtorësh të tij kanë kryer shkelje dhe Arben Ahmetaj jo?! Që të gjithë kanë kryer shkelje dhe o shkojnë të gjithë para drejtësisë ose asnjëri?! Apo unë do të vazhdoj të flas derisa represioni gjyqësor dhe penal ndaj meje nuk do të ndalet nga regjia politike e kryeministrit, që Ahmetaj beson dhe ka bindjen se komandon përmes SPAK-ut dhe Gjykatës Speciale GJKKO.

Pra mbetet e paqartë çfarë po kërkon Arben Ahmetaj sot dhe çfarë misioni ka ai kur iu drejtohet shqiptarëve? Të shpëtojë veten si i penduar, të shfajësojë veten duke pretenduar se gjithçka në veprimtarinë e tij politike dhe publike është e pastër apo koka e turkut nuk mund të jem vetëm unë. Nëse po i dërgon mesazh Ramës të ndalë SPAK-un kjo dukshëm nuk do ndodhë së pari se edhe nëse Rama e kontrollon Prokurorinë dhe gjyqësorin do ta kishte bërë këtë që Ahmetaj po kërkon në këmbim të heshtjes së tij dhe së dyti nëse ka kontroll mbi gjyqësorin nuk do kishte marrë kaq shumë kosto politike sa po merr sidomos para zgjedhjeve me gjithë këto afera që përfliten në publik por edhe ato që janë në hetim dhe pse duken si hetime të ngadalshme pse të pjesshme.

Sigurisht pas deklarimeve të Ahmetajt SPAK-u ka për detyrë të nisë procedime kryesisht për të vërtetuar gjithçka Ahmetaj thotë e pretendon, por kjo nuk e lehtëson pozitën e tij, por thjeshtë rëndon pozitën e kolegëve të tij dhe vartësve të Ramës.

Ndaj Ahmetaj foli qartë për disa çështje ku ai del si denoncues por la të paqartë rolin e tij nëse është fajtor i penduar, apo i pafajshëm dhe i diskriminuar.