Selena Gomez ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve pasi postoi dhe më pas fshiu një video emocionale në Instagram. Në video ajo shfaqej duke qarë për dëbimet e emigrantëve pa dokumente nga agjentët e Emigracionit dhe Zbatimit të Doganave (ICE) nga SHBA-ja. Në videon e postuar në InstaStory të hënën, Gomez, mes lotësh, tha se i vjen shumë keq.

“I gjithë populli im është nën sulm, fëmijët. nuk e kuptoj. Më vjen shumë keq, do të doja të mund të bëja diçka, por nuk mundem. Nuk di çfarë të bëj. Do të bëj gjithçka, të premtoj”, tha Gomez në videon e saj, në të cilën kishte vendosur edhe një flamur meksikan.

Pas publikimit, videoja ngjalli reagime të ashpra nga disa komentues, të cilët kritikuan këngëtaren dhe aktoren për ndjeshmërinë e saj ndaj emigrantëve pa dokumente që po përballen me dëbim. Përballë kësaj vale reagimesh, Gomez vendosi ta fshijë videon.

Ajo më pas postoi një tjetër mesazh në Instagram Story, duke shprehur zhgënjimin e saj ndaj kritikëve: “Me sa duket nuk është në rregull të tregosh ndjeshmëri për njerëzit”. Reagimi i Gomez ndaj situatës ka ndezur një debat të gjerë në internet, ku shumë ndjekës kanë dalë në mbështetje të saj, ndërsa të tjerë e kanë kritikuar për qëndrimin e saj publik.