Gabimi më i madh që po bën pedagogu me prirje marksiste Arlind Qorri është qaramanllëku i tij. Ai qahet se nuk ftohet në mediat e mëdha, më saktë te Fevziu, gjë të cilën dhe ia tha hapur këtij të fundit në Opinon, duke provokuar një ngritje zëri mes tyre.

Politikani qaraman, sidomos për të tilla gjëra, shpalos inferioritet dhe një inferior nuk e voton kush. Elektorati zakonisht e lexon mirë këtë pjesë personaliteti, por vetë Qorri nuk e lexon dot te vetja, duke shfaqur një verbëri që tregon se sa i padenjë është për të qenë lider politik, aq më pak për të udhëhequr qeverisjen e një vendi.

Pak a shumë, këtë simptomë e kanë dhe dy emrat e tjerë të ngjashëm, Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, por jo në formën e ankesës ndaj mediave.

Gjithsesi, ajo që i bashkon të tre është llokoçitja në një ligjërim të varfër e parazit, mungesa e një rrezatimi intelektual apo kompetencë në një fushë të caktuar, të qënit më shumë akuzatorë se sa vizionarë dhe aspak tërheqës apo imponues si tipologji jashtë gjuhës politike.

Thonë e ç’nuk thonë e në fund nuk u mbetet asgjë.

Për ironi, kanë përballë në përpjekjen e tyre për sfidë, njeriun super të kontestueshëm në stil qeverisjeje, por të padiskutueshëm në talent politik plus sa talenteve të tjera të komunikimit publik, me një afirmim dhe forcë të fortë imponuese kur nuk ishte fare aktor politik. Dhe ky tipar i Ramës është në nivele zero te të tre këto emra. /tesheshi.com/