Programi për masivizimin e sportit në arsim ka sjellë rezultate shumë të mira. Kjo është ajo që ka thënë Ministrja e Shtetit për të Rinjtë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, në mbrëmjen ceremoniale për sportistët shqiptarë. Muzhaqi tha se mbi 12 mijë nxënës iu bashkuan këtij programi.

“Masivizimi i sportit në shkolla ka një ndikim shumë të madh pozitiv. Kjo tregohet edhe nga fakti që shumë të rinj e kanë përqafuar këtë program”, tha Muzhaqi.

Ministrja vuri në dukje se falë këtij programi u ndërtuan tre breza të rinjsh që sportin do ta marrin gjithmonë me vete.

“Në çdo shkollë që shkoj të rinjtë kërkojnë të bëhen pjesë në programin e ekipeve sportive. Ky është treguesi më i mirë që masivizimi i sportit ka qenë projekt i suksesshëm. Të rinjtë dhe prindërit e tyre kërkojnë që ky program të jetë edhe në shkollat e tyre. Ia kemi dalë të ndërtojmë tre breza të rinjsh që sportin do ta marrin gjithmonë me vete”, tha ajo.