Alban Xhihani ishte i ftuar këtë të enjte në studion e “Rudina”, në Tv Klan, nga ku prezantoi për herë të parë familjen e tij, bashkëshorten Isida dhe dy vajzat e tyre Uma dhe Liv. Për Rudina Magjistarin ata rrëfyen edhe historinë e tyre të dashurisë.

Rudina Magjistari: Më thoni pak si u njohët, si ka qenë ai momenti? 9 vite njohje apo dhe bashkëjetesë?

Alban Xhihani: Ne kemi qenë të njohur edhe për shkak të punës që kemi pasur, marrëdhënie pune, por që vetëm pas disa vitesh më vonë arritëm që të jemi bashkë dhe të kemi këto gocat sot.

Rudina Magjistari: Si erdhi momenti i njohjes? E mbani mend kur e keni parë njëri-tjetrin për herë të parë?

Isida Lluka: Ne për shkak të punës kemi pasur bashkëpunime të ndryshme, Albani gazetar sportiv, unë organizoja evente sportive dhe Albani vinte për të bërë mbulime të ndryshme të aktiviteteve dhe kaq. Njiheshim. Pastaj vite më vonë u ritakuam. Sërish ishte një aktivitet sportiv. Albani kishte ardhur prap i ftuar si gazetar sporti. Ky ishte ritakimi dhe nga ai moment pastaj nisën komunikimet, takimet e të gjitha me radhë.

Rudina Magjistari: Kur e kuptuat që mes jush mund të kishte diçka?

Isida Lluka: Te takimi i fundit, këtu ndodhi.

Alban Xhihani: Isida ka qenë dhe është shumë e butë, e urtë, në marrëdhënie me njerëzit. Kështu që ishin këto tipare që më tërhoqën edhe më thanë pse jo. Përse të mos jetë kjo vajza, apo bashkëshortja ime e ardhshme për të krijuar një familje. Jam i lumtur që e kam dhe që kemi këto dy vajza.

Takimi që i ndryshoi jetën, Alban Xhihani dhe bashkëshortja

Rudina Magjistari: Çfarë të pëlqeu të Isida?

Alban Xhihani: Thjeshtësia, komunikimi, janë elementë që një mashkull kam përshtypjen i vlerëson tek një femër. Pastaj pjesa tjetër vjen me njohje, me kalimin e viteve.

Rudina Magjistari: Por Isidës çfarë i pëlqente te Albani në fillim?

Isida Lluka: Albani ishte shumë i komunikueshëm. Pra ishte një person që ti uleshe flisje me të, lije telefonin, i lije të gjitha. Ishte personi që kur ti ishte me të, humbisje. Të përfshinte jashtëzakonisht shumë. Kështu që bisedat tona nisnin për një kafe të shkurtër dhe zgjasnin pafundësisht. Kjo ishte një gjë që të bënte të ndiheshe shumë mirë. Të dukej sikur ishte një person që e njihje prej vitesh. Ndiheshe shumë rehatë dhe komode.

Rudina Magjistari: Kur ka qenë dalja e para romantike?

Isida Lluka: Ka qenë Janari i 2016-s. Ato kanë qenë momentet tona të para. Kishim dalë dhe po ktheheshim për në shtëpi. Ajo përshëndetja, natën e mirë… E përcolla unë sepse pas takimit me mua do takonte edhe njerëz të tjerë. Kjo ka qenë.

Alban Xhihani: Kisha një lloj keqardhje që po ndahesha nga Isida, po që ndodhi aty dhe ja.

Rudina Magjistari: Dhe ishte e destinuar që të ishit bashkë përgjithmonë dhe të ndërtonit këtë familje kaq të bukur.

Alban Xhihani: Më la pa koment fare atë mbrëmje, më ikën fjalët.