Ai, Ndrek Luca, i madhi i skenës së teatrit dhe të sheshxhirimeve të filmit, shembulli më sinjifikativ i forcës së karakterit dhe thellësisë së personalitetit të shprehura në art. Ai që arriti të ishte dhe të mbeste i madh në çdo qasje njerëzore dhe ngulmimi kumtues, prej zakonshmërisë rutinore të së përditshmes, deri në aktin e sublimitetit si shprehje etiko-estetik, virtuozitetit krijues dhe interpretues. Pavarësisht rrethanave dhe tipizimit të karaktereve, që ai duhej të mëkonte ngulshëm, përmes vetvetes së ofruar si një blatim dhe ëndrrës që kulmonte si një andje adhurimi, shenjtëruar në ngjarje eterne.

Prolog

Ndrek Luca, mori udhën e amshimit në moshën 69-vjeçare. Ai që kishte ende për të dhënë, ende për të bërë, ende për të treguar; se arti skenik, qytetaria dhe demokracia asokohe ende në embrion, meritonin ende atë. Por ai e kishte “vendosur” të ikte. Sepse edhe në dhënie të frymës, në ndalim të zemrës, në mbyllje të siparit, ai ishte sërish aty, i përgjithmonshëm; me gjallërinë e tij karakteristike, me temperamentin shpërthyes, me kumbimin shpues të zërit të tij, me qeshjen e shpenguar, e ashpërsinë e dlirë prej malësori. Po, do të mbetej ai që ishte, i gjallë në prapaskenë, jo si një frymor, por si një shpirtje, si një përfytyrim që do t’i ofrohej, si një blatim asaj bote që i kishte përmbushur ëndrrën dhe e kishte shpërblyer me realen e atij vullneti të shenjtëruar në akt sublimiteti krijues.

Malësori i madh i artit skenik

Në këto rrethana, në atëkohje, ku nuk mjaftonte talenti dhe përkushtimi, por duhej shumë më shumë, ishte pikërisht Ndrek Luca ai që projektonte caqet e së mundshmes së suksesit. U ngjiz dhe u mëtua, si i madhi sfidave të vështira skenike, i adhuruari i roleve emblemë të filmit shqiptar.