NGA EVARIST BEQIRI

“Për të triumfuar, kemi nevojë për udhëheqës të frymëzuar nga idealizmi, udhëheqës me vizione madhështorë, që ëndërrojnë të pamundurën dhe luftojnë për t’i bërë ëndrrat realitet; që mund të ndezin shpirtin e popullit me zjarrin e shpirtit të tyre. Udhëheqësi i momentit, kushdo qoftë ai, është thjesht një mjet, që përdoret derisa të konsumohet dhe më pas lihet mënjanë; dhe nëse ai vlen diçka, nuk do të shqetësohet më shumë kur ai të “thyhet” sesa një ushtar që sakrifikon jetën e tij për fitoren.”

Theodore Roosevelt, ish-president i SHBA-së

Një vend që nuk ka memorie, është një vend që nuk ka të ardhme. Dorëheqja e Ismail Qemalit nga posti i kryeministrit të parë të Shqipërisë në Vlorë, më 22 janar 1914, mbetet edhe sot e gjithë ditën një nga ngjarjet më domethënëse, por edhe më të keqkuptuara në historinë e Shqipërisë. Por le të përpiqemi të kuptojmë arsyen, pse!?

Më 2 janar 1914, vetëm pak ditë para dorëheqjes së tij nga kryesimi i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i shkroi një letër prefektit të Elbasanit Aqif Pashës. Në këtë letër Ismail Qemal Vlora analizonte me një qartësi mbresëlënëse situatën politike në vend dhe tregonte rrugën drejt së ardhmes: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm tërë mbretëritë ta pranojnë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik dhe prandaj është e domosdoshme për paqen botërore të Evropës dhe me ndihmën e perëndisë, nuk ka mbetur vend për ndonjë rrezik që të na shqetësojë në të ardhmen. Por për ne ka mbetur vetëm një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë dot njëri-tjetrin dhe, e mirë apo e keqe, çdo gjë që bëjmë në anën tonë, has në vështirësi dhe sjell pasoja.

Sa për ekzistencën e Shqipërisë, që jua kemi njoftuar herët a vonë, të gjitha mbretëritë e mëdha ekzistencën e saj e konsiderojnë të domosdoshme dhe janë të vendosura unanimisht dhe me një mënyrë të prerë që t’ia plotësojnë tërë nevojat e saj, saqë të mos mbetet e shtrënguar të varet e të lidhet me ndonjë anë. Po, për fat të keq, ai bashkim që ndodhet në mes të mbretërive të mëdha, midis nesh mungon. Megjithëkëtë, atdhetarët duhet të mos dëshpërohen, mbasi të zotërit e vullnetit të mirë dhe të iniciativës, do të shpëtojnë atdheun e tyre edhe nga kjo fatkeqësi. Në mes të këtyre patriotëve në shkallë të parë dhe vendin më kryesor e keni zënë zotëria juaj.

Shqipëria në rast se nuk tregon zotësinë e saj që të rrojë si komb ballkanik, nuk mundet të rrojë si mbretëri – po kjo vallë si duhet të realizohet? Më parë duke pasur një formë qeverimi që ta bëjë kombin tonë të rrojë në harmoni të përbashkët me mbretëritë perëndimore dhe e dyta në krye të këtij qeverimi duhet të ketë një sovran, i cili, duke qenë i pajisur me një aftësi të mirë, me fisnikëri dhe me cilësi të shkëlqyera, të mundet të lidhë marrëdhënie miqësie me mbretëritë e Europës.

Ata njerëz që dëshirojnë të na privojnë nga këto dy mirësira, pa dyshim meritojnë emrin intrigantë dhe tradhtarë dhe propaganda e tyre, burimi dhe shkaku i së cilës le të jetë si të jetë, duhet të mallkohet nga ana e të gjithë atyre që pretendojnë se janë besnikët e popullit dhe të atdheut. Unë e di, Esad Pasha dhe pasvajtësit e tij, lartësinë e tij princin, në një anë po e ftojnë në një mënyrë tepër tërheqëse dhe patriotike, nga ana tjetër, po përpiqen të dredhin e të përdredhin intriga kundër tij dhe më mirë të themi, kundër teorisë sonë politike dhe filozofike. Në një krah anojnë të ngrehin marrëdhënie intime me Stambollin dhe kësisoj duan të sigurojnë fuqinë dhe interesat vetjakë nën maskën e myslimanizmit, dhe në krahun tjetër, nuk mungojnë të marrin çdo iniciativë për t’i shërbyer armikut tonë, i cili përpiqet të na copëtojë atdheun.

Misterin e këtyre gjërave të vërteta ua kam njoftuar hollësisht atyre që duhet t’u njoftoheshin dhe me ndihmën e zotit shpresojmë se qëllimet e tradhtarëve, nuk do të realizohen. Mënyra e pritjes së princit dhe vendi ku do të qëndrojë, do të caktohen nga ana e atdhetarëve dhe brenda kushteve legjitime që i kërkon interesi i atdheut. Mbi këtë çështje, me delegatët e kontrollit jemi në një mendim…”

Liderët e farkëtojnë lidershipin te hollësitë e vogla. I ashtuquajturi “komploti i Beqir Grebenesë” u nxit nga xhonturqit, të cilit synonin të ruanin sërish kontrollin mbi Shqipërinë, duke shfrytëzuar situatën e vështirë pas luftërave ballkanike dhe paudhësitë e disa bejlerëve shqiptar. Kaosi i krijuar në Shqipërinë e Mesme nga Esad Toptani dhe pasvajtësit e tij ishte një tjetër faktor që i hidhte benzinë zjarrit. Prandaj, Ismail Qemali e zgjidhi krizën e krijuar me dorëheqjen e tij. Me këtë akt, që shpalos virtuozitetin e lidershipit të tij, Ismail Qemali synonte që t’i jepte mundësi KNK-së, që të bashkonte vendin nën një qeverisje unike. Ai u bë kështu edhe dorëheqësi i parë. Pra, edhe themeluesi i institutit të dorëheqjes në politikën shqiptare.

Dorëheqja e Ismail Qemalit krijoi një boshllëk, i cili nuk mund të mbushej nga administrata e KNK-së. Ismail Qemali së bashku me familjen e tij u largua nga Vlora drejt Italisë e më tej në Francë. Pavarësisht situatës dramatike, ai nuk e humbi optimizmin dhe e shikonte largimin si të përkohshëm. Ai i këshilloi njerëzit e tij që të vazhdonin të bashkëvepronin me njëri-tjetrin “se një ditë do të vinte ora e bardhë e fatit të Shqipërisë”.

Ky është teksti i plotë i procesverbalit ku pasqyrohet zyrtarisht dorëheqja e Ismail Qemalit: “Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh në prani të Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut. Kryetar i Qeverisë së Përkohshme, i bindur se rruga e vetme për t’i dhënë fund përçarjes dhe anarkisë, që sundon në vend është krimi i një qeverie të vetme për të gjithë Shqipërinë, dhe, meqë në rrethanat e tanishme ky qëllim mund të arrihet vetëm nëse ai e kalon pushtetin në duart e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit si përfaqësues i Fuqive të Mëdha, në prani të ministrave të tij ia përsëriti Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kërkesën e paraqitur më parë, që ky Komision të marrë përsipër këtë detyrë dhe të marr pushtetin në duart e tij. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit çmon me respekt ndjenjat atdhetare nga është nisur Shkëlqesia Ismail Qemal Bej në veprimet e tij, e pranon këtë delegim pushteti dhe, me autorizimin përkatës të Fuqive të Mëdha, merr përsipër në emër të qeverisë që përfaqëson administrimin e Shqipërisë. Nënshkruar: “Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajewski, Harry Lamb, Leoni, Petriaew.”

Shqiptarët e ndershëm, të hidhëruar e mirëkuptuan sakrificën e Ismail Qemalit. Me keqardhje ata e pranuan këtë akt. Ata shpresonin që largimi i Ismail Qemalit nga drejtimi i vendit, do të ishte i përkohshëm. Në telegramin dërguar Ismail Qemalit, më 23 janar 1914, patriotët elbasanas shprehen: “Me gjithë shpirt ju lutem të pritni urimet e nxehta të tonat për burrënijën e atdhetarien që dëftyet. Kjo therori me të vërtetë ju gjanë asaj burrënie që ngrite flamurin për të parën herë në Vlonë. Këto dy punë nuk ka me t’i harrue Shqipënia kurrë.”

Patriotët lushnjarë e shprehën keqardhjen e tyre për dorëheqjen e Ismail Qemalit, me telegramin e datës 23 janar 1914, në këtë mënyrë: “Lajmi i hidhur i largimit nga kryesia e Qeverisë Kombëtare të një atdhetari të madh si shkëlqesia juaj, që e ka bërë jetën fli për shpëtimin dhe pavarësinë e Shqipërisë, u prit me keqardhje të thellë nga ana e gjithë popullit. Gjesti i Shkëlqesisë S’uaj që synon bashkimin e kësaj copëze Shqipërie, ka bërë të dështojnë qëllimet djallëzore të disa keqdashësve të kombit, të cilët në të kaluarën e në të tashmen nuk i kanë kursyer tradhëtitë për ta bërë Shqipërinë viktimë të interesave të tyre personale të poshtra, është glorifikuar dhe nderuar prej të gjithëve. Është e plotë shpresa për ta parë në një kohë shumë të afërt Shkëlqesinë Tuaj përsëri në atë post të shenjtë dhe me shumë nderime ju puthim duart tuaja të ndershme.”

Bashkëpunëtori i tij besnik, Aqif pashë Elbasani, në telegramin dërguar Ismail Qemalit, shkruan se: “Gjesti atdhetar i Shkëlqesisë Suaj u shton një fletë lavdie shërbimeve të larta atdhetare të bëra nga ju. Meritoni nderime dhe me këtë rast adhuroj Shkëlqesinë tuaj.”

Ismail Qemali do t’i shkruante gazetës franceze “Le Matin”, të martën e 3 shkurtit 1914, duke reaguar ndaj një shkrimi të botuar pak kohë më parë në gazetën italiane “La Tribuna” lidhur me dorëheqjen e tij: “Nëse u kërkova Fuqive të Mëdha që të lejojnë përfaqësuesit e tyre të marrin qeverinë e Shqipërisë deri në ardhjen e princit, kjo ishte vetëm për një qëllim thjesht patriotik dhe me miratimin e lartë të tyre.”

Ismail Qemali u largua nga Vlora dhe shkoi për të pushuar pak kohë në Nicë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri në maj 1914. Prej andej ai ndiqte me kujdes ngjarjet në Shqipëri. Zhvillimet e mëpasshme në Shqipëri do t’i jepnin atij plotësisht të drejtë. Ai ishte zhgënjyer me zgjedhjen që bënë Fuqitë e Mëdha, në caktimin e një sovrani anonim. Kjo pasqyronte mungesën e vëmendjes së tyre ndaj Shqipërisë. “Në politikë, ajo që parashikohet nuk ndodh kurrë,” – thoshte Ismail Qemali. Por, ai paralajmëroi Princ Vidin, për pasojat e vendimeve të tij të gabuara.

Princi i ri u vendos në Shqipëri. Ai përzgjodhi si kryeqytet dhe si rezidencë mbretërore Durrësin, të cilin Ismail Qemali e shikonte si më pak të përshtatshmin. Ai vijoi me vendime të tjera të gabuara, të cilat do të përshpejtonin fundin e mbretërimit të tij të shkurtër. Akti i parë i tij, ende pa zbritur në tokën shqiptare, ishte ai i emërimit të Esad Pashë Toptanit, si ministër i Luftës dhe si gjeneral i parë i Shqipërisë. Madje ishte vetë Esadi ai që e priti në bregun e Durrësit, më 7 mars 1914. Gjithsesi, Ismail Qemali e përkrahu Princ Vidin, pavarësisht se e dallonte paaftësinë e tij.

Në intervistën e dhënë për gazetarin italian Arnaldo Cipolla, natën e 22 janarit duke u gdhirë 23 janari 1914, Ismail Qemali thotë se, çështja “Grebeneja” dhe dorëheqja e tij nuk kanë asnjë lidhje: “Ardhja e Princ Vidit,” – tha ai – “nënkupton domosdo se nuk do të ekzistojë asnjë qeveri e përkohshme shqiptare.” Ismail Qemali vijoi më tej duke u shprehur se: “Është një lloj manie që keni ju dhe kolegët tuaj për të përzier dy çështje që s’kanë të bëjnë me njëra-tjetrën: njëra që lidhet me komplotin e xhonturqve dhe tjetra me pezullimin e qeverisë. Jua përsëris se nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët mes fantazive të xhonturqve, që nuk mund të ringjallen kurrë në Shqipëri, dhe dorëheqjes së qeverisë.”

Fjalët e Ismail Qemalit në përfundim të intervistës shpalosin gjendjen e tij shpirtërore, në çastet e largimit nga atdheu, ku ai sapo kishte krijuar shtetin modern shqiptar. Ai i shpjegon gazetarit arsyen e vërtetë pse po ikte: “Nevoja për pushim, jo arsye tjetër. Më besoni, jam tmerrësisht i lodhur! Përpiquni të mendoni se çfarë barre të madhe ka në shpinë qeveria e përkohshme, një qeveri e varfër dhe e keqtrajtuar, se çfarë pune ka bërë ajo për të mirën e vendit, që nga dita e paharruar kur u shpall pavarësia në atmosferën e dhimbshme të shkaktuar nga bllokada greke, e deri më sot. Ishim ne që e ushqyem atë flakë të parë e të ndrojtur të lirisë. Na e njihni këtë meritë, para se të përfundojë misioni ynë.

Ismail Qemali thotë se, në ditët që i paraprin ardhjes së Princ Vidit, pozita e tij nuk ishte aspak e këndshme, dhe citon thënien proverbiale që përshkruante më së miri gjendjen e tij: “Proverbi juaj i krishterë nemo prophetia in patria (nuk ka profet, në vendin e vet) është më i vërtetë se kurrë në tokën tonë të dhimbshme. Por unë nuk jam lypsar në kërkim të bamirësve.”

Në librin e tij “Ben Kendim”, i botuar në Londër në vitin 1924, ushtaraku, diplomati, punonjësi i shërbimit sekret dhe deputeti britanik Aubrey Herbert, rrëfen një histori tepër domethënëse për mendësinë e mbrapshtë të politikës shqiptare. Aubrey Herbert ishte mbrojtësi i çështjes shqiptare në skenën politike britanike. Pas qëndrimit në Vlorë dhe takimit me Ismail Qemalin, ai rrëfen edhe për takimet e zhvilluara me Dervish Himën dhe Esad Toptanin, në Tiranë, më shtator të vitit 1913, lidhur me të ardhmen e Shqipërisë:

“Dervish Hima, një burrë i madh, brutal, shërbyes i Esad Pashës, dhe mënyrë sjellje dhe fjalor si ajo e Turqve të Rinj.

Dervish Hima: “Le gouvernment d’ismail Kemal est maudit.” (Qeveria e Ismail Qemalit i ka ditët e numëruara dhe nuk zgjat shumë.)

Aubrey Herbert: “Ayez la bonted d’expliquer, je nouve en prie” (Kini mirësinë që të ma shpjegoni, ju lutem.)

Dervish Hima: “Il n’a pas fait une route. Il n’a pas donne abandomment a manger a douze mille refugees. Il faut avoir un nouveau gouvernement.” (Nuk ka ndërtuar rrugë. Nuk u ka dhënë për të ngrenë 12 mijë refugjatëve. Na duhet një qeveri e re.)

Aubrey Herbert: “Nuk do ishte më mirë që të përqendroheshit që të ushqenit refugjatët, dhe të mendonit për përmirësime sado të vogla, por të domosdoshme, sesa merreni me konflikte politike?”

Biseda me Esad Pashën:

Esad Pasha erdhi në drekë. Folëm turqisht në fillim, por aty ishte një shqiptar që fliste në frëngjisht dhe na përktheu.

Esad Toptani: “Ismail Qemali është hajdut dhe njeri pa rrënjë. Ç’ka dua unë është që të mbroj Shqipërinë dhe të tërhiqem.”

Aubrey Herbert: “Ismail Qemali ka të njëjtin opinion për Shkëlqesinë tuaj. Vendi juaj do të ishte më i sigurt vetëm kur ju të dy të merreni vesh dhe jo të ziheni e përçaheni.”

Esad Toptani: “Diferenca midis meje dhe Ismail Qemalit është se unë jam i sinqertë, kurse ai jo. Unë mund të tregoj më shumë për të.”

Aubrey Herbert: “Një i huaj nuk mundet që të hyjë në këto çështje. Evropa njeh Ismail Qemalin më mirë sesa Shkëlqesinë tuaj, dhe ajo preferon dikë që njeh, me gabime, në vend të dikujt që nuk e njeh, i cili mundet po ashtu që të ketë gabime.”

Esad Toptani: “Shkova në Vjenë para disa muajsh ku më premtuan një Princ brenda 10 ditësh. Pastaj shkova në Romë me shpresën se kjo do të ratifikohej, dhe si përfundim kjo nuk ndodhi. Dyshoj se Ismail Qemali u ka thënë italianëve që do ishte më mirë të mos emërohej Princi, që të mos ketë asnjë vështirësi, që ai të veprojë lirisht. Besoj se Ismail Qemali, kërkon me çdo kusht të jetë virtualisht Princi i Shqipërisë, dhe një ditë kjo do të sanksionohet me ligj.”

Aubrey Herbert: “Për këtë kërkohet miratimi i Komisionit. Pa miratimin e tij, ky ligj nuk ka fuqi.”

Esad Toptani: “Komisioni dhe diskutimet do të zgjatin disa kohë, dhe ne fund do e pranohet (un fait accompli). Ju nuk i dini problemet që unë kam pasur nga thashathemet se dua të bëhem Princi i Shqiptarëve.”

Aubrey Herbert: “Po të isha unë në vendin tënd Shkëlqesi, nuk do shqetësohesha nga kjo, sepse ka gjëra të tjera më të këqija që thuhen për ju.”

Përkthyesi: “Faut-il le dire, si brutalement?” (Duhet që ta them në mënyrë kaq brutale?)

Aubrey Herbert: “Po. Situata aktuale, e pa stabilizuar, dhe mungesa e një dorë e fortë udhëheqëse përbëjnë rrezik, tanimë që edhe vendi është i pushtuar. Planet e Shkëlqesisë tuaj, mua, më duken sikur duan të rrisin këtë pasiguri, dhe duket sikur ju luani lojën e serbëve dhe të grekëve, të cilët kërkojnë që t’ju paraqesin juve në Evropë si një vend i pacivilizuar dhe i përçarë.”

Esad Toptani: “Unë mendoj që të mbledh burrat më të shquar. Pastaj do të thërrisja Asamblenë e Përgjithshme”.

Aubrey Herbert: “Domethënë do të marrësh mandat nga i gjithë vendi?”

Esad Toptani (heziton): “Shqiptarët e Jugut kanë me pak rëndësi se provincat e tjera. Do ta bëja këtë nëse qeveria do të vendoset në Durrës.”.

Aubrey Herbert: “Sikur qeveria të vendoset në Durrës, mundet që opinioni i huaj të thotë se, kjo ndodhi se ju Esad Pasha dominoni Durrësin.”

Esad Toptani: “Nëse është ky problemi, atëherë le të shkojmë diku tjetër. Nuk dua të përplasem me Ismail Qemalin. Ai është fajtori. Unë besoj shumë tek mbështetja angleze.”

Aubrey Herbert: “Dhe Shqipëria do ta marr mbështetjen, vetëm atëherë, kur ju personalisht të mos krijoni trazira.”.

“Esad Toptani,” – rrëfen Aubrey Herbert në librin e tij “Ben Kendim”, – “pasi kishte përvetësuar një sasi të konsiderueshme parash në Durrës, i dërgoi një ultimatum Ismail Qemalit në shtator 1913, që selia e qeverisë të zhvendosej në Durrës. Dhe në këtë mënyrë edhe sasia e madhe e parave të ndahej midis tyre. Por kjo ishte diçka e papranueshme për Ismail Qemalin…”

Esad Toptani me akrabanë e tij dëshironin që të ruanin në Shqipërinë e re, privilegjet e vjetra. Ata ishin me idenë “që gjithçka duhet të ndryshojë, që gjithçka të mbetet siç ishte”. Prandaj, ata nuk ju bashkuan kurrë Ismail Qemalit dhe patriotëve të tjerë në rrugën e vështirë të bashkimit kombëtar.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri).

Panorama