Partia Demokratike, edhe pse jemi më pak se katër muaj larg zgjedhjve parlamentare të 11 majit, do të zhvillojë procesin e primareve. Gazetari Ardit Hoxha, i ftuar në “Quo Vadis” në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt gjykon se opozita nuk ka kohë që të zhvillojë primaret. Ai gjithashtu tha se ky proces ka sjellë edhe përplasje brenda partisë, dhe ka zbuluar në studio një sherr në degën 2 në Tiranë, përplasje e cila ka shkuar deri te Sali Berisha.

Ardit Hoxha: Jemi më pak se 4 muaj larg zgjedhjeve dhe akoma nuk e kemi rregulloren e primareve. Elementi kohë është në disfavor të PD për të zhvilluar këtë proces. Për një kryetar dege, të degës 2 në Tiranë është bërë nëj sherr i madh që ka shkuar përplasja deri të Sali Berisha dhe u desh që kryetari i partisë të merrej me 72 degë. Imagjinoni që Berisha në javën e dytë të shkurtit do jetë duke zgjidhur sherret…duke u marrë me këto sherre do vazhdojnë ditët dhe do jemi në situatën që dy apo tre javë para zgjedhjeve Sali Berisha në vend që të bëjë fushatën do jetë duke u marrë me sherret brenda partisë. Edhe në zgjedhjet e 2023 pamë që ai që humbiste përballë kolegut të tij brenda partisë në rastin më të mirë të mundshëm nuk bënte fushatë, në rastin më të keq shkonte te PS dhe thoshte ato vota po i sjell te ju.

Ivi Kaso, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, i pranishëm në studio pranoi se elementi kohë është i rëndësishëm.

Ivi Kaso: Elementi kohë është i rëndësishëm. Për sa kohë synohet të garohet me një listë të vetme kjo listë do të jetë ajo e koalicionit, vendin më të madh do ta ketë PD. Në zona të caktuara do negociohet dhe ky është një proces që e kondicionin zhvillimin e primareve. Së dytë është procesi në të cilin janë angazhuar pjesa më e madhe e anëtarëve te PD, që është regjistrimi i emigrantëve. Energjitë kryesore të të gjitha partive besoj se janë derdhur në këtë proces.

Ndërsa politologu Ermal Hasimja, tha se primaret e ndihmojnë partinë në disa aspekte, por e pengojnë në aspekte të tjera.

Ermal Hasimja: E ndihmojë në disa aspekte, e pengojnë në disa aspekte. Partitë janë bashkime vullnetare, mund të bëjnë çfarë yë duan me menyrën e organizimit. Një parti mund të vendosë dhe thjeshtë të ketë një lidership të fortë, mund të jetë e shtrirë, horizonlate, demokratike etj. Tek aspketi i primareve, konkurrenca brenda partisë…ka një gjë që nuk shikohet shpesh, tensioni që merr një parti nga jashtë dhe nga ana tjetër elementit të brendshëm. Ky element i brendshëm përcaktohet me strategjitë klasike të partive.