Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesën në eventin që po zhvillohet te Piramida, ku po prezantohet platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, “Plug and Play”.

Rama tha se qendra “Plug and Play”, është një gur i rëndë kilometrik në transformimin rrënjësor të Shqipërisë dhe në tatëpjetën që kemi për të ngjitur në majën e 2030.

Rama: Në këtë botë nuk ka rëndësi ku je, kush je, çfarë ngjyre ka lëkura jote, çfarë feje i përket apo nëse e mallkon Zotin nga mëngjesi deri në darkë, çfarë gjuhe flet. Rëndësi ka çfarë fantazie dhe rëndësia që ke për t’u dalluar nga të tjerët. Duhet edhe aksesi në hapësira si kjo e “Plug and Play”.

Jam shumë i emocionuar sot, jo se më kanë munguar eventet për të pasur emocione, por në rastin konkret është një gur i rëndë kilometrik në transformimin rrënjësor të Shqipërisë dhe në tatëpjetën që kemi për të ngjitur në majën e 2030.

Sot ne kemi pozicionin më të përparuar në qeverisjen digjitale në të gjithë rajonin, jemi në pjesën e sipërme të klasifikimit edhe në Europë, sepse ofrojmë 95% të shërbimeve publike online. Fale sistemi të ri qe kemi krijuar, ofrojmë mbi 45 milionë shërbime online.

E kemi nisur nga bishti, me një numër qesharak. Sot kemi mbi 3 milionë përdorues, individë apo biznese, e kemi nisur më pak se 50 mijë përdorues. Edhe ata ishin regjistruar sepse nuk merrnin shërbime.