Real Madrid rikthehet të bëjë Real Madrid në Evropë. Skuadra e Carlo Ancelottit i kishte jetike pikët, për të mbajtur gjallë shpresën për kualifikimin mes 8 skuadrave më të mira, ndaj Salzburg. Ndeshja ishte pa shumë histori me madrilenët që vendosin diktatin në fushë që prej nisjes së ndeshjes. Pjesa e parë vuloset nga Rodrigo, me sulmuesin brazilian që me dy gola mjaft të bukur i jep avantazhin e dyfishtë vendasve. Për të vendosur fitoren në kasafortë për Realin mendoi Mbappe, me sulmuesin francez që realizoi golin e 3 me fillimin e pjesës së dytë, falë një dhurate të portierit të miqve. Më pas në skenë do të ngjitej Vinicius Jr, i cili me dy prekje mjaft magjike të topit do t’i çonte shifrat në 5-0. Golin e flamurit për Salzburg do ta realizonte Bidrstrup, 5 minuta nga fundi i ndeshjes. 3 pikë jetike për madrilenët, që do të tentojnë në 90 minutat e fundit, kualifikimin direkt për në fazën e 1/8. “Golat që vlejnë” shkruan e përditshmja spanjolle “Marca” pas triumfit me “manita të Real Madrid.
Ndërkohë spektakël, gola dhe një fitore pa probleme arriti edhe skuadra e Arsenal. Të besuarit e Mikel Artetës triumfuan me shifrat e pastra 3-0 ndaj Dinamos së Zagrebit. Nisje me humbje aventura në ndeshjet zyrtare për teknikun italian të kroatëve, Fabio Cannavaro, por ekipi i tij e kishte të pamundur t’i bënte rezistencë “topçinjve”. Londinezët e zhbllokuan sfidën shumë shpejtë që në minutën e 2, ku Havertz asistoi brenda zonës për Declan Rice, që nuk fali për golin e parë. Dinamo e Zabregit rezistoi deri në mesin e pjesës së dytë, aty ku Havertz me kokë dyfishoi shifrat. Goli i 3, që mbylli ndeshjen u realizua nga Odegard në kohën shtesë. Falë kësaj fitoreje Arsenal konsolidon pozitat në vendin e 3 të renditjes me 16 pikë.