Presidenti serb Aleksandar Vuçiç iu drejtua publikut lidhur me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), ai theksoi se kjo masë është pjesë e një “sulmi gjithëpërfshirës ndaj kompanive ruse”.
“Të dashur qytetarë, Qeveria e Republikës së Serbisë ia shiti NIS Gazpromit rus në vitin 2008. Presidenti i atëhershëm Boris Tadiç dhe kryeministri Vojislav Koshtunica morën vendimin për t’ia dorëzuar këtë kompani Gazpromit. Në 16 vitet e mëparshme, NIS dha një kontribut të rëndësishëm në buxhetin.
“Sot, pak ditë para ndryshimit të qeverisë në SHBA, shteti më i fuqishëm në botë po vendos sanksione ndaj NIS-it”, tha Vuçiç.
Presidenti shtoi se këto sanksione nuk janë të drejtuara vetëm kundër Serbisë, por janë pjesë e një pakete më të gjerë masash kundër kompanive ruse.
“Serbia nuk ka kontribuar në futjen e sanksioneve të tilla. Ne nuk kemi ndërhyrë në asnjë mënyrë në konfliktet e fuqive të mëdha. Jemi përballë sanksioneve serioze. Qytetarë, nuk ju kemi fshehur asgjë; ne thamë gjithçka në mënyrë transparente, edhe pse partnerët amerikanë ishin të zemëruar”, tha Vuçiç, duke shtuar se Serbia është përpjekur të ruajë neutralitetin.