Kreu i Partisë Demokratike ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi pretendimin e tij lidhur me paligjshmërinë e vendimit që e la për gati një vit në arrest shtëpie. Në një komunikim me mediat, Berisha i cilësoi anëtarët e gjykatës si repart politik të Partisë Socialiste.

“Ajo është një gjykatë që është gjykata më politike. Është faktuar kjo. Ajo i merr urdhrat nga Edi Rama, nga Engjëll Agaçi. Këtë do e nxjerrësh kështu, atë do e nxjerrësh ashtu. Këta bëhen qesharakë. Këtu thonë që Irena me 5 mbiemra është gjykuar, po ajo nuk është gjykuar. Para tre javësh thanë se nuk është gjykuar Është në kaos të plotë. Është një gjykatë mjerisht shumë kaotike. Nuk respekton as parimet më elementare të konfliktit të interesit. Parimet më elementare të të drejtave. Gjykon për gjëra që nuk i kemi gjykuar.

Kreu i PD njoftoi se shumë shpejt do të hapet gara për primaret brenda partisë. Berisha tha se do të zbatonte statutin që kanë miratuar të të gjithë demokratët.

“Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet. Siç e shihni ka një përqendrim shumë të madh për votën e diasporës dhe faktikisht ne e kemi decentralizuar. Pra janë shumë drejtues tonë, lokalë dhe qendror që ndodhen sa në Shqipëri dhe në vende të tjera në kontakt që të mund të realizojmë regjistrimin sa më të madh të votuesve tanë jashtë vendit. Shumë shpejt do të hapet dhe gara për deputetë dhe për gjithë procesin”.

Berisha shprehu dhe rezerva për regjistrimin e votës së diasporës. Ai u shpreh se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shmang ndërhyrjet e PS dhe të shtojë stafin e operatorëve për regjistrim.