“Nuk e kam fshehur kurrë që kam pasur një simpati për Juventusin, sepse kam qenë një tifoz i madh i Alessandro Del Pieros, por sonte nuk do ta kem këtë simpati”, – deklaroi trajneri i Club Brugge, Nicky Hayen, në prag të ndeshjes së Champions League kundër bardhezinjve.

Në konferencën për shtyp para ndeshjes, Hayen foli për cilësitë e kundërshtarëve bardhezinj: “Thiago Motta e ka ndryshuar strukturën e lojës së Juventusit. Bardhezinjtë ushtrojnë shumë presion dhe përpiqen të qëndrojnë gjithmonë kompaktë, përveçse kanë lojtarë me cilësi të lartë. Megjithatë, ne vijmë nga një seri prej 18 ndeshjesh pa humbje dhe duam të vazhdojmë në këtë rrugë. Nuk bëjmë llogari, mbështetemi edhe te publiku ynë”.

Ardon Jashari, mesfushori kosovar, i mbërritur te Bruges në verë, ndau mendimin e trajnerit të tij: “Nuk shikojmë renditjen. Mbeten ende dy ndeshje dhe më pas do të shohim se ku do të jemi”.

Duke folur për përballjet me skuadrat italiane, Jashari kujtoi humbjen 3-1 ndaj Milanit në “San Siro”: “E dimë që bardhezinjtë kanë mundur kuqezinjtë në kampionat. Kundër italianëve janë gjithmonë ndeshje të vështira, por nuk mund të them se kush është më i fortë. Ne do të bëjmë lojën tonë”.