Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin duke marrë fjalën për replikë pas kryetarit të PD, Sali Berisha për çështjen e regjistrimit të zgjedhësve nga diaspora e akuzoi atë se po mashtron votuesit nga jashtë duke thënë se duhet të votojnë me dokumente të shtetit ku jetojnë.

“Mos u gënjeni nga njëri që ju gënjen prej 30 vjetësh. Në asnjë vend nuk bëhet, po ju gënjen t’ju çojë votën dëm” tha Balla.
Sipas ministrit në asnjë vend të botës nuk ndodh kjo.

“S’e kuptova çfarë kërkonte, por po kthej një përgjigje që besoj u intereson bashkatdhetarëve tanë në diasporë: vazhdoni regjistrohuni në kqz.gov.al me dokumentet e kërkuara nga KQZ! Për transparencë për këdo që gënjen dhe ia ka marrë dorën kësaj pune. Në 2008 kush ka qenë në qeverisje e vendit, mbani mend. Kemi bërë një reformë ku kemi dakorduar që mund të votosh me një dokument biometrik, pasaportë ose kartë ID. Dhe prej 2009 çdo qytetar që mbush 18 vjeç mund të votojë vetëm me një dokument të thjeshtë dhe kjo ka ardhur si një kërkesë prej shumë vitesh e të gjitha palëve që i referoheshin dhe raporteve të OSBE-ODIHR sa u takon pretendimeve për manipulime zgjedhore. E kuptoj, nuk ka logjikë, nuk ka një vend në botë p.sh. në SHBA të votojnë bashkatdhetarët tanë me dokument identifikimi shqiptar. Nuk votojnë dot,” deklaroi Balla.

Ai përmendi edhe një element tjetër që është barazia në proces ndërsa i bëri thirrje diasporës të ndjekin hapat nga KQZ. “Mjaftojnë dy dokumente për t’u regjistruar: një dokument identifikimi (kartë ID ose pasaportë) dhe nëse është e skaduar dhe këtë e kemi dakorduar së bashku dhe tjetra është një dokument që të vërtetojë adresën”, tha Balla.

Sipas Ballës, KQZ ka lehtësuar dhe regjistrimin e pjesës tjetër të familjes. Kur kontrata është në emër të kryefamiljarit, bashkëngjitet certifikata familjare që e merr në e-Albania.

Në një mesazh të ashpër opozitës në sallë që kërkon votim me dokumente të huaja, Balla i akuzoi ata se po përpiqen të bëhen pengesë për votën e diasporës.

“Flisni hapur. Ju jeni kundër votës së diasporës, keni kaq vite e di. Tani doni të bllokoni dy elementë thelbësorë. E ka detyrim ky parlament gatishmërinë e qeverisë që postën në kthim ta paguajmë ne, jepni votën, mos e kushtëzoni me asgjë. E ka detyrim që t’u japim kohë diasporës dhe shërbimit postar dhe të shtyjmë afatin e regjistrimit të kandidatëve dhe me 10 ditë të tjera dhe t’i japim kohë që fleta e votimit të arrijë në kohë në 11 maj.

Pse jeni kundër? Ju s’e keni bërë këtë, e dimë, por duhet që këtë ta bëjmë. Të tjerat janë rrena. Alibi. S’ka dyshime asnjëri as këtu as në diasporë që juve rezultatin e 11 majit do ta keni humbjen më të thellë, as ajo e 1997 nuk do ju duket e thellë. Jepni votën për këto dy gjëra. Frika ju ka karakterizuar, frikë se dhe do i vjedhë edhe Celibashi votat, bujrum t’i numërojmë bashkë. Të tjerat janë alibia e humbjes së radhës,” deklaroi Balla.