Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është përgjigjur komenteve në postimin e tij në “Facebook” për ndihmësen e re virtuale të e-Albania, e cila do të mundësohet me pyetje me zë nga asistentja virtuale, e cila do të mbajë emrin “Diella”

Shefi i qeverisë i ka kthyer përgjigje një zonje, e cila pretendon se ka pritur një muaj e gjysmë për të marrë një certifikatë: “e-Albania, vononi deri në një muaj e gjysmë për të nxjerrë një kod për certifikatë, e kam provuar vetë ndihmësen e re virtuale të e-Albania”. Këtij komenti, Rama i është përgjigjur, duke shtuar se pretendimi i zonjës nuk është i vërtetë. Ai pohoi se sot në e-Albania ofrohen mbi 1200 shërbime apo e thënë ndryshe rreth 95% e shërbimeve publike.

“E nderuar zonjë, më bëri përshtypje komenti juaj dhe u interesova pranë e-Albania. Rezulton se ju keni aplikuar katër herë për certifikatë familjare dhe në të katërta rastet e keni marrë automatikisht. Nuk rezulton që të keni aplikuar ndonjëherë për ndonjë shërbim tjetër në e-Albania. Pse e bëni ju këtë, unë s’dua të komentoj, por meqë më jepet rasti nga komentet në postimin e Diellës, e krijuar në laboratorin tonë të Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar me zë dhe figurë qytetarët në shërbimet e e-Albania, po ju informoj: sot ofrohen 1247 shërbime publike përmes e-Albania. 95% e shërbimeve publike, që deri dje nuk merreshin pa pritur në radhë”, theksoi mes tjerash Rama.

Ai theksoi se e-Albania është “fryti më kuptimplotë i revolucionit tonë antikorrupsion sepse ka eliminuar 45 milionë kontakte fizike mes qytetarit dhe administratës”.

Më tej Rama u shpreh: “E pra e-Albania është deri më sot fryti më kuptimplotë i revolucionit tonë antikorrupsion sepse ka eliminuar 45 milionë kontakte fizike mes qytetarit dhe administratës. U ka kursyer qytetarëve orë të pafundme, stres, pritje, pasoja, nga mosmarrja në kohë e shërbimeve”, tha Rama.