Ukraina goditi sot disa objektiva brenda Rusisë, në një sulm për të cilin Kievi thotë se është sulmi “më masiv” i luftës deri më tani i bërë nga ana e Ukrainës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, depot e municioneve dhe impiantet kimike u goditën në disa rajone, disa prej të cilave ishin qindra kilometra larg kufirit, raporton BBC.
Burime nga agjencia e inteligjencës të Ukrainës SBU i thanë BBC-së se sulmi ishte një “goditje e dhimbshme” për Rusinë.
Rusia tha se ka rrëzuar raketat Atacms të furnizuara nga SHBA, si dhe raketa lundrimi Storm Shadoë të prodhuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe u zotua se do t’i përgjigjet sulmit.
Të paktën nëntë aeroporte në Rusinë qendrore dhe perëndimore ndaluan përkohësisht fluturimet.
Sulmet në rajonin kufitar të Bryansk shkaktuan shpërthime në një rafineri, depo municionesh dhe një fabrikë kimike që thuhet se prodhonte barut dhe eksplozivë, tha një burim ukrainas i sigurisë për BBC.
Por Kievi gjithashtu goditi shumë më thellë në vend, me Shtabin e Përgjithshëm që pretendonte se kishte goditur objektiva deri në 1,100 km (700 milje) nga kufiri.
Në rajonin perëndimor të Saratovit, zyrtarët raportuan një sulm “masiv” me dron.
Dy fabrika industriale në qytetet Engels dhe Saratov janë dëmtuar, shkroi në Telegram guvernatori rajonal Roman V. Busargin.
Javën e kaluar, Kievi tha se kishte goditur një objekt depo të naftës në Engels – duke nxitur një përpjekje disaditore për të shuar zjarrin dhe Busgarin për të shpallur një gjendje të jashtëzakonshme.