Spitali Onkologjik, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” çeli sot një kapitull të ri progresi për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me Sheba Medical Center, me qendër në Izrael, një nga ekselencat botërore të mjekësisë, që nga sot është zyrtarisht partneri strategjik i QSUNT.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Zëvendëspresidenti i Sheba Midical Center , Dr Joel Hareve, mjekë dhe infermierë, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se “sot është një ditë e mirë me lajme shumë të mira për një aspekt shumë të rëndësishëm që prek këdo për shëndetin.

Jemi bashkë për një bashkëpunim që ka nisur në fund të 2024-ës në një partneritet me Sheba Medical Center me qendër në Izrael së bashku me QSUNT.

Është një partneritet të cilin gjatë kësaj periudhe dy mujore nga momenti i nënshkrimit të bashkëpunimit mes dy spitaleve tona ne punuam për ta konkretizuar dhe për ta kthyer në një plan veprimi transformues për shërbimin onkologjik në vend”.

Ministrja Koçiu u shpreh se “gur themeli i këtij transformimi është spitali Onkologjik i QSUNT-së, për ta shtrirë më pas edhe në fusha të tjera të shërbimit shëndetësor këtë partneritet që do të thosha është nga partnerët më seriozë, më profesionalë me një nga 10 qendrat shëndetësore ekselente në botë”.

“Ne jemi bashkarisht sot me ekipet shëndetësore me mjekët, infermierët imazheristët, të cilët punojnë në linjën e parë në frontin kryesor dhe në përpjekje sfiduese të përditshme me një sëmundje siç është ajo e tumorit.

Një sëmundje për hir të vërtetës kur prek familje, të afërm, familjarët tanë bëhet shqetësuese për të gjithë komunitetin, familjen dhe pikë së pari për të afërmit dhe pacientin drejtpërdrejt.

Nënshkrimi sotëm i kësaj marrëveshje dhe këtij plani veprimi konkret që është një hap i jashtëzakonshëm, i cili do ti mundësojë ekipeve tona që të ecin hap më hap me kohën, me dijen, me eksperiencën dhe ekselencën e partnerëve të Sheba Medical Center”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “zbatimi rigoroz i këtij plani do të mundësojë një model administrimi efikas, i cili do ë në japë gjithashtu mundësinë të riorganizojmë shërbimin onkologjik të rishikojmë dhe riformatojmë protokollet mjekësore si dhe të përmirësojmë cilësinë e shërbimit dhe të rrisim besimin e qytetarëve tek shërbimi shëndetës5or dhe pikë së pari tek shërbimi shëndetësor në spitalin Onkologjik si dhe lehtësimi i punës së përditshme që ju bëni në këtë betejë të vështirë”.