Policia e Tiranës ka identifikuar dhe arrestuar 64 vjeçarin Isuf Hasa, si autor të vrasjes së fqinjit të tij Xhemal Meta në Zallbastar
Isuf Has është fqinj me 81 vjeçarin. Drejtori i policisë Tiranë tha se pasi e vrau me çekiç pas një sherri, i kishte marrë edhe shumën e lekëve që kishte me vete. Pas arrestimit iu gjetëm 200 mijë lekë të vjetra. Ndërsa çekiçi me të cilin e qëlloi për vdekje u gjet në Vorë, në banesën e vajzës së autorit.
I moshuari kishte dalë nga shtëpia për në kafen e fshatit, kur u gjet i pajetë nga banorë të zonës. Prej vitesh ai jetonte i vetëm në Shëngjin të Vogël, pjesë e njësisë administrative Zall-Bastar, ndërsa familjarët e tij jetojnë në Tiranë, përfshirë edhe bashkëshorten. Meta kishte disa bagëti të imta dhe pula, me të cilat merrej në përditshmëri.
Hetuesit dyshojnë se i moshuari mund të ketë pasur ndonjë konflikt me banorë të zonës për punët e fshatit, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë goditur me qëllim për t’u vjedhur. Kjo pasi, sipas burimeve, 81-vjeçarit nuk i është gjetur portofoli dhe disa sende të tjera që mbante me vete, por megjithatë shtëpia është gjetur e paprekur.
Të pyetur për ngjarjen dhe dyshimet që mund të kenë, familjarët i thanë policisë se i moshuari nuk ka pasur konflikte me njeri dhe nuk dyshojnë tek asnjë prej personave që jetojnë në afërsi, pasi me ta kanë edhe lidhje gjaku.
Në zonë jetojnë vetëm 4 familje të cilët janë pyetur nga policia, por deklarojnë se nuk kanë asnjë dijeni për ngjarjen. Hetimet për këtë ngjarje janë orientuar për veprën penale vrasje me dashje, ndërsa po punohet për identifikimin e autorëve.