Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka sqaruar detaje në lidhje me aplikimin në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER), i cili ka nisur ditën e sotme në orën 24:00.
Deri në këto momente numri i aplikimeve për regjistrim ka qenë 405 aplikime, ndërsa asnjëra prej tyre nuk është aprovuar.
Celibashi ka bërë me dije se pas pak do të nisë edhe procesi i shqyrtimit të kërkesave.
Kryekomisineri ka sqaruar gjithashtu se në rastet kur një kërkesë refuzohet, qytetari ka të drejtën të riaplikojë në një numër të palimituar herësh, në rast se mendon se refuzimi i tij nuk është i përligjur.
I pyetur nga gazetari i Neës24 Osman Stafa në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Celibashi u shpreh se ndryshimet e nevojshme i takojnë kostos për shërbimin postar dhe çështjen e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore
“Ka nevojë për disa ndryshime në Kodin Zgjedhor. Është çështja e palëve nëse do t’i akompodojnë këto kërkesa. Kosto e pagesës për shërbimin postar, çështja e afateve të regjistrimit të subjekteve zgjedhore”, tha ai.
Celibashi foli edhe në lidhje me votimin elektronik.
“PD nuk ka mbështetur zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Tiranës. Duhet ta konsiderojmë këtë shqetësim të tyre pavarësisht sa i përligjur është . KQZ ka detyrimin ta implementojë të paktën si pilot votimin elektronik”, u shpreh kreu i KQZ.