Altin Dumani, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin, ishte sot palë në seancën gjyqësore publike të zhvilluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Apelin e Vetting-ut, për subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi.

Me mbarimin e mandatit të Komisionerëve Publikë më 31 dhjetor 2024, sipas nenit 179/b, pika 8 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 199, paragrafi i 2-të i Kodit të Procedurës Civile, u bë kalimi procedural i palës “Komisioner Publik”, tek “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme”.

Fakti që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme do të vijojë të jetë palë në procesin e vetting-ut, do të jetë një garanci që procesi do të mbikqyret dhe do të vijojë të zhvillohet në mënyrë rigoroze, edhe pse është në fazën përmbyllëse të tij. Kolegji duhet të përfundojë shqyrtimin e rreth 120 çështjeve të mbetura deri në qershor të vitit 2026, kur i mbaron edhe mandati kushtetues.

Në seancën e sotme, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme paraqiti shkaqet e ankimit për të trija kriteret e rivlerësimit, të pasurisë, figurës dhe të aftësive profesionale që lidhen me subjektin e rivlerësimit Valentin Preçi.

Dumani I kërkoi Kolegjit ndryshimin e vendimit të konfirmimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Valentin Preçi.