PSG-Manchester City ishte padyshim “Big Match-i” i raundit të 7 të Fazës së Ligës në Champions League. Të dyja skuadrat larg 8 skuadrave më të mira rrezikonin madje edhe pjesëmarrjen në Play-Off me parizienët që në prag të ndeshjes ishin jashtë grupit të skuadrave që do të luajnë në play-off. Pjesa e parë ishte e vakët me shumë pak raste edhe me skuadrat që nuk guxuan shumë. Por kush mendoi se e gjithë ndeshja do të ishte e tillë u gabua rëndë, pasi bashkë me reshjet e shiut në Parkun e Princave, do të vërshonin edhe golat. City e nisi në mënyrë perfekte fraksionin e dytë, teksa gjeti dy herë rrjetën me Jack Grealish dhe Erling Haaland, me të dyja golat që erdhën si pasojë e gabimeve në mbrojtje tek parizienët.
Por reagimi nga ana e PSG ishte ajo e një skuadre të madhe, me karakter e që nuk dorëzohet lehtë. Osmane Dembele dhe Barcola arrijnë të rikthejnë ekuilibrat brenda 4 minutash lojë. Sfida u mendua se po shkonte drejt një barazimi, por Joao Neves pavarësisht shtatit të tij të shkurtër me kokë do të gjente golin e epërsisë. Në fund do të ishte sulmuesi portugez Gonçalo Ramos, që do të shënonte golin e 4, duke bërë poker, me parizienët që marrin frymë, pas këtij suksesi, teksa parakalojnë anlgezët në renditje, duke shkuar në kuotën e 10 pikëve, ndërsa ekipi i Pep Guardiolës mbetet prapa, teksa për momentin janë jashtë edhe zonës play-off, në vendin e 25, me 8 pikë.
Më shumë e i lumtur nga lojtarët e tij, pas ndeshjes ishte tekniku spanjoll i parizienëve, Luis Enrique: “Nuk di se si ta them në frëngjisht, por kjo ndeshje ishte shumë e çuditshme.Pjesa e parë ishte e vështirë për të dyja skuadrat, por me fillimin e pjesës së dytë pësuam dy gola të shpejtë. Ishte e pabesueshme dhe e padrejtë. Por me ndihmën e tifozëve, të cilët dua t’i falënderoj pasi ishte fantastik, ne arritëm të përmbysnim ndeshjen, ndaj fitoren ia dedikoj atyre”.
Ndërkohë momenti negativ nuk ka fund për Manchester Cityn dhe Guardiolën, me spanjollin që jo vetën nuk fsheh zhgënjimin, por paralajmëron edhe faktin se skuadra e tij ka shanse reale për t’i thënë lamtumirë Championsit përpara kohe:
“Ne kemi sfidën e fundit ndaj Brugge dhe me shpresë mund të arrijmë të kualifikohemi. Nëse nuk do të fitojmë do të thotë se nuk e meritojmë të shkojmë më tej. Na duhet të pranojmë, ne kemi grumbulluar shumë pak pikë deri tani, ndaj jemi të rrezikuar. PSG ishte më lart se sa ne dhe kur një skuadër luan më mirë se sa ti, atëherë nuk të ngelet gjë tjetër vetëm se sa ta pranosh verdiktin”.
Ndërkohë në të njëjtën linjë me fjalët e Pep Guardiolës, qëndrojnë edhe tabloidët britanikë, që nënvizojnë faktin e hedhjes poshtë të mundësisë për të marrë pikë për “qytetarët” kur ishin në avantazh të dy golave.