Mbrojtësi i Romës, Mats Hummels iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve para ndeshjes ndaj Frankfurt në Europa League.

A e prisje një Eintracht kaq të fortë?

Eintracht është një ekip që e njoh mirë, di si të organizohet në fushë. Luan me shumë automatizma. Lojtarët i njoh shumë mirë, shumë prej tyre janë miq të mi. Ky vend i tretë në Bundesliga është më shumë se sa pritej, por nuk përbën ndonjë surprizë për mua. Është një skuadër shumë e fortë.

A ke folur me Götze? Ia kujtove që i ke shënuar 5 gola Eintracht-it?

Këtë për 5 golat nuk e mbaja mend. Nga ana tjetër, kam shumë miq atje. Nuk kemi folur për ndeshjen. Është gjithmonë kënaqësi të bashkosh miqësinë me botën sportive.

A mund të themi se kjo është ndeshja më e rëndësishme që luan me Romën?

Po, mund të jetë ‘finalja’ jonë. E njëjta gjë vlen edhe për Kupën. Është një ndeshje e rëndësishme, duhet të kuptojmë si pozicionohen ekipet e tjera në renditje, por ndeshja luhet në shtëpinë tonë. Shpresojmë që kjo të na ndihmojë.

Roma është rikthyer te fitorja në transfertë. Çfarë i mungon kësaj skuadre, sipas teje?

Po bëjmë hapa përpara vazhdimisht. Kemi arritur rezultate të mira duke marrë pikë kundër Milanit dhe Tottenhamit. Është një proces që po shfaq vazhdimësi të qartë. Që nga ardhja e trajnerit Ranieri, po tregojmë një rrugë të qartë përmirësimi.

Nga fillimi ‘i çmendur’ deri më sot, si po shkon përshtatja me gjuhën? A po mendon të qëndrosh edhe një vit tjetër te Roma?

Po përgjigjem për gjuhën. I kuptoj 50% të pyetjeve, por nuk ndihem ende i gatshëm të përgjigjem në italisht. Termat e futbollit i kuptoj dhe i përdor. Sa i përket të ardhmes? Do të shohim. Ka disa çështje personale që duhen marrë parasysh, ndaj vendimi do të kërkojë kohë.

A je gjithmonë kaq optimist, apo te kjo Romë sheh objektiva realisht të arritshëm?

Shoh cilësinë e ekipit. Roma ka një grup lojtarësh të mëdhenj. Sigurisht, nuk është e lehtë të arrihen objektiva të caktuar, por për këtë arsye jam pozitiv.

Pse në disa momente dukeni si skuadër jo shumë e balancuar?

Mund të ndodhë. Është një skuadër që ka ndërruar tre trajnerë brenda disa muajve. Kjo mund të sjellë mungesë automatizmash, por besoj se në përgjithësi ekuilibri është aty.

Je gjithmonë i lumtur në stërvitje. Si ndihesh?

Jam i lumtur kur skuadra ecën mirë. Në përgjithësi, Roma është një klub i nivelit të lartë. Ndihem mirë si nga ana sportive, ashtu edhe personale. Më pëlqen të jem këtu, më pëlqen edhe qyteti.