Pragë, Çeki
Kubik-Prodës: “Përgëzime për angazhimin, përkushtimin dhe rezultatet e arrira në luftën kundër krimit. Policia çeke ofrohet për të qenë mbështetëse dhe mentore e Policisë shqiptare, për hartimin dhe prezantimin e projekteve të ndryshme, të cilat ndihmojnë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, gjatë vizitës zyrtare në Pragë, pas takimit të zhvilluar mes dy ministrave të brendshëm, kanë zhvilluar një takim pune me Zëvendëspresidentin e Policisë çeke Gjenaral Major Tomas Kubik, pasi Presidenti i Policisë, për shkak të një axhende emergjente, nuk ishte në Pragë.
Drejtor Proda dhe Gjeneral Kubik ndanë vlerësime të njëjta për bashkëpunimin dhe u dakordësuan që ky bashkëpunim të thellohet akoma më shumë, jo vetëm në kuadër të shkëmbimit të informacionave, mbështetjes logjistike për Policinë Rrugore apo për patrullime të përbashkëta gjatë sezonit veror, por dhe në fusha të tjera.
Kubik: “Bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy policive kriminale dhe atë në fushën e sigurisë, t’i shtrijmë në të gjitha fushat e tjera, në interes të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe të rritjes së parametrave të sigurisë, pasi si në Çeki dhe në Shqipëri ka prani të shtuar të qytetarëve të të dy vendeve, si vizitorë, turistë, por dhe për qëllime biznesi. Me këtë lëvizje të shtuar, padiskutim që lëviz dhe elementi kriminal.”
Nallbati dhe Kubik siguruan Drejtor Prodën se dy Policitë Kriminale do të bashkëveprojnë në koordinim dhe me agjencitë ligjzbatuese Interpol, Europol dhe të tjera, për të hetuar dhe goditur krimin e organizuar, korrupsionin, pastrimin e parave, terrorizmin dhe emigrimin e paligjshëm”.
Drejtor Proda theksoi se Policia e Shtetit e ka të qartë rrugën e saj, rrugë e cila ka vetëm një drejtim, bashkëpunimin e ngushtë, profesional, të barabartë dhe të bazuar në besueshmëri, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, për të luftuar krimin që është global dhe që kërkon patjetër bashkim forcash, vlerash dhe idesh.