Nga Namir Lapardhaja/
Pasi i ndau, i rrahu, i shau, i keqpërdori, i akuzoi, i linçoi, i futi në konflikt dhe përçarje me njëri-tjetrin, nuk i dëmshpërbleu, u dha pronat e tyre komunistëve, i bëri pis një pjesë të tyre për herë të dytë ngjashëm me metodat e sigurimit të shtetit, duke përdorur dosjet për armiqtë dhe duke i mbajtur fshehurazi për ‘miqtë’, Berisha mblodhi sot një pjesë të të përndjekurve politikë dhe i poshtëroi publikisht.
Duke krahasur të pakrahasueshmen, i tha se vuajtja dhe burgimi i tyre dikur është i ngjashëm me atë të Ilir Metës sot. Më shumë se sa fyerje, kjo është tallje, më shumë se sa të evidentohet, kjo duhet të përçmohet, por, kur bëhet për atë që ka pasur shumë në dorë dhe ka bërë kaq pak, pa reagim nuk mund të lihet.
Poshtërimi nuk ka anë e udhë, kur krahason vuajtjen e tyre nga një prej regjimeve më të egra të krejt Evropës, që s’kishte as din e as iman, as logjikë e as derman, as mëshirë e as ndjenjë, sepse ishte pjellë e shejtanit, me ‘vuajtjen’ e një politikani si Ilir Meta, për të cilin, thuajse, e gjithë shoqëria shqiptare dakordëson se është i korruptuar, edhe sikur gjykata t’i japë certefikatë ‘virgjërie’, që ka gjasa të ngjajë aq sa shanse ka gomari të fluturojë.
Nga këto fyerje për një shtresë të tërë shoqërore, vetëm Sali Berisha mund të bëjë. Ndiej keqardhje edhe për ata bashkëvuajtës që ia dinë për nder këtij ish-sekretari partie në qeverisjen e tij të parë se iu gjeti nga një vend pune si polic apo pozicione të ngjashme. Përtej respektit për profesionin, edhe në ato vende, i vendosi për t’i poshtëruar, për t’i futur në konflikt me pjesën tjetër të shoqërisë, për të mbajtur peshën e korrupsionit dhe të keqqeverisjes.
Por të gjitha mund t’i faleshin dhe t’i bëheshin kabull përveçse këtij krahasimi të vuajtjes së tyre me këtë të një hajduti të certefikuar me zë dhe figurë si Ilir Meta. Me pak fjalë, u tha që ju jeni hajdutë si ai.
Kjo nuk mund të falet. Kjo meriton të dënohet, në zgjedhje të mosvotohet dhe pushtetin të mos e shoh kurrë me sy.