Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim në lidhje me situatën e motit të keq, ku njofton se të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme. Problematikë, sipas ministrisë, paraqiten disa akse rurale në zona të ndryshme të vendit.
Më konkretisht, në bashkinë Dibër ka problematika në rrugët rurale në disa fshatra të njësive Maqellare, Melan, Luzni, Muhurr. Po punohet për hapjen e rrugëve që lidhin njësinë administrative Kala e Dodës me fshatrat Sllovë, Selishtë dhe Arras.
Në bashkinë Bulqizë janë të bllokuara rrugët rurale të njësive administrative Ostren, Trebisht, Klenjë, Gjoricë, Zerqan dhe aksi rrugor Trebisht-pikë kalimi kufitar.
Në bashkinë Klos janë të bllokuar rrugët e fshatrave me qendrat administrative Gurë dhe Xibër. Në bashkinë Mat janë të bllokuara 2 fshatra në njësinë administrative Komsi dhe aksi rrugor Vig Macukull.
Në bashkinë Krujë po vijon puna për hapjen e rrugës që lidh fshatin Shkretë me aksin Cudhi-Qafështamë. Në bashkinë Fushë-Arrëz vazhdon të jetë e bllokuar rruga me njësinë administrative Iballë me fshatrat e saj.
Në Bashkinë Devoll vijon puna për hapjen e rrugëve lidhëse me fshatrat Miras. Në bashkinë Pogradec po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave Proptisht, Velçan, Trebinjë, Dardhas dhe Çërravë.
Në bashkinë Has po punohet për hapjen e rrugës që lidh njësinë administrative Arrën me rrugën nacionale dhe rrugët e fshatrave Cahan dhe Xhebexhi.
Vijojnë angazhimin për normalizimin e situatës në Vlorë, prej tashmë tre ditësh Forcat e Armatosura me 7 pompa thithëse dhe 15 mjete të kalueshmërisë së lartë, ekskavatorë, kamionë vetëshkarkues etj.