Nga Eduard Zaloshnja
Të drejtën kushtetuese për të votuar më 11 maj e kanë rreth 3.73 milionë shtetas shqiptarë, që deri atëherë do të jenë 18 vjeç e sipër. Por në qoftë se nuk bëhen ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor (me të paktën 84 vota në Kuvend), mundësinë praktike për të votuar do ta kenë vetëm 2.87 milionë zgjedhës.
Pothuaj 700 mijë shtetas në listat e zgjedhësve kanë dokumente biometrike shqiptare, por afati i rinovimit të tyre ka kaluar. Për këta, është rënë dakord mes dy partive të mëdha parlamentare (PS e PD) që të votojnë, për sa kohë dokumentet e tyre e vërtetojnë identitetin e personit në mënyrë biometrike.
Pothuaj 160 mijë shtetas në listat e zgjedhësve nuk kanë fare dokumente biometrike shqiptare, por mund të kenë dokumente biometrike të vendeve ku jetojnë. Për këta, nuk është rënë dakord mes dy partive të mëdha parlamentare (PS e PD) që të votojnë. Sipas PD-së, këta duhet të votojnë, për sa kohë dokumentet e tyre e vërtetojnë identitetin e personit në mënyrë biometrike. Ndërsa sipas PS-së, këta nuk duhet të votojnë, për sa kohë nuk kanë një dokument biometrik shqiptar.
Dhe PD-ja ka vënë veton për ndryshimet që do të lejojnë 700 mijë zgjedhësit me dokumente shqiptare biometrike të skaduara, në qoftë se nuk lejohen të votojnë edhe 160 mijë zgjedhësit pa dokumente shqiptare biometrike. Pra prej rreth 160 mijëve pa dokumente shqiptare, rrezikohen rreth 700 mijë me dokumente shqiptare të skaduara.
Një kompromis duhet gjetur për këtë çështje. Sepse në fund të fundit, shumë pak prej 160 mijëve pa dokumente shqiptare biometrike ndoshta do të votojnë. Kur s’e kanë marrë mundimin të nxjerrin një dokument shqiptar biometrik qysh nga 2009-ta (kur filloi lëshimi i tyre), shumica dërrmuese zorr se do ta marrë mundimin të regjistrohet në KQZ për të votuar, e pastaj ta dërgojë votën me postë…
SHËNIM: Deri më sot, vetëm 70 mijë zgjedhës nga emigracioni (nga 1 milion e 800 mijë gjithsej) e kanë plotësuar saktë kërkesën e tyre për votim në KQZ