Ashtu sikurse paralajmëroi Ilirjan Celibashi, KQZ i është drejtuar me një letër Këshillit të Ministrave ku kërkon zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të skaduara për emigrantët deri më 30 Maj.

Në letër thuhet se kjo problematikë është konstatuar në një numër të lartë qytetarësh brenda dhe jashtë vendit dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme.

“Nga informacionet që KQZ ka marrë pranë ministrisë së Brendshme dhe kompanisë së prodhimit të dokumenteve biometrike, aktualisht, rezultojnë të jenë 600 248 zgjedhës të pajisur me dokument identifikimi të pavlefshëm. Nga të dhënat e siguruara nga PER, rezulton të jenë regjistruar rreth 900 zgjedhës nga jashtë, të cilët nuk zotërojnë një dokument identifikimi të vlefshëm. Për sa më lart, bazuar në rëndësinë që ka votimi nga jashtë si dhe pamundësinë objektive të zgjedhësve jashtë vendit për t’u pajisur brenda afateve ligjore me dokument identifikimi të vlefshëm në kuadër të ushtrimit të të drejtës së votës, KQZ propozon marrjen në konsiderate të shtyrjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit për zgjedhësit me vendqëndrim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë deri në 30 maj 2025.”, thuhet në letër.