Aksidenti tragjik në Novi Sad, nga i cili ndërruan jetë 15 persona, ka sjellë demonstrata masive ndaj sistemit politik të vendit dhe drejtësisë. Më 1 nëntor 2024, në stacionin e trenit në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, 15 persona humbën jetën pasi një pjesë e çatisë u shemb mbi ta. 17 të tjerë u shtruan në spital prej muajsh pasi morën lëndime të rënda dhe madje po luftojnë për të pasur mundësinë që të ecin sërish.
Menjëherë pas aksidentit, një valë protestash përfshiu Serbinë. Mijëra njerëz, kryesisht studentë, dolën në rrugë duke kërkuar drejtësi dhe transparencë. Sidomos në dy muajt e fundit, vala fillestare ka marrë përmasa shumë të mëdha pasi studentëve u janë bashkuar gjimnazistët, mësuesit e tyre, sindikatat, madje dhe opozita. Në protestë janë përfshirë universitetet më të mëdha në vend, qindra shkolla të mesme. Analistët theksojnë se studentët kërkojnë ndryshime strukturore dhe jo vetëm drejtësi. Për të rinjtë e vendit mesazhi është i qartë jo vetëm për qeverinë, por edhe për të gjithë sistemin politik.
“Korrupsioni vret – Sundimi i ligjit është e vetmja rrugë,”-kështu shkruajnë shumica e pankartave në protesta. Rutina është e njëjtë, pjesëmarrësit, pasi mbajnë 15 minuta heshtje në kujtim të atyre që humbën jetën, zakonisht rrethojnë strukturat publike dhe së fundmi gjithnjë e më shpesh rrjetet publike televizive dhe radiofonike. Në demonstratën e fundit, dje në Beograd, më shumë se 50,000 njerëz u mblodhën jashtë stacionit më të madh televiziv shtetëror të Serbisë.
Çfarë po kërkojnë në të vërtetë?
Studentët kërkojnë ndryshim të menjëhershëm në vend dhe ndryshime thelbësore. Ata theksojnë se si qeveria ashtu edhe presidenti i saj nuk kanë bërë asgjë për zbardhjen e rastit. Pavarësisht se 13 persona janë futur në burg dhe po përballen me akuza, studentët thonë se dështimi i Vuçiçit për të bërë publike të gjitha dokumentat, në të vërtetë tregon se ai po fsheh aksidetin që të mos nxjerrë në dritë përmasat e korrupsionit që kanë përfshirë vendin.
Të rinjtë kanë shënjestruar Aleksandër Vuçiç. Bota e re e konsideron të vetmin përgjegjës, pasi i atribuon krijimin e një sistemi tërësisht të kontrolluar prej tij. Gjithsesi, lëvizja studentore që prej muajsh ka mbushur rrugët e vendit ka mohuar hapur lidhjen e saj me partitë politike dhe këmbëngul që të mos zgjedhë drejtues dhe përfaqësues. Për ta, opozita vetëm sa u është bashkuar për të shtuar numrat, por ata nuk kanë asnjë ndikim në tubim.
Mesa duket pra…gjenerata e TikTok është rebeluar dhe kërkon jo thjesht të marrë një diplomë dhe të largohet nga vendi për t’u kthyer si një emigrant në Europë, por kërkon që të marrë në duart e saj të ardhmen e vendit. Studentët kanë hedhur poshtë gjithashtu propozimet informale të qeverisë për dialog dhe gjestet indirekte të vullnetit të mirë, siç është rritja me 20% e buxhetit për universitetet; për ta ka vetëm një zgjidhje: Zbardhjen e plotë të krimi shtetëror!
Si iu përgjigj Vuçiç?
Mobilizimeve masive, qeveria iu përgjigj fillimisht me forca policore, arrestime, madje dhe me aktivizimin e shërbimeve sekrete. Sulmi nga ana e qeverisë së Serbisë nxori në sipërfaqe kapacitetin e madh organizativ të gjeneratës së re, e cila është edhe më e arsimuar dhe shumë më e aftë teknologjikisht se ato të së kaluarës. Zgjedhja e studentëve për të mos pasur “fytyrë”, ka vënë në siklet qeverinë, e cila po përpiqet të menaxhojë kostot e komunikimit kryesisht përmes medias shtetërore. Vuçiç pretendon se të gjitha informacionet për aksidentin e Novi Sadit janë publikuar, por opozita thotë se ka mijëra dokumente të tjera që japin detaje për kontraktorët vendas. Por po sipas tyre, këto dokumenta lidhin kontraktorët me qeverinë, ndaj nuk publikohen.
Reforma dhe “sakrifica” e Vuçeviçit
Vuçiç informoi bërthamën e fortë të partisë së tij se nuk do të lejojë që situata të zvarritet dhe se qeveria e vendit duhet të ndjekë një sërë masash të reja që ai do të propozojë në të ardhmen e afërt. Burime nga partia e djathtë e Vuçiçit, e cila është edhe bërthama e qeverisë, thonë se plani i presidentit ka të ngjarë të sjellë edhe më shumë tension brenda vendit, pasi mund të ndodhë ndalimi i këtyre demonstratave. Kësisoj pjesëmarrësit mund të ndalohen me pretekste ligjore apo edhe legale, si p.sh. pengimi i qarkullimit rrugor.
Rrjedhja e këtyre diskutimeve vetëm sa i shtoi benzinë zjarrit. I përballur me presionin gjithnjë në rritje, kryeministri i vendit, Millosh Vuçeviç dha sot dorëheqjen. Në këto kushte, duke qenë se edhe studentët tani kanë mbyllur edhe një kryqëzim qendror në Beograd, Vuçiç u shfaq më fleksibël në mesazhin e tij. Ai ftoi studentët dhe komunitetin universitar sërish për dialog. Përgjigjia ishte e njëjta.
Sekretet shtetërore…
Projekti për ndërtimin e hekurudhës është ndërmarrë nga dy kompani të rëndësishme kineze, të cilat kanë konkurruar për të gjithë linjën Beograd – Budapest. Kompanitë nga Kina ia kanë dhënë pjesën lokale të projektit kompanive nga Hungaria, të cilat nga ana e tyre ia kanë deleguar punën kompanive vendase. Punimet në Novi Sad, si në shumicën e stacioneve hekurudhore ishin përfshirë në projektin e veçantë të rigjenerimit të infrastrukturës së vendit. Në të gjitha demonstratat e dy muajve të fundit, pjesëmarrësit i kërkojnë qeverisë të zbulojë pa hezitim se cilat janë kompanitë vendase që kanë ndërmarrë projektet, shumat që kanë marrë dhe më e rëndësishmja se çfarë marrëdhëniesh kanë këto kompani me rrethin e ngushtë familjar të presidentit serb.