Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, në një intervistë për UNEP – Peogramin Mjedisor të Kombeve të Bashkuara – ka prezantuar rrugën që ka përqafuar Shqipëria për mbrojtjen e mjedisit dhe ruajtjes së biodiversitetit përmes zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe rritjes së sipërfaqes së zonave të mbrojtura deri në 22% të territorit.
“Jemi shumë të lumtur për bashkëpunimin me United Nations Environment Program. Për ne biodiversiteti është shumë i rëndësishëm. Shqipëria është një vend i vogël, ku 22% e territorit janë sipërfaqe që mbrohen si peizazhe të mbrojtura, parqe natyrore apo parqe kombëtare. Shqipëria mbron gjithashtu lumin e fundit të egër të Evropës, Vjosën, duke e shpallur park kombëtar në vitin 2023. Ne po punojmë me UNEP për projekte të përbashkëta në Alpet Shqiptare. Përmes punës së përbashkët kemi dyfishuar këtë territor magjepsës në veri të Shqipërisë. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend ku turizmi dhe mjedisi gjenden nën një ‘çati’, me qëllimin që njëri të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme dhe tjetri të mbrohet për të ardhmen e fëmijëve tanë”, u shpreh ministrja Kumbaro për UNEP.
5,5 milionë vizitorë janë regjistruar në zonat e mbrojura, gjatë vitit 2024, ose 1 milionë më shumë se viti 2023, si tregues i interesit të rritur për turizmin natyror gjithëvjetor.
Shqipëria është një nga partnerët financues të plotë të UNEP për 2023 dhe 2024, kontributet e së cilës në Fondin e Mjedisit mundësojnë zgjidhje inovative globale për ndryshimet klimatike, mbrojten e natyrës dhe biodiversitetit, si dhe menaxhimin e mbetjeve.